Nuk është protestë malokësh siç po përpiqet ta paraqesë pushteti
E mbani mend sesi nisi rrugëtimin e pushtetit Rilindja? Për atë që e kanë harruar po e risjellim: me një marrëveshje në Shkodër mes Edi Ramës dhe Ilir Metës dhe me ndryshimin e ngjyrës së kuqe në vjolë.
Zoti Rama u kujdes ta shpjegonte këtë simbolikë: Shkodra si qyteti më afër perëndimit dhe në Veriun ku e majta ka ca hesape për të shlyer, kurse Vjola si bashkim i të kuqes me blunë.
Kanë kaluar ca vite dhe kësaj simbolike nuk i ka mbetur gjë. Shkodra është harruar edhe për inat të Voltana Ademit, LSI-ja është mallkuar si nëna e korrupsionit, kurse vjola po rrëshket drejt të kuqes, teksa kryeministri njofton se për protestën e 16 shkurtit do të jetë në Vlorë, për të organizuar një kundërmiting në sheshin e “Flamurit”. Nën moton “Bashkia që duam”, Edi Rama do të diskutojë në një shesh ku zakonisht organizohen mitingje.
Paralelisht me këto lëvizje, diplomatët në Tiranë janë angazhuar në atë që mund të quhet në diplomaci e parandalimit të protestës dhe produkteve politike të saj duke kapur dhunën si eufemizëm për të fshehur merakun e vërtetë.
Më tej akoma, mediat pranë z. Rama kanë publikuar disa mesazhe mes anëtarëve të një të ashtuquajturi Grupi i Zjarrit të PD-së, të gjitha në një gegërishte gjysmëanalfabetësh që asociohen me ata që në zhargon njihen si malokë. Kësaj stigme i është shtuar pisi i Bashkisë së Tiranës me akuzat e veta për neandertalë dhe shpellarë duke mos e ditur se për neandertalin ps.h shkenca nuk mban më atë qëndrim që ka mbajtur dhe se vetë ai ka 2% të adn-së nga neandertali.
Po bëhet pra gjithçka që portesta të diskreditohet pa nisur mirë. Por përmbi të gjitha bie në sy mënyra sesi z. Rama lë përgjegjësitë e veta duke iu shmangur çdo detyre dhe prezence. Nuk është hera e parë. Z. Rama nuk kandidoi për kryeministër në zgjedhjet e vitit 2009 duke qëndruar si kryetar bashkie në Tiranë sepse nuk kishte sigurinë e fitores.
“Edi bëhu burrë”, thoshte asokohe Sali Berisha.
Në fakt Edi bëri llogari; qëndroi në karrige sepse duhet të mbante PS-në nën udutin e parasë.
Zoti Rama u nis për në Fier ku diskutohej një mandat, por një telefonatë ambasadash e ktheu që në Durrës nga rruga.
Nëse ecim më tej, z. Rama priti që videoja Meta-Prifti të publikohej nga një televizion kombëtar që të dilte mandej si autori i së vërtetave që sapo ishin konfirmuar, por gjithësesi duke qëndruar larg çdo përgjegjësie formale penale.
Zoti Rama as nuk u duk në protestën e 21 janarit, duke deklaruar një ditë më parë se aty ishte populli që kishte marrë fatin në dorë.
Zoti Rama u kap si fija e barit pas dëshmisë së penalitetit kur i duhej të mbrohej për njerëzit e inkriminuar që kishte futur në Parlament dhe në vendimmarrje duke i lëshuar të gjithë njëri pas tjetrit me alibinë se kishte shumë presion nga amerikanët.
Dëgjojeni dëshminë e z. Rama kur u hap çështja Doshi-Meta dhe kujtoni edhe se z. Rama nuk ndodhej në Shqipëri kur u ndalua Emiljano Shullazi.
Të shtunën ai nuk do të jetë në Tiranë.
Të jenë këto të gjitha hollësi pa rëndësi, ndoshta rastësi? Mbase, por një fakt nuk kalon dot: si kryeministër dhe ministër i Jashtëm, z. Rama është anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Dhe në kushte kur disa seli diplomatike apo edhe përfaqësues institucionesh kanë paralajmëruar dhunë, ai duhet të jetë në Tiranë. Sepse Presidenti mund të ketë urgjencën për të thirrur Këshillin e Sigurisë, i cili mesa dimë ende nuk ka hapur faqen në Facebook apo në twiter. Janë përgjegjësi që zotëria I zgjodhi qëkur iu fut politikës të cilën nuk ka sesi ta luajë përherë duke dredhuar dhe duke u fshehur pas vlonjatëve si kësaj radhe.
Add new comment