Pronarë, drejtohuni gjykatave! Shpëtimi vjen vetëm nga Strasburgu

Postuar në 02 Mars, 2019 15:55
Shoqata "Pronësi me Drejtësi"

 

Në njoftimin e datës 23 shkurt 2019, Qeveria Shqiptare nëpërmjet Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP) pranoi me gojën plot dështimin e plotë të shtetit shqiptar në harkun e 3 dekadave për t’i dhënë një zgjidhje çështjes së pronave. Për hir të së vërtetës, edhe faktori ndërkombëtar ka pjesën e vet në këtë dështim. Ato kanë pranuar zgjidhjen alla shqiptare, përkundrejt asaj që kërkojnë shqiptarët, Shqipërinë si gjithë Europa edhe në çështjen e pronave. Në këto afro 3 dekada, Gjykata Kushtetuese, sa i takon çështjes së pronave është kthyer në “Notere” të ligjeve të pushteteve që kanë zëvendësuar njëri-tjetrin. “Kushtetuese” kanë qenë të gjitha ligjet, nga ligji “konsensual”, PS-PD, 7501 për tokën deri tek ligji “Kalë betejash elektorale” për legalizimet, që vjedhjen dhe pushtimin e pronave e ka kthyer në kushtetutën de fakto të Shqpërisë. Vjedhjet e pronës me ligj, nga ai i Turizmit dhe ai për Investimet Strategjike e deri tek ai së fundi për Kadastrën Shtetërore, janë vazhdim logjik i vijës së masave 45 vjecare të Partisë së Punës. Për 45 vjet pronarët u shpallën armiq të Partisë dhe Popullit. Ato u vranë dhe u burgosën, pronat e tyre u konfiskuan e u sekuestruan. Sot pas afro 3 dekadave “Demokraci” Pronarët kanë përfunduar në armiq të Shtetit Shqiptar dhe financave të brishta shqiptare. Përfundimisht, sot pronarët dhe e drejta e tyre e pronës, sa i takon Kthimit dhe Kompensimit të pronave, janë anti-kushtetues. Me datë 23 shkurt përfundoi afati 3 vjeçar që ligji anti-pronë 133/15 i kishte caktuar Qeverisë Shqiptare dhe ATP-së që të bënte vlerësimin financiar të detyrimit që shteti shqipëtar kishte për kompensimin e 24 mijë vendimeve të harkut të viteve 1993 – 2014. Për 3 vjet me rradhë, ATP-ja e vlerësoi detyrimin e shtetit në afro 600 milionë euro nga 4.9 miliard euro që me çmimet e vitit 2015 ato vlerësohen. 

Duke filluar nga data 24 shkurt 2019, ATP falë ligjit “kushtetues të Gjykatës anti-kushtetuese numër 133/15” do zëvendësojë njoftimin e deritanishëm në gazetë dhe faqe elektronike,  me njoftimin individual për vendimarrjen e çdo pronari në shtëpi, pa e bërë publik në gazeta si deri më sot. Me këto vendime individuale si mandate vdekje, falë VKM 766 të vitit 2017, vlerësimi poshtërues prej afro 600 milionë euro do të ulet deri në afro 2-3 herë. Dhe si të mos mjaftojë kjo, 80% e shumës do të jetë kompensim fizik. Tokat që janë caktuar me VKM për kompensim fizik të Pronarëve, janë 23 mijë parcela me sipërfaqe të përgjithshme 23 mijë ha tokë. Janë toka në skërka të vendeve të humbura që ekzistojnë vetëm në letër dhe jo fizikisht. Dhe prisni mos u ngutni. Vetëm pasi të jetë ndarë kjo sipërfaqe toke fantazëm nëpërmjet ankandit, do të fillojë kompensimi financiar ne vitet e mbetura nga 10 vjecari i tretë ligjor i kompensimit. Pra ky kompensim financiar pritet të fillojë të aplikohet nga viti 2023 dhe ai jo më shumë se 10 milionë për cdo grup pronash të pronarëve. Nga viti 2015, me dhunë ligji parashikon kompensim financiar me procedura të përshpejtuara, në vetëm 20-40% të vlerës së përgjithshme që del për çdo pronar, për 1-5 vjet, me kusht që me deklaratë noteriale të deklarosh se pjesën tjetër do ia falësh shtetit. Kështu shpërblehet pritja paqësore e pronarëve shqiptarë dhe besimi i tyre te Shteti dhe Ligji në këto 30 vite që ka drejtuar anti shteti dhe anti ligji sa i takon të drejtës së pronës.

Deri këtu ka arritur poshtërimi me ligj i pronarëve shqiptarë. Ky poshtërim është publik; ka 3 vite që faqet e shtypit mbushin me lista të pafundme pronarësh që nuk marrin para po harxhojnë para për të blerë gazeta. Me këtë strategji qe buron nga ligji, opinionit i shpëlahet truri dhe poshtërsia ofrohet si sukses. Më datë 24 shkurt 2019, ka përfunduar edhe afati ligjor 3 vjecar që Qeveria Shqiptare dhe ATP-ja kishin për afro 16 000 dosje të patrajtuara. Ishin 10 000 dosje që nga pronarët, konform kërkesave të ligjit ishin depozituar pranë zyrave shtetërore të Agjensisë së Pronave qysh nga viti i largët 2008. Në këto dosje pronarët kishin kërkuar për Kthim ose Kompensim rreth 4 200 ha tokë truall dhe 144 000 ha tokë bujqësore etj. Këtyre 10 000 dosjeve të vjetra në vitin 2015 iu shtuan edhe 6 000 dosje të tjera. Nga viti 2015 deri në 23 shkurt 2019, agjensia ka dhënë vendime siç thuhet per afro 9 600 dosje.

Dhe a e dini? Për të 9 600 vendimet e dhëna agjensia nuk ka dhënë as edhe një të vetëm pozitiv për pronarët. Të gjitha pa përjashtim ishin negative dhe pronarëve ju është rrëzuar kërkesa. Pronarët do të duhej që të ankimonin në gjykatat e apelit vendimet e agjensisë, që e drejta e pronës së tyre të mos shuhej. Sot për afro 6 800 dosjet e tjera të patrajtuara pronarët po deshën përsëri pronën e tyre duhet t’i drejtohen gjykatave civile dhe të futen në kalvarin 2-3 vjecar të gjykimit deri në apel. Përfundimisht ky ligj i sotëm 133/15 është mishërimi i thënies lapidare të udhëheqësit të fundit Enverist, Ramiz Alia, në prag vitet 90 se “Pronarëve do t’iu japim nga një copë letër, por kurrë pronën. Ajo na takon Ne”.

Populli ka një shprehje që thotë se litari këputet kur hollohet, kurse zullumi kur trashet. Ne jemi realistë se sot për pronarët shqiptarë e vetmja rruge zgjidhje mbetet gjyqësori dhe Strasburgu. Nga Strasburgu, Gjykata Europiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, do të vijë zgjidhja e problemit tonë të pronave. Zullumi është trashur për 30 vjet dhe tani ai do këputet. Janë 89 çështje pronash në Strasburg që në mars të këtij viti bëhen plot 3 vjet që presin vetëm të shpallet vendimi, që sipas vendim marrjeve të mëparëshme të kësaj gjykate, pritet të rrëzojnë nenin 6/1 të ligjit 133/15 dhe si të tillë dhe vetë ligjin dhe vendim marrjen e derisotme të ATP-së. Shpallja e këtij vendimi do rrëzojë Ligjin dhe Qeverinë për faturën financiare që do të ketë. Zgjidhjen e drejtë të çështjes së pronave ne sot nuk e presim nga vullnetet partiake, pasi kanë qenë ato vullnete për pushtet që në këto 30 vjet kanë sjellë këtë gjendje ku jemi sot, sa i takon çështjes së pronës.

Në Gjykatën Kushtetuese janë 4 çështje të Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” që presin të shqyrtohen dhe që kanë të bëjnë me antikushtetueshmërinë e ligjit 133/15. Presim edhe një vendim të vetëm të Gjykatës së Strasburgut që ligji 133/15 të rrëzohet. Ai ligj do ngelet si turpi i parlamentit shqiptar. Do të ketë një ligj tjetër që do t’i japë një zgjidhje tjetër jo vetëm këtij ligji poshtërues, por edhe atij të Legalizimeve që deri më sot pas 15 vitesh nuk ka një faturë financiare, por as edhe një afat kohor se për sa vjet do të zgjasë kompensimi i pronarëve që shpronësohen. Kujtojmë se në vitin 2006 afati kohor ishte 6 muaj nga dalja e VKM- së së shpronësimit. Sot nuk ka afat kohor por shteti do të paguajë “Sa të ketë, kur t’i ketë me këste të barabarta”. Po deshëm të shkojmë në Europë duhet të sillemi me të drejtën e pronës si Europa. Sidoqoftë duhet të luftojmë vetë që të fitojmë. Një thirrje si kryesi e Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” për ju Pronarë:

  1. Ankimoni çdo vendim të ATP-së në Gjykatën e Apelit Administrativ për sa i takon vlerësimit financiar për kompensimin që do ju vijë me postë nga Agjensia e Trajtimit të Pronës. Ka një kosto financiare, por është e domosdoshme të bëhet.
  2. Kërkoni në Gjykatat Administrative ose Civile vlerësimin financiar të gjithë vendimeve për kompensim që nuk janë vlerësuar nga ATP- ja deri më sot.
  3. Për të gjitha dosjet e pa trajtuara drejtohuni Gjykatave Civile të Shkallës së Parë të rretheve ku keni pronat. Mos prisni dhe mos hezitoni. Gjykatat nuk do të jenë ato që kanë qenë, do japin drejtësi për pronarët dhe të drejtën e pronës.

Zgjidhje tjetër nuk ka dhe mos prisni që të ketë.

Së fundi për ta mbyllur, një pyetje për ATP- në, Qeverinë dhe Parlamentin që ne njoftimin e datës 23 shkurt 2019 i thanë pronarëve: Ejani të merrni dosjet që keni depozituar. Në Gjykata pronarët do të jenë Paditës, po kush do të jetë i padituri; ATP- ja, Qeveria qendrore, apo Pushteti vendor? ATP a mban përgjegjësi për dëmin moral dhe material që i ka shkaktuar pronarëve me mos shqyrtimin e 8600 dojeve  të patrajtuara  për një periudhë 10 vjecare? Është një pyetje 1 milion dollarëshe së cilës Ligjvënësi, Qeveria dhe ATP- ja që njoftoi përfundimin e afatit 3 vjecar të trajtimit të dosjeve deri tani nuk i ka dhënë përgjigje. Po Gjykatat do i pranojnë paditë pa palë të paditur?

Comments

Submitted by Prostituta Bert... (not verified) on

E vetmja zgjidhje eshte me votu Sali Shiqere Berishen!
Qe kur i krijuan Partine Damakratike, i thane te perfaqesonte ish pronaret dhe te djathten shqiptare!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.