Presidenti: Do dal me qëndrim për çështjen e Unazës së Re
Duket se situata e krijuar me projektin e Unazës së Re në Tiranë është komplikuar nga pikëpamja politike. Sot zyra e Presidentit të Republikës ka njoftuar se kreu i shtetit, Ilir Meta ka pritur në një takim disa banorë, shtëpitë e të cilëve preken nga projekti. Njoftimi është i shkurtër në përmbajtje, por në fund ai njofton se:
Presidenti Meta theksoi se e ka ndjekur me shumë shqetësim dhe vëmendje maksimale situatën, si dhe ka kërkuar prej kohësh me insistim informacion zyrtar shterues nga të gjitha instancat shtetërore përgjegjëse për këtë çështje. Presidenti Meta u garantoi banorëve të “Unazës së Re” se së shpejti do të mbajë një qëndrim të qartë zyrtar, për të gjetur një zgjidhje të shpejtë në përputhje me kornizën kushtetuese e ligjore, si dhe në interesin më të mirë publik e qytetar
Ndoshta është hera e parë që Presidenti do të dalë me qëndrim për një nismë që është tagër i qeverisë. Kushtetuta thotë se shteti ka objektiva social dhe siguron që ato të respektohen dhe këtu ndoshta Meta ka gjetur hapësirën e veprimit që lidhet me një axhendë mirëfilli politike në kushtet kur për këtë projekt ka një hetim penal.
Nga ana tjetër fakti se Meta ka kërkuar informacion shterues, mund të jetë një ndër arsyet pse në garën e fundit, ARRSH-ja vendosi të mos shpallë asnjë fitues.
Add new comment