Tallja publike, loja që nxjerr të fituar Trump*

Postuar në 21 Shkurt, 2019 15:22
Steve Almond - Los Angeles Times

Është gjerësisht i pranuar fakti se asnjë lider amerikan nuk ka bërë më shumë për komedianët e kombit sesa Donald Trump. Si biznesmen, ai ia ka dalë të ngrejë nga zero kompani të suksesshme. Por si president, ka nxitur një bum të vërtetë në industrinë e satirës. Ajo që njihet më pak – madje shpesh injorohet plotësisht – është mënyra me të cilën komedianët dhe komedia i kanë shërbyer Trumpit.

Dhe nuk e kam fjalën këtu për talentin e humoristëve tanë dhe kënaqësinë që ata ofrojnë. Mendimi im është që, drejtuesit e mëparshëm të Shtëpisë së Bardhë e vinin theksin te serioziteti, ky aktuali harliset në tallje.

Është e vështirë të imagjinosh ndonjë president tjetër, për shembull, duke u marrë me Tuiterin, siç bëri Trump gjatë valës së të ftohtit polar, kur pyeti: "Çfarë dreqin po i ndodh ngrohjes globale? Le të kthehet shpejt, se na duhet tani”. Me anë të kësaj ironie, presidenti e zvogëloi diskursin rreth ndryshimit të klimës nga një kërcënim shkencërisht i verifikuar, në një shaka të pamend.

Ai përdori të njëjtën ironi ndaj shefave të tij të inteligjencës, kur tha: "Ndoshta Inteligjenca duhet të kthehet në shkollë", pasi ata kundërshtuan para Kongresit disa pohime të tij të pabazua. Lajmet u përqëndruan më shumë te këto copëza talljeje të përllogaritura, sesa te realiteti i tmerrshëm i të pasurit një shef ekzekutiv që shpërndan keqinformim në vend që të mbështetet te ajo që i raportojnë agjencitë e ngarkuara për sigurimin e sigurisë kombëtare.

E gjithë ngjitja politike e Trump-it, nëse ekzaminohet nga afër, ka qenë një balet i ndërlikuar psikik, në të cilin ai instinktivisht lëviz mes dy poleve komike: duke qenë ai që bën shaka mizore apo subjekti i tyre.

Gjatë fushatës, Trump ia doli t’i konvertojë debatet e republikanëve në episode komedie. Këto shpërthime të papërpunuara projektuan një forcë thelbësore për joshjen e tij - se ai nuk mund të drejtohet nga norma politikisht korrekte. Për njerëzit e partisë së tij, këto lloj shakash apo gjestesh të tij – që nga imitimi i një reporteri me aftësi të kufizuara, vënia në lojë e femrave e deri te evokimi i kohës kur i lejohej të grushtonte protestuesit – provojnë autenticitetin e Trump-it. Pra, sipas tyre, ai thoshte hapur atë që audiencat guxonin vetëm ta mendonin.

Fuqia për të shkelur, për të shokuar dhe fyer, është thelbësore për impulsin komik. Është qëndrimi retorik që i lidh satirën e ashpër të Aristofanit me komedinë profane të Lenny Bruce. Gjestet dhe mimika e Trumpit në këto raste të sadizmit kanë shkuar në favor të një alibie të mbështetur nga ata që tallen në internet (online trollers): ai bën vetëm shaka. Çdokush që ofendohej ishte një “flok dëbore” pa sens humori. Nuk është rastësi që mënyra e preferuar i Trump-it për të hapur diskutime është Tuiteri, një media në të cilin lajmi i ditës menjëherë shndërrohet në një “provincë” të polarizuar sulmesh dhe kundërsulmesh.

Trump nuk merr ua merr “borxh” sjelljen komedianëve. Lidhja që ai ka krijuar me bazën e tij varet nga emocioni që qëndron në skajin më të errët të komedisë: poshtërimi. Pikëpamja e tij mbi botën del nga ideja se me Amerikën po qeshin, një frazë që ai e ka përdorur kur për herë të parë mori në konsideratë një ofertë presidenciale, në vitin 1987. Vendimi i tij për të kandiduar në vitin 2016 nuk erdhi nga angazhimi në shërbimin publik, por ishte një përballje personale: Vendimi i Presidentit Obama për ta kritikuar ashpër në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, në vitin 2011.

Tallja e Trump-it mund të kuptohet më mirë si një art marcial komik. Kritikat e tij vënë në shënjestër elitat (si Obama).

Në këtë sens, komedianët profesionistë që jetojnë me imitimin e Trump-it janë kthyer në aleatë të paçmuar dhe të paqëllimtë në këtë rreth të rekrutimit përçarës. Sa më shumë ta ngacmojnë Trump-in, aq më shumë ai është në gjendje ta portretizojë veten si një hero, sulmi verbal i të cilit është një përgjigje e domosdoshme për ata që janë të vendosur ta kthyer trumpizmin dhe pasuesit e tij në një shaka.

“Kjo veçse ma forcon bazën”, ka thënë Trump pak kohë më parë në lidhje me një debat që ka pasur me Stephen Colbert, i cili e ngacmon presidentin çdo natë në “The Late Show”. “Nuk bën gjë tjetër veçse më ndihmon, ai dhe njerëz si ai”.

Në fakt, Trump është një president, i cili i shijon dhe i shfrytëzon “përplasjet” e tij me komedianët. Ai nuk i sheh ato si degraduese të zyrës së presidencës, aq sa e transformon atë zyrë në ndihmë për industrinë e argëtimit, ku ajo që ka më shumë rëndësi është vlerësimi yt - aftësia për të marrë vëmendjen dhe jo ajo për të qeverisur.

Ironia më e madhe këtu është se misioni thelbësor i komedianëve në epokën e Trump-it është identik me atë të njeriut që ata vënë në lojë.

Të dy palët predikojnë se klasa politike dhe mediat janë në thelb të korruptuara. Të dy palët e përdorin këtë lloj humori për ta kthyer në të qeshura shqetësimin e qytetarëve për këtë mosfunksionim. Me fjalë të tjera, të dy palët e kthejnë politikën në showbiz.

Siç shkruante kritiku i kulturës, Neil Postman, tre dekada më parë në "Amusing Ourselves to Death", rreziku më i madh për Amerikën nuk është tirania e totalitarizmit, por një parandjenjë e vetëshpallur, një kulturë në të cilën mizoria maskohet si një formë tjetër argëtimi.

Gabimi këtu nuk qëndron te komedianët moralistë, por te ata prej nesh që i shohin ata si shpengues.

Në gjysmën e presidencës së tij, Trump ka riafirmuar një të vërtetë që shtrihet nga “Mbreti Lear” te Norman Lear: Një mbretëri që mbështetet te argëtuesit e oborrit për t'u përballur me sundimtarët e çmendur, është e destinuar të bjerë. Budallai nuk është një i shpenguar. Roli i tij është të qetësojë, me anë të të qeshurit, shqetësimin moral që nënkupton shpengimin.

Derisa ta kuptojmë këtë, ne do të vazhdojmë t'u përgjigjemi mizorive dhe mashtrimeve të kësaj administrate me një lloj reagimi kënaqësie. Në vend që të dalim në rrugë apo t’u kërkojmë llogari zyrtarëve tanë të zgjedhur, pa marrë parasysh partinë e tyre, ne mund të jemi të kënaqur të tërhiqemi dhe të qeshim me shakatë që na servir Colbert dhe "Saturday Night Live".

Por nuk ka asgjë për të qeshur kur është fjala për fëmijët e refugjatëve që janë ndarë nga prindërit e tyre dhe po vdesin nën kujdestarinë e shtetit amerikan. Ose një qeveri që refuzon të njohë pasojat shkatërruese të ndryshimeve klimatike. Ose një president që shkëmben trupën autoritare dhe keqinformimin që ushqen Kremlini, ndërsa ul taksat dhe ndryshon rregulloret për sponsorët e korporatës së tij.

Antidoti ndaj barbarizmit të administratës qëndron në largimin nga ngushëllimi i rremë i ngacmimit politik. Qytetarët duhet të jenë mjaftueshëm të guximshëm për t'u përballur me vështirësitë tona, jo për të qeshur me to.

Marrë nga: TemaTv

*Titulli i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.