Faji kolektiv, përgjegjësia individuale

Postuar në 04 Shkurt, 2019 21:44
Bard Camaj

Ai që nuk ka mëkate le të gjuajë gurin e parë”- thoshte Krishti, në një përpjekje devocioni e përuljeje për t’u hequr moralistëve fondamentalistë e hipokritëve armën nga dora. Një thënie e tillë, në realitetin shqiptar, interpretohet si një licensë për të relativizuar dështimin e individit: dy shkrime, një nga Profesor Fuga, dhe një tjetër nga Lorenc Vangjeli, ecin paralel në këtë linjë “krishtërore” arsyetimi, duke u përpjekur të shpjegojnë, e ndoshta t’i atribuojnë një shoqërie të korruptuar fund e krye, përgjegjësinë për çalltisjen delirante të një individi, që para pak ditësh u shfaq në dy televizionet më të mëdha në vend, duke u mburrur me çmime ndërkombëtare të paqena, në ekspozita pikture që nuk ekzistonin, me piktura të vjedhura nga një artist tjetër.

Një mashtrim i tillë banal në fakt duhej të kalonte në indiferencë e harresë, nëse nuk do të përbënte në vetvete një simptomë të një patologjie që prej kohësh ka mbërthyer diskursin publik. Rrena, mashtrimi, hipokrizia, manipulimi, kamuflimi, vjedhja dhe abuzimi, duke qenë kaq të pranishme e të kudondodhura në çdo aspekt të jetës sonë, priren drejt normalizimit. Dështimi jonë si shoqëri për të ecur në shinat e arsyes, në vend që të nxisë një farë reagimi e marrje përgjegjësie, konvertohet në një indulgjencë për të ecur kuturu, pa drejtim e pa destinacion.

Ngelet për t’u spjeguar në ç’rrethana kemi arritur në atë pikë që, përgjërimit të profetëve e mistikëve për t’u treguar të përmbajtur kur gjykojmë të tjerët, të përkthehet në një relativizëm nihilist të tillë që kuturis të demonstrojë fajin kolektiv për dështimet individuale.

Thirrja për të mos asgjësuar tjetrin nuk është ftesë për të mbyllur sytë para poshtërsisë. Për më tepër, dështimi kolektiv nuk përbën licensë papërgjegjshmërie individuale. Një shoqëri që i vërsulet një individi për keqbërjet e tij, më shumë se një shoqëri hipokrite, është një organizëm me dhimbjet e lindjes të një vetëdijeje të re që pa rregulla loje e pa një kontratë të pashkelshme sociale nuk mund të ecet përpara. Në zgrip të mbijetesës, teprimet morale, mund të shihen në një dritë rrethanash lehtësuese, nëse arrijmë të konstatojmë që hapësira publike është  dhunuar sistematikisht nga mitomanë, delirantë, ekzibicionistë patologjikë dhe sharlatanë që gabimisht shihen si pjella natyrore të deformuara të një shoqërie të gjunjëzuar. Unë nuk mendoj që ka dicka më të huaj për një shoqëri, një karikaturë kaq të pamerituar, sado imorale të jetë ajo, se sa një pseudoartist që gënjen veten e të tjerët që mund të lërë gjurmë në histori nepërmjet një mashtrimi kaq banal. Sado e korruptuar dhe dekadente, çdo shoqëri meriton më shumë se kaq. 

Comments

Submitted by g.o.n.e. (not verified) on

Shkruan B. Camaj: "Sado e korruptuar dhe dekadente, çdo shoqëri meriton më shumë se kaq."

Jo, nuk meriton me shume se kaq, sepse shoqeria shqiptare eshte me shume se vetem "e korruptuar dhe dekadente"; shoqeria e sotme shqiptare eshte e debilosur!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.