Melodrama bajate e demokratit Gramoz Ruçi!
Kryetari i Kuvendit të Shqipërise, z. Gramoz Ruçi, tha sot se protesta e opozitës dhe dhuna e ushtruar në 16 shkurt dëmtuan rëndë imazhin e Shqipërisë. Pyetja është nga e di z. Ruçi këtë; cilat kancelari, zyra apo agjenci ia kanë raportuar, kush e ka konstatuar, ku është reflektuar ky perceptim?
Z. Ruçi vazhdon me këtë përgjithësim:
"Jemi të gjithë dëshmitarë të një momenti të acarimit politik që javët e fundit i ka kushtuar shumë vendit. Pamjet e dhunshme bënë xhiron e botës. Kush nuk na do të mirën si vend, fërkoi duart. Kush na ka mbështetur dhe na mbështet padyshim është ndjerë keq. Ndërsa kush ka bërë plane për të kaluar pushimet në verën që vijnë në Shqipëri janë stepur"
Çfarë ishte kaq dramatike në 16 shkurt që u gëzuan armiqtë dhe u vrerosën miqtë? Këto skena i kemi parë të ndodhin rëndom në Greqinë fqinje apo së fundmi edhe në Francë, por rendi demokratik nuk trajtohet në asnjë rast si çështje imazhi.
Cilin imazh pyesim? Shqipëria ka kohë që listohet në vendet me korrupsion sistemik në drejtësi dhe qeveri, kriminalitet të lartë, klientelizëm, informalitetet dhe mungesë ndëshkueshmërie. Përkundrazi, protestat e dhunshme në një vend me të tilla karatkteristika legjitimohen, aq më tepër që forcat e rendit nuk u sulmuan, por u asfiksuan nga gazi luftarak që përdorën vetë. Ja se çfarë deklaroi z. Ruçi, i njohur edhe si shoku Gramoz në mjediset e PS-së, teksa lajmëroi anullimin e seancës parlamentare të ditës së enjte:
"Një veprim i tillë dëmton rëndë tërë mjedisin tonë dhe raportet e të tjerëve në këtë mjedis. Ky është një lloj kamikazllëku".
Cilin mjedis? Demokracinë dhe paqen sociale që ka imponuar trafiku i interesave apo rehatinë e një elite që tek fytyra e saj sheh imazhin pozitiv të Shqipërisë? Opozita mund të ketë shumë defekte dhe ky është një problem më vete, por akti i djegies së mandateve është legjitim dhe një ushtrim demokratik që në çdo rast zgjidhet përmes votës.
Opozita, sado çalamane, e mori përsipër riskun, ndërsa z. Ruçi dhe qeveria fshihen pas fjalëve "stabilitet" dhe "ndërkombëtarë". Poshtëruese dhe kriminale mënyra sesi shumica nxjerr si mburojë ambasadorët për të legjitimuar vazhdimësinë e rehatisë së një pushteti të diskretituar, me argumentin e paqëndrueshëm se po dëmtohet imazhi i vendit.
Mbi të drejtën politike të opozitës nuk mund të komentojë asnjë Soreca apo kushdo burokrat që autosugjestionohet si lektor i demokracive në zhvillim, të cilët Partia Socialiste po na i servir për barometër të Rrugës sonë drejt Europës.
Add new comment