Paralelet Bruksel-Tiranë

Postuar në 30 Janar, 2019 13:39
Mario Kokonozi

Jeta parlamentare e Brukselit e parë nga optika ime gjatë qendrimit tim në parlamentin europian dhe paralelet e hequra me parlamentarizmin shqiptar. Për vite të tëra të pluralizmit në Shqipëri, mendimi, këshillat dhe sygjerimet e Bashkimit Europian kanë qënë dhe mbeten baza nga e cila ne jemi përpjekur të ndërtojmë shtetin tonë. Politika shqiptare është munduar gjithnjë të shfaqi veten e saj më të mirë në arenën europiane, qëllim që pak herë ja ka dal ta arrijë. Nga ana tjetër Bashkimi Europian ka treguar gatishmëri për të ndihmuar vendin tonë në sfidat e veta.

Në terma të përgjithshme, vendet e Bashkimit Europian e njohin Shqipërinë thjesht si një nga vendet e Ballkanit. Thënë kjo, ndryshe nga mendimi shqiptar i perceptimit europian që nënvizon që vendi ynë ka një rëndësi të veçantë. Përsa kohë që ne etiketohemi si ‘ballkan’, bien poshtë shumë nga pretendimet e politkës sonë në Tiranë, ku deklarohet veçantia e vendit tonë në arenën e madhe.

Njihen vetëm disa data të rëndësishme si histori europiane ku mund të futen, Samiti i Selanikut, marrëveshja e Stabilizim Asocimit, aderimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit të vendit kanditat. Edhe këto si rrjedhojë e një procesi të vazhdueshëm natyral i politikave zgjeruese të vetë BE-së. Andaj dhe miti i krijuar i vëmendjes së madhe ndaj nesh dhe ndaj ballkanit nuk duhet të na kufizojë që ta shohim nga një tjetër perspektivë rrugëtimin tonë europian.

Paralelja e parë që dua të sjell në vëmendje është administrata. Të gjitha institucionet e Bashkimit Europian janë të depolitizuara, kjo është e ditur botërisht. Por paralelja hiqet për të ndarë vijën se ku mbaron administrata dhe ku fillon politika. Sigurisht që në parlamentin europian ka politkë dhe madje shumë. Por kolona ndarëse është krejt ndryshe nga ajo e parlamentit shqiptar. Jeta politke në parlamentin tonë fillon që në postet më të ulta administrative në parlament e sigurisht si në çdo vend shkon deri tek organet vendimmarrese.

Kjo sigurisht që është një simptomë e vjetër e politikës sonë. Nga njëra anë, emërimet politke në administratë në një vend të vogël si Shqipëria janë i vetmi shpërblim që politka i jep elektoratit. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në organika shumë të mëdha si Parlamenti Europian ku ka vend për të gjithë. Pra linja politke punëson dhe e mban elektoratin të kënaqur, pa prekur pjesën administrative të parlamentit, funksion i cili nuk mund të zbatohet në vendin tonë.

Një koncept tjetër që bie në sy sapo hyn në çfarë do lloj mbledhje, konferencë apo dialog në dyert e parlamentit europian në Bruksel është qetësia dhe niveli i ulët i debateve të cilat të bëjnë të mendosh se çdo gjë shkon mirë dhe të gjithë janë të lumtur. Këtu dalim tek paralelja e dytë, një ligj i pashkruar, ‘sherri’ bëhet gjithmonë në shtëpi. Andaj dhe në parlamentin e përbashkët të europës nuk ka asnjëherë debate të forta midis zyrëtarve të cilët vijnë nga i njejti shtet. Koncept i cili, politika shqiptare nuk ka arritur ta kuptojë dhe ta zbatojë në vizitat e saj në Bruksel. Të gjitha vizitat përbëhen nga mazhoranca dhe opozita, të cilat nuk mundet të qëndrojnë pa prekur dhe diskutuar me zë të lartë përball zyrtarëve të BE-së, konfliktet, mospëlqimet, luftën politkë të Tiranës. Konflikte midis mazhorancës dhe opozitës ekzistojnë në çdo vend të Bashkimit Europian por eksperienca dhe diplomacia e tyre nuk i lejon të ‘zihen’ në dyert e Brukselit.

Një paralele tjetër që mund të diskutohet është dhe shpejtësia dhe aksesi që lejon makineria online e parlamentit europian. Kjo mund të duket si diçka e thjesht dhe jo e rëndësishme, por aksesi në informacion është një element tejet thelbësor për të krijuar një paraqitje dinjitoze. Faqja online e parlamentit shqiptar lë shumë për të dëshiruar, duke filluar nga shpejtësia e operimit deri tek sasia e informacionit që ofrohet. Një faqe online, pra një instrument që ndihmon cilin do qytetar dhe vet administartën është një instrument i thjesht i cili shumë mirë mund të funksionoj në mënyrë perfekte vetëm me pak përkushtim dhe mirëmbajtje.

Paralelja e radhës lidhet me komisionet parlamentare, tregues i punimeve të kuvendit dhe tregues cilësor i deputetëve. Sigurisht që numri i komisioneve dhe deputetëve në parlament europian është disa herë më i madh dhe struktura funksionon disi më ndryshe por baza mbetet e njejtë edhe pse numri i eurodeputetëve arrin shtatë-fishin e kuvendit shqiptar. Në komisionet parlamentare në Tiranë ndodh një fenomen, mos-mbledhja e ‘korum’.

Ndodh shpesh që në komisione jo shumë të rëndësishme mos të ketë mjaftueshëm deputetë për të votuar. Kjo sjell vonesë të konsiderueshme në punën e komisioneve. Në këto raste priten të vijnë deputetët nga komisionet paralele për të bërë votat që nevojiten për të votuar. Kjo ndodh sepse një numër i vogël deputetësh janë pjesë e disa komisioneve në të njëtën kohë, ndërkohë që deputetë të tjerë nuk janë fare pjesë e asnjë komisioni. Ndarja e pabarabartë sjell vonesa, mosdakordësi dhe shpesh debate me opozitën për pritjen që shkaktohet për të rritur numrin e deputetëve në komision.

Për sa i përket mendësisë dhe mendimit europian lidhur me antarsimin tonë në Bashkimin Europian. Përtej reformave dhe mbylljes së kapitujve janë disa kritere të pashkruara të cilat një vend duhet të plotësoj që të bëhet pjesë e familjes së BE-së. Pikë së pari duhet patur një ‘vëlla’ i madh. Pra një shtet i fuqishëm dhe i madh i cili është mbështetës i padiskutueshëm i gjithë iniciativës së hyrjes në BE. Vendi ynë ka një aleat të madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ata nuk shohin ndonjë interes të madh me hyrjen tonë në BE. Ata e treguan dëshirën e tyre, e cila ishte antarsimi ynë në NATO. Pra hyrja e një vendi të vogël dhe me një ushtri tejet modeste ishte vullnet i pastër i një shteti të fuqishëm si SHBA. Andaj dhe për tu antarsuar në BE duhet një aleat i fortë i cili ta ketë në axhendën e tij futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, për të forcuar qoftë pozitat e tij apo edhe për arsye gjeopolitike. Aleat i cili vendit tonë i mungon.

Një rast i tillë i ka ndodhur Rumanisë. Franca ka qenë avokati i saj më i madh dhe mbrojtësi i saj më i fortë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Rrugëtim i cili u finalizua me futjen e Rumanisë në BE. Pra të patur një ‘vëlla’ të madh është një domosdoshmëri e madhe për t'u bërë pjesë e strukturave të familjes europiane.

Në mbyllje dua të shtoj që BE kërkon të shoh vullnet dhe motivim nga pala shqiptare kundrejt anëtarësimit. Ngërçet politke, bllokimi i reformave, ngadalësimi i proceseve, abstenimet, hedhja e fajit, akuzat dhe shumë vegla të tjera, janë shumë të qarta në sytë e të gjithë ndërkombëtarëve. Ato janë treguesit e vërtetë e dëshirës për të ecuar përpara dhe matës i pulsit të politikës në Tiranë. Për sa kohë që klasa politike shqiptare nuk tregon seriozitet dhe kërkon rrugë alternative për të ngadalsuar procesin e anëtarësimit, sjell një barrë të rëndë, e cila bie mbi popullin e thjeshtë dhe njerëzit e zakonshëm.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Bravo Mario!
Suksese te metejshme!

Submitted by Anonymous (not verified) on

Urime ketij djali me mendime europiane dhe i pandikuar politikisht

Submitted by Anila (not verified) on

Urime dhe suksese Mario

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.