Vurkot e shekullit XXI
Shumëkush prej nesh e kanë lexuar komedinë “Pas vdekjes” të Çajupit. Në mos e kanë lexuar kanë parë vënien në skenë. Në këtë komedi është një personazh, një gazetar i gazetës “Rrufeja”, Vurkua – Zoti Vurko – që ndër të tjera ka si biçim zanati shkruajtjen e nekrologjive.
Është e njohur skena kur Doktor Adhamudhi – Adham-Uti- lexon nekrologjinë e deputetit Haxhi Aliu, që në fakt e kishte porositur vetë atë, sepse donte të dinte ç’do thoshte njerëzia për të pas vdekjes. Shërbëtori, Zeneli, pikas këtu një mundësi për të vënë në lojë dhe zhvatur ca mexhite nga delirantë dallkaukë si Adhamudhi dhe propozon që z. Vurko të bëjë një nekrologji për Doktorin. Vurko fut në nekrologji konsideratat e veta dhe konkludon se Adhamudhi ka vdekur nga dambllaja, një vdekje aspak heroike dhe jo në përputhje me madhështinë e vetësugjestionuar të tij.
Ky pasazh vlen si një lloj analogjie, alegorie për sjelljen e diplomatëve të huaj në Tiranë dhe mediave të pushtetit. Një ditë më parë ata dolën në radhë për të bërë nekrologjinë e protestës së opozitës se ajo është antidemokratike, dëmton vendin etj..
OSBE-ja madje deklaroi në cilësinë e vetëshpallur të një organi ligjzbatues se:
Kush ushtron dhunë do mbajë përgjegjësi
Mediat nga ana e tyre nuk ditën se çfarë të shpiknin, veçse të flisnin dhe parathonin se Sali Berisha donte një kufomë.
Vurkot dhe Zenelët janë pjesa më argëtuese e këtij realiteti që përgënjeshtron përditë nekrologjitë e atyre që janë në fakt adhamudhë të paepur të këtij vendi, që të shërojnë duke kërryer atë që duket si e sëmurë.
Protesta mbaroi me dorëzimin procedurial të mandateve parlamentare nga deputetët e opozitës. Nekrologjitë e një dite më parë nuk vlejnë më.
Ndaj, për hir të profesionalizmit, jo njëanshmërisë, Vurkot le të nisin e të shkruajnë nekrologjinë politike të qeverisë. Kështu qeveria e ekranizimit të reformave do të dijë se ç’do të thonë për të nesër dej. Sa për këta diplomatët që natë e ditë mendojnë për Ne, le të zënë vendet bosh në Parlament e të bëjnë atë punë që në fakt janë duke e bërë në shkelje të çdo norme. Le të kërrejnë problemin numër një, Opozitën, për të zgjidhur problemin numër dy, Integrimin.
Add new comment