Kthesa 180 gradë e Zuckerbergut: Whatsapp, Messenger e Instagram në një platformë të vetme

Postuar në 07 Mars, 2019 13:25

Mark Zuckerberg bën një kthesë 180 gradë. Nëse më parë koncepti i rrjeteve sociale bazohej në shpërndarjen publike të statuseve, fotove dhe mesazheve, tani ai do të përqendrohet te privatësia dhe komunikimi i kriptuar mes përdoruesve.

"Rrjetet sociale publike do të vijojnë të jenë shumë të rëndësishme në jetën e njerëzve. Ato do të vijojnë lidhin njerëzit me ata që i njohin apo me miq të rinj, do të shërbejnë për të ndarë me ta ide dhe mesazhe, duke u dhënë një mjet më të fuqishëm për të shprehur mendimet e tyre. Por tani, për ata që duan të ndërveprojnë në mënyrë më private, ekziston mundësia e ndërtimit të një platforme më të thjeshtë që përqendrohet para së gjithash te privatësia", thuhet në një postim të themeluesit të Facebook-ut.

Platforma në fjalë do të integrojë në një të gjitha shërbimet e çatit që Zuckerberg ka në pronësi: Messenger, Whatsapp, Instagram.

Në vitin 2018, Whatsapp ia kaloi Facebook-ut për numrin e përdoruesve mujorë. Kjo ka bërë që Zuckerberg të shohë me interes numrin e njerëzve që përdorin të paktën një prej shërbimeve të tij një herë në muaj, 2.7 miliardë, në krahasim me 2.3 miliardë përdoruesit mujorë të Facebook-ut.

Përdoruesit hyjnë në këtë aplikacion më shpesh për mesazhet sesa për përmbajtjen e rrjetit social, rritja e të cilit është ngadalësuar ndjeshëm në Europë dhe SHBA.

“Qëllimi është të veprojmë në të njëjtën mënyrë siç bëmë me Whatsapp: të përqendrohemi te përdorimi privat, pra mesazhet, për ta bërë më të sigurt dhe për të ndërtuar më shumë mënyra nëpërmjet të cilave njerëzit mund të ndërveprojnë”, thotë Zuckerberg në postimin e titulluar “Një vizion mbi rrjetin social të bazuar në privatësi”.

Koncepti i ri ka të bëjë me njëfarë “salloni dixhital”, ku njerëzit presin që komunikimi i tyre të bëhet privat dhe të jetë i kriptuar për të huajt.

Pas kësaj ideje sigurisht që qëndrojnë interesa ekonomike. Facebook është për momentin motori kryesor që gjeneron të ardhurat e kompanisë, falë publicitetit, që pak kohë më parë u fut edhe në Messenger. Gjithashtu, janë të shumta kompanitë që përdorin Whatsapp-in për të të komunikuar me klientët. Pagesat përmes videochat-it mund ta ndihmojnë Facebook-un të arrijë një objektiv që deri tani dukej i largët: të fitojë përmes platformave të mesazheve.

Megjithatë, ideja e re e Zuckerbergut nuk duket e lehtë për t’u vënë në jetë. Janë disa vendet që nuk e pranojnë kriptimin dhe mund të bllokojnë platformën e re, siç ndodhi kohë më parë me Whatsapp-in në Indi dhe Brazil, dy nga tregjet më të mëdha të Facebook-ut.

WhatsApp ka adoptuar vite më parë kriptimin end-to-end, ndërsa aplikacioni Messenger i Facebook-ut nuk është i koduar, po ashtu as mesazhet e Instagramit.

Pyetja që lind është se ku do të ruhen të dhënat e Facebook-ut. "Ne kemi zgjedhur të mos ndërtojmë bazë të dhënash të vendeve që kanë një histori të dhunimit të të drejtave të njeriut, si privatësia ose liria e shprehjes", shkruan themeluesi i Facebook-ut. Kjo do të thotë humbje e disa tregjeve të tjera. "Është një kompromis që ne jemi të gatshëm ta bëjmë", thotë Zuckerberg.

Ndryshimet e reja mund ta bëjnë më të vështirë për Facebook-un identifikimin e lajmeve të rreme dhe abuzime të tjera të platformës, por në këmbim, perceptimi i rëndësisë së këtyre temave do të zvogëlohet, duke kaluar nga problematika globale në diskutime në grupe me numër të kufizuar personash.

Duhet rikujtuar se Facebook edhe herë të tjera ka provuar ta vërë veten në rolin e mbrojtësit të privatësisë, por rezultatet kanë qenë katastrofike. Prandaj, risia që propozon duhet të bëjë të qartë që në fillim mënyrën si do të mblidhen dhe ruhen të dhënat.  

TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.