Ndahet nga jeta akademiku Idriz Ajeti

Postuar në 13 Shkurt, 2019 12:41

Ka ndërruar sot jetë akademiku kosovar, Idriz Ajeti. Albanolog, gjuhëtar dhe pedagog, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i saj në dy mandate, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Idriz Ajeti ka lënë gjurmët e veta të qarta në shkencën dhe mendimin shqiptar.

Lindi në Tupallë të Jabllanicës së Epërme, me 27 janar 1917. Shkollën fillore e kreu në Banjë të Sijarinës, të mesmen në Shkup, më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit, në Degën e Romanistikës. Studimet i mbaroi pas lufte, më 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Deri në vitin 1953 ishte profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës. Në vitet 1953-1960 punoi lektor në Degën e Albanologjisë në Beograd. Në vitin 1958 u doktorua me temën: “Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë”.

Nga viti 1960 ka dhënë mësim në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filozofisë të Prishtinës, një herë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar.  

Veprimtaria e tij shkencore është e gjerë dhe e gjithanshme. Ka botuar: Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX, (1960), Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra (1961), Hymje në historinë e gjuhës shqipe (1963), Ortografia e gjuhës shqipe (bashkautor) (1964), Historia e gjuhës shqipe (Morfologjia historike), (1969), Probleme të historisë së gjuhës shqipe, (1971), (zgjodhi e mbarështroi), Studije iz istorije albanskog jezika (1982), Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, (1982), II (1985), III, IV (1989), Shqiptarët dhe gjuha e tyre (1994). Në Prishtinë, Tiranë e gjetiu janë botuar vëllime me studime të zgjedhura të tij. Ka hartuar tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme e studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe.

Ajeti i përkiste atij që mund të quhet brezi i artë i albanologjisë shqiptare.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.