Dueti i drogës dhe mushkonjave që duhet t'i kërkojë falje Shqipërisë

Postuar në 01 Shkurt, 2019 04:12

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, ka dhënë dje një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ndër të tjera, ambasadori është pyetur edhe për dukurinë e kanabizimit e cila identifikoi mandatin e parë të Rilindjes së Edi Ramës, kur në detyrën e ministrit të Brendshëm ishte Saimir Tahiri. Tha ndër të tjera, z. Cutillo:

Nuk mund të flas për vitet e mëparshme. Unë ndodhem në Shqipëri prej tre vjetësh dhe gjatë kësaj kohe kam parë se Guardia di Finanza çdo vit realizon këtë mbikëqyrjen e terrenit nga ajri dhe pastaj bën publik rezultatin. Rezultati është një element i rëndësishëm. Në vitet 2015-2016 pati le të themi një lulëzim masiv të kanabisit, me sa mbaj mend asnjë nuk e mohonte. Edhe të dhënat e Guradia di Finanza e tregojnë këtë. Në vitin 2016 kanë gjetur 700 mijë rrënjë kanabis, në 2017, 7 mijë dhe 2018, 700. Këto janë shifrat sipas të dhënave, por mund të ketë edhe të dhëna të tjera që duhen parë, është e kuptueshme. Ama këto të dhëna që kemi, nuk mund të fshihen

Sipas kësaj që thotë ambasadori Cutillo, sasia e kanabisit të kapur ka rënë me 10 herë nga njëri vit në tjetrin. Kujtojmë se në mesin e viti 2017, Saimir Tahiri do të largohej nga detyra e ministrit, çka përkon pikërisht me kulmin e sezonit të kanabizimit të Shqipërisë. Zoti Cutillo thotë se askush nuk e ka mohuar këtë dukuri, por ai është i pavërtetë, ose i painformuar. Ish-ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin nuk e përmendi kurrë një gjë të tillë, madje i shmangej çdo deklarimi për këtë çështje, ndërkohë që edhe i kudondodhuri, ish-ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, mbajti të njëjtin qëndrim. Zoti Rama në cilësinë e kryeministrit mohonte çdo shkrim në media, çdo akuzë, duke e lidhur fenomenin me trashëgiminë e qeverisjes Berisha.

Kush mban përgjegjësi për këtë lulëzim? A nuk ka qeveria pjesën e saj jo vetëm për lulëzimin e drogës, por sidomos për mohimin e trafikut? 

Zoti Rama madje, së fundmi apelon shpesh që media t’i kërkojë falje ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për shkak të implikimit në çështjen “Habilaj” kur sipas tij prokuroria e Katanias ka rrëzuar implikimin në trafikun e drogës. Mirëpo pohimet e zotit Cutillo na thonë se droga ka lulëzuar në Shqipëri, aty ku ka qenë ministër zoti Tahiri dhe ku është kryeministër Edi Rama. Ndaj përgjegjësia fillestare patjetër që lidhet me këtë vend ku e vërteta mohohet në mes të ditës me diell. Ndoshta është zoti Rama me zotin Tahiri që duhet t’i kërkojnë falje shqiptarëve për atë që i bënë. Është minimale një kërkesë e tillë për duetin e drogës në Shqipëri, sepse i ngjan kaq shumë atij vettingut të sistemit të drejtësisë, që e shumta të heq nga puna, por nuk t’i prek paratë. Do të ishte një gjest që do ta shpëtonte Shqipërinë nga shumë andralla, edhe pse shpresat që të ndodhë janë të paqena.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.