Gratë që rrezikuan jetën për të dokumentuar krimet e nazizmit
Një ekspozitë e re hedh dritë mbi punën e grave që rrezikuan jetën e tyre për të regjistruar mizoritë e nazistëve. Studiuesit thonë se këto gra janë lënë në hije nga kolegët e tyre meshkuj. Biblioteka “Wiener”, institucioni më i vjetër në botë i kushtuar studimit të Holokaustit, po gjurmon historitë dhe trashëgiminë që kanë lënë pas individë dhe institucione që mblodhën që në krye të herës provat e komplotit të shfarosjes.
Ekspozita e re, e cila hapet të mërkurën dhe vazhdon deri në mes të muajit maj, përfshin punën e të atyre që e vijuan punën gjatë kohës që shpërtheu gjenocidi nazist, por edhe të atyre që kërkuan drejtësi dhe kontributi iu njoh shumë vonë. Ekspozita përfshin disa prej dëshmive më të hershme të të mbijetuarvet të Holokaustit dhe zbulon përvojat e "gjeneratës së parë" të studiuesve të Holokaustit, që e kryen punën e tyre përballë përpjekjeve naziste për të zhdukur të gjithë hebrenjtë nga Evropa.
"Nën kushtet më të këqija dhe shpesh kundër indiferencës, denoncimit dhe dhunës, ata hodhën themelet e njohurive tona aktuale për Holokaustin", thonë hulumtuesit në një deklaratë. Ekspozita vjen në një kohë kur mohimi i holokaustit është në rritje në Britaninë e Madhe. Një sondazh i kryer muajin e kaluar nxori se më shumë se 2.6 milionë britanikë mendojnë se Holokausti është thjesht një mit.
Studimi gjeti se rreth 5 për qind e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar nuk besojnë se miliona hebrenj u vranë sistematikisht nga nazistët. Të mbijetuarit dhe aktivistët kundër racizmit thonë se kjo tregon një nivel "të tmerrshëm shqetësues" mohimi. Biblioteka “Wiener”, e cila u themelua në vitin 1933, është arkivi më i vjetër i Holokaustit në botë dhe koleksioni më i madh britanik për epokën naziste.
"Ka pasur paragjykime të drejtpërdrejta ose të qarta ndaj grave", thotë Barbara Warnock, kuratorja e ekspozitës, për “The Independent”. "Ka një tendencë për ta kuptuar historinë si të burrave dhe të shkruar nga burrat. Por ky mit po rrëzohet dhe këto tendenca janë shumë më sfiduese kur bëhemi më të ndërgjegjshëm”, thotë ajo.
"Ka ndodhur që individë shumë të rëndësishëm në hulumtimet e Holokaustit si Rachel Auerbach u lanë në hije nga njerëzit me të cilët po punonin, me mënyrën se si u kujtuan. Gratë ishin ato që më së shumti u fshinë nga kujtesa”, shprehet kuratorja e ekspozitës. Auerbach ka pasur akses në arkivin nëntokësor të Emanuel Ringelblum Oyneg Shabes - një organizatë sekrete që grumbulloi dëshmi dhe dokumentoi jetën e hebrejve brenda Getos së Varshavës. Më vonë raportimet e të mbijetuarve pëbënin një aspekt të rëndësishëm të dëshmive rreth Holokaustit.
Ajo drejtonte një kuzhinë në Geton e Varshavës në vitet ‘40 dhe ndihmoi organizatën Ringelblum për të mbledhuar dëshmitë. Në 1943, Auerbach ia doli të arratiset dhe i mbijetoi e fshehur pjesës tjetër të Luftës së Dytë Botërore. Pas luftës, ajo e vijoi punën e Arkivës Ringelblum në Komisionin Historik Hebraik me qendër në Poloni dhe bëri të mundur që pjesë të arkivit të rikuperoheshin me shpejtësi nga vendet ku ishin fshehur.
Ajo e kaloi pjesën tjetër të jetës duke punuar për të siguruar një vend për përvojat e mbijetesës së viktimave në historinë e Holokaustit – duke e parë angazhimin e saj si pasojë e natyrshme e mbijetesës vetjake dhe si përgjegjësi ndaj atyre që u vranë nga Partia Naziste. Një tjetër emër që nuk ka marrë vëmendjen e merituar është Ada Eber, e cila bëri hulumtime rreth Holokaustit së bashku me burrin e saj, Filip Friedman.
"Por mbi libra vihej emri i tij. Ajo nuk është kujtuar edhe pse ishte shumë e rëndësishme në punën e tij", thotë kuratorja.
Ata të dy punuan për gjyqet e Nurembergut në vitin 1946, por hulumtuesit zbuluan pak gjurmë të Eberit, në krahasim me trashëgiminë e lënë pas nga burri i saj. Biblioteka nuk ka fotografi të saj dhe të dhëna për datëlindjen e saj. Dr. Eva Reichmann, historiane dhe sociologe e shquar gjermane, e cili u largua nga Gjermania naziste në vitin 1939, është një tjetër emër me kontribut. Bashkëshorti i saj, juristi Hans Reichmann, u burgos në Sachsenhausen në vitin 1938 dhe ia jep meritën për lirimin gruas së tij.
Shumë gra, bashkëshortët ose anëtarët e familjes së meshkujve të burgosur, luftuan shumë për t'i liruar njerëzit dhe për të mbledhur dokumentet e nevojshme për të emigruar. Reichmann punoi për shërbimin në gjermanisht të BBC-së para se t’i bashkohej bibliotekës “Wiener” si drejtoreshë e kërkimeve, ku udhëhoqi një përpjekje ambicioze për të regjistruar dëshmitë e atyre që e kishin parë me sytë e tyre Holokaustin. Ajo dhe ekipi i saj u mblodhën rrëfimet e refugjatëve, të mbijetuarve dhe njerëzve të tjerë në Britani dhe jashtë saj për shtatë vite.
"Mohimi i Holokaustit e bën edhe më të domosdoshme njohjen e kontributit të tyre. Është ironike që njerëzit mohojnë një nga ngjarjet historike të dokumentuara më mirë", përfundon Warnock.
TemaTv
Add new comment