Qyqet e analizave për një protestë etike...
Ndërkohë që opozita parlamentare është duke diskutuar se çfarë do të bëjë me mandatet dhe me hapat e mëtejshëm, mediat e pushtetit, analistët sazexhinj, intelektualët qytetas, ndërqytetas dhe mandej edhe akademikët e bulevardit, po diskutojnë protestën e 16 shkurtit. Dhunën në të, sjelljen, pasojën etj..
Qenka dëmtuar imazhi i Shqipërisë, na këndojnë këto qyqe. Imazhi i Shqipërisë është në fakt rehatia e tyre, sëkëlldia se babai i korrupsionit nuk i ka mirë punët, se diçka mund të ndodhë.
Janë analiza unike këto të qyqeve të progresit shqiptar. Analiza që nuk merren me shkakun dhe pasojën, por me etikën e një guri që hidhet drejt institucionit, me heshtën e qytetarit të panjohur ilirik që u rimishërua më 16 shkurt. Me një etikë që është në fakt kamomili, narkoza madje, e një apeli që e ka çuar këtë vend përfund: e rregullojmë. Merrni ca bashki, pse duhet të zihemi?
Dhe nëse kjo ndodh, disa prej qyqeve të nginjura që kanë vënë gushë dhe bark, do të pushojnë. Të tjerët do të vazhdojnë këngën e zakonshme, që e kanë si diversion ndaj kutërbimit që lëshojnë vazhdimisht.
Add new comment