Opozita quhet armik i brendshëm

Postuar në 25 Shkurt, 2019 17:59

Qeveria e ka pozicionuar veten si lokomotivën që po çon vendin drejt Perëndimit duke shpallur praktikisht opozitën si armik të brendshëm.

Kryeministri ka akuzuar shpesh kundërshtarët politikë se kanë hedhur baltë mbi qeverinë në takimet jashtë vendit, ndonëse vetë po tregon me gisht opozitën lartë e poshtë.

Madje ministrat që kanë marrë porosi mos të përballen në studio televizive me kundërshtarët e ikur nga parlamenti, kanë nisur të flasin për një opozitë antikombëtare që kërcënon sigurinë e vendit. Ja se çfarë ka deklaruar ministrja Xhaçka në Shkup në konferencën me homologen e Maqedonisë së Veriut.  

Siç na tregoi edhe kalvari i vështirë që përjetoi Maqedonia e Veriut gjatë viteve të fundit, shpesh kërcënimet më të mëdha me të cilat na duhet të përballemi në punën tonë, nuk janë ato të jashtme, por ato që vijnë nga brenda. Sepse fatkeqësisht, siç ndodhi në Maqedoninë e Veriut, e siç po ndodh sot në Shqipëri, në vendet tona ka jo rrallë forca që për interesat e tyre të ngushta, që s’kanë asgjë të përbashkët me interesat e qytetarëve apo vendeve tona, janë gati të rrezikojnë edhe stabilitetin, edhe zhvillimin, edhe të ardhmen tonë evropiane. Rruga jonë drejt Europës, një rrugë që kalon përmes modernizimit të vendeve tona, e mbi të gjitha përmes vendosjes së sundimit të ligjit e drejtësisë, është e pandalshme dhe këto forca janë të destinuara të dështojnë. Ashtu siç ndodhi në Maqedoninë e Veriut e ashtu siç do të ndodhë edhe në Shqipëri.

Informacionet që jep nga Shkupi, ministrja shqiptare e Mbrojtjes flasin për plane destabilizimi dhe sabotimi të së ardhmes europiane. Një kërcënim i tillë nëse realisht ekziston meriton vëmendjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe mazhoranca fare kollaj mund të vërë në lëvizje Presidentin e Republikës. Në të kundërt çfarë po shpëton zonja Xhaçka dhe armata e saj politike?

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.