Kësaj radhe me gjasë do të jetë pazari Spiropali - Basha
Opozita ka deklaruar sot se protesta do të vijojë të enjten. Kështu Monika Kryemadhi, kështu Gazmend Bardhi, kështu edhe Lulzim Basha.
Deri një ditë më parë saj, të gjithë këta deklaronin se nuk po proteston opozita, por populli. Dhe se opozita I shkon nga pas. Ndaj mund të pyesim: ku e dinë këta se kur do protestojë populli sërish?
Nuk ka shumë filozofi në këtë mesele. Opozita e Lulit dhe e Monikës, e shpenzoi bosh edhe municionin e radhës. Nxorën ca njerëz në bulevard, thyen ca xhama dhe mbathën opingat e ikën në shtëpi. Konsumuan çdo pritmëri, përgënjeshtruan çdo premtim që bënë, anulluan çdo skenar. Apokalipsi i budallallëkut qenka paqësor në fakt. Ka vetëm fjalë dhe inat. Por edhe Pazar.
Sepse nëse Sali Berisha premtoi se Edi Rama ka kohë deri në darkë, Lulzim Basha e poshtëroi një orë më pas duke thënë, jo: Edi Rama ka kohë deri të enjten.
Është hall i madh shumë për Shqipërinë që duhet të ketë të bëjë me një kryeministër karagjoz, palaço, të paaftë dhe që bën sikur nuk shikon batërdinë e vjedhjeve që po bën qeveria e tij.
Por është thuajse fatale kur këtë peshë virtytesh të pashoqe e reflekton e ashtuquajtura opozitë e cila përgatit një skenar për të cilin nuk ka aktorët për ta vënë në jetë.
Lulzim Basha është duke bërë atë lojë që para disa ditësh ja përmendi z. Rama. Ai po kërkon një mënyrë sesi të kolaudojë pazarin për zgjedhjet. Fatkeqësisht për të gjithë. Z. Basha nuk ka më asnjë kredibilitet që të flasë për përmbysje, opozitarizëm etj.. Ai është dordoleci politik që nuk tremb më njeri, por që i duhet Edi Ramës ashtu si është. Ta kuptojmë drejt të gjithë: dje ministrja Spiropali foli si padashur, në rrjedhën e budallallëqeve të telekomanduara që thotë se mundet që PS-ja të ndajë pushtetin me PD-në dhe ca bashki mund t’i marrë kjo e fundit. Pra kot që votohet. Këta mund të mbyllin një Pazar dhe ja, u bë. Flitet se Elbasani dhe Durrësi janë në tavolinë për t’u falur. Udha e mbarë! Shpresojmë që z. Basha të arrijë të mbyllë me sukses marrëveshjen e kësaj pranver me znj. Spiropali, sikundër urojmë që edhe ne ta kemi gabim.
Ndoshta z. Basha dhe znj. Kryemadhi kanë ndonjë plan rezervë, diabolik dhe strategjik që mund të na përgënjeshtrojë për mirë të gjithëve. Inshallah! Por deri atëherë, do dëshmojmë të gjithë vetëm marrëveshjen Basha-Spiropali dhe presidentin që po nuhat se duhet të dalë në fushë si drejtues i opozitës. Fundja 2017 ishte kryekëput pasojë e matrapazllëqeve të Lulzim Bashës që në shumicën e rasteve nuk i reziston dot pazarit, jo sepse është emocional. E kundërta. Sepse është akull i ftohtë. Dhe sepse këtë impotencën që i lexohet kaq qartë e ka leverdi pasi e çon ofertën aty ku do.
Comments
Basha
Basha nuk eshte popullor dhe sulmohet mjaft nga shume drejtime, jo sepse nuk e drejtoi mire protesten apo se nuk ka vizion etj etj (edhe pse mund te jete ne nje fare mase e vertete kjo). Basha sulmohet sepse eshte vene ne pozicionin e kundershtarit te PS. Thelbi eshte tek fanatizmi i popullit tone ne lidhje me kompleksin e tij, nenshtrimin ndaj PS! Nga Shkodra deri ne Tirane edhe ka balance, jugu eshte qe prish cdo balance. Ne total behemi nje popull shume fanatik, per te cilin nuk kane rendesi gjerat apo faktet. Nuk na ben pershtypje asgje vetem "Zeusi" (partia Socialiste) yne te mos preket. Prandaj nisur nga ky mentalitet dominues, edhe Basha si pragmatik qe mund te jete , ndoshta ben mire te beje nje marreveshje me Spiropalin. Me siguri do ta rriste popullaritetin e PD, pas nje pazari me njerezit qe perfaqesojne "Zeusin" shqiptar.
Drejt Evropes shkojme vetem nese pergatisim nje brez te ri, pa "Zeus", ne mentalitetin e tij. Perndryshe gjithmone do kemi opozite "tradhetare", pakenaqesi ekstreme dhe impotence ne zgjidhjen e problemeve e halleve tona.
Mbi Bashen
Basha mori një Parti falas. Ta drejtojë ose të iki në t’sëmës. Nuk mundet që PD të rri peng e tij, pasi ndenji peng e Berishës për aq vite.
Që PD ka probleme përfaqësimi dihet. Që ka shumë probleme në ide dhe strategji, dhe kjo dihet.
Këtu po trajtohet problemi i lidershipit të opozitës. Kjo është përgjegjësi e tëra e Bashës dhe s’mund të kërkohet faji te loveaffair që shqiptarët kanë me PS-në, përtej arsyes sa dhe pse qendron kjo.
Kreu i PD
Uroj qe kjo qe shkruani te mos jete aktuale edhe pas 10 vitesh.
Sepse nqs fokusohemi shume tek Basha dhe jo tek Rama, atehere (ngaqe koha mund te kaloje dhe asgje mund te mos ndryshoje) pas disa vitesh protestat mund te kufizohen vetem kunder atyre qe nuk po munden ta levizin Bashen nga kreu i PD-se. Pra, sa me shume kohe qe kalon lideret e partive te medha fitojne imunitet, kurse antipatia jone si popull fokusohet tek gjerat perhere e me pak te rendesishme. Pikerisht kete do edhe partia ne pushtet. Prandaj vetem nderprerja e "love story" popull-parti mund te ndryshoje dicka efektivisht. Dhe kjo do te varet shume edhe tek fokusimi i mediave tek problematikat aktuale dhe te se ardhmes.
Ne lidhje me Ramen
Te ftoj te lexosh me shume ResPublica.al per shenime dhe opinione ku trajtohet Rama dhe qeverisja e tij.
Add new comment