Nga e majta në të djathtë: Ministri për Opozitën, IM, kryetar i Opozitës, Kryeministri
E vërteta është se IM është drejtuesi më serioz i opozitës.Kushtetutën e lexon njësoj si ata.Qeverinë e urren njësoj si ata.Rrëmujën e uron njësoj si ata.Po ndryshe nga ata, ai i ul vartësit të mbushin çarçafë me dokrra "ligjore" dhe budallallëkut i del zot gjithnjë shkresërish
Kryeministri e zografisi sot një status tjetër kundër Presidentit të Republikës të cilit i drejtohet me iniciale, IM. Ndoshta edhe për faktin se tuiteri është kurnac për karakteret brenda një statusi, por ndoshta zoti Rama ka nisur një strategji të re komunikimi në raport me kreun e shtetit që e votoi vetë. Madje e detyroi të bëhej president.
Xudhitë që po dalin përjavë nga zyra e kreut të shtetit ja kanë hequr vidhat z. Rama që dikur u betua se ai nuk do të komentonte ndonjëherë në publik Presidentin e vendit. Dhe ne të gjithë, nga Beogradi në Tiranë, Shkup dhe Athinë madje, e ca më tutje oksidentit, e dimë që kur z. Rama jep fjalën, ai si thotë një fjalë e moçme, ther edhe djalën.
Ja që IM ja paska prishur keq nervat saqë sot Presidenti shihet dhe cilësohet si kryetar opozite. Me gjasë me synimin që t’ia minojnë kredencialet si përfaqësues i diçkaje më shumë sesa opozitës. Në fakt strategjia e z. Rama është e destinuar të dështojë dhe të energjetizojë figurën e Metës. Kjo për shkak se paligjshmëria, apo perceptimi për paligjshmërinë e qeverisjes së tij është I tillë saqë çdo kundërshtim i arsyetuar nga Presidenti merr formën e një kauze që ka zëdhënie institucionale. Zotit Rama ndoshta i duhet një dialog me Shqipërinë, por jo nga ata dialogët e tij të zakonshëm monologues. NJë dialog ku ai të hapë mirë veshët, të dëgjojë e të mbajë shënim. E pastaj, të bëjë një xhiro me taksixhiun e natës për të dalë me vendime të mençura dhe të ftohta.
Kjo e zotit Rama nuk është as diversion ndaj Lulzim Bashës që mban detyrën e kryetarit të PD-së. Pak ditë më parë kryeministri deklaroi në Parlament se ai komunikon vazhdimisht me z. Basha, por duke lënë të kuptohet se ky komunikim është vazhdim i atij pazarit të majit 2017. Zbulimi i këtij fakti të njohur publikisht tradhëton hallet e mëdha të kryeministrit që nuk di ku të përplasë kokën, nuk di kujt t’i lëshojë e kujt t’i tërheqë për shkakun e thjeshtë sepse gropa e madhe e llucës që krijoi vetë po e thith pandalshëm poshtë. Në ikjen e tij z. Rama po na bën të gjithëve një nder: ai po na bën me dije se në qeverinë e tij ka patur përherë një ministër të padekretuar, që ka qenë më i paguari nga të gjithë. Ky është Lulzim Basha, ministri për Opozitën, ndërkohë që sot, ky as këtë rol nuk po e bën mirë përderisa IM-ja po na shfaqet si kodoshi opozitar dhe po prish terezinë qeverisë.
Të gjithë e kemi ditur këtë gjë. Ndryshe nuk shpjegohej disfunksioni permanent i opozitës. Ndonëse si ministër për Opozitën, z. Basha ka shkëlqyer. Më shumë dëme se kaq vështirë se do bënte tjetërkush.
Add new comment