Nga Kozma Jano te Bujar Sheshi. A mund të besohet më Autoriteti i Dosjeve?

Postuar në 28 Janar, 2019 18:47

Rasti i tanishëm i Bujar Sheshit që ka fituar garën për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por po rezulton me njollë në biografi, nuk është i pari në kuadër të procesit të verifikimit të figurave që krijon dyshime mbi seriozitetin e institucioneve shqiptare.

Fiks një vit më parë, në janar të vitit 2018, në garën për KLP u verifikua një tjetër penetrim i paidentifikuar nga institucioni i Autoritetit të për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Kozma Jano, që vinte në garë nga Avokatia, u denoncua nga Partia Demkratike si një njeri që kishte patur lidhje bashkëpunimi me shërbimin sekret të kohës së Enver Hoxhës dhe për këtë shkak më vonë ai u përjashtua nga gara. Edhe atë kohë, Jano doli me një deklaratë për të thënë se akuzat nuk ishin të vërteta, por megjithatë ai u dogj. Një vit më parë, drejtoresha e Autoritetit, Gentiana Sula do të ankohej se dëshmia për Janon u lëshua në bazë të dokumentacionit që disponohej dhe se provat e PD-së nuk gjendeeshin në arkivën e tij. Më vonë, zonja Sula, në një intervistë për TemaTv, do të ankohej për gjendjen e keqe të arkivës, dëmtimin e saj, shpërndarjen në disa mjedise dhe për mungesë punonjësish.

Sot kemi Bujar Sheshin, i cili në dhjetor të vitit 2018 është votuar si anëtar i KLP-së pasi ka kaluar vettingun. Dokumenti për verifikimin e raporteve të tij me Sigurimin e Shtetit është depozituar në datën 26 tetor 2018 dhe është protokolluar nga Autoriteti më 31 tetor. Autoriteti thotë në njoftimin e sotshëm se i ka dhënë përparësi shqyrtimit të kërkesës së ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme e cila shoqëronte shkresën me vetëdeklarimin e z. Sheshi.  Duhet thënë se të dyja institucionet, pra Prokuroria dhe Autoriteti, kanë theksuar se sqarimi i pozitës së kandidatit që garon për në KLP me Sigurimin e Shtetit nuk lidhet me afate ligjore, ndaj në këtë kuptim, si njëri institucion, ashtu edhe tjetri, e kanë përdorur këtë argument për të mbrojtur veten.

Prokuroria për të justifikuar zgjedhjen e Sheshit si pjesë e KLP-së duke i dhënë fund një bllokimi që erdhi për shkak të mosaplikimeve. Autoriteti për të thënë se nuk ka detyrime për përgjigje në ndonjë afat të caktuar. Por megjithëkëtë, sot, Prokuroria e drejtuar nga Arta Marku ka çmuar se duhet të konsiderojë shkeljet e mundshme penale si nga prokurori Sheshi, për vetëdeklarimin e tij, ashtu edhe nga Autoriteti i Dosjeve që ka marrë 3 muaj kohë për t’u përgjigjur. Zonja Sula edhe kësaj radhe nxjerr alibinë e arkivës dhe mungesës së punonjësve, të hetimit të thelluar etj.. Por në ndryshim nga rasti i Kozma Janos, kësaj radhe vonesa e saj, pavarësisht vigjilencës, kanë njollosur një proces që ka marrë shumë energji. Nuk është e qartë nëse këto dy institucione komunikojnë me njëri-tjetrin apo jo, por është fakt se organi i akuzës ka menduar të mos pranojë këtë goditje duke kaluar në hetim të procesit të punës së autoritetit për vonesë.

Mbetet po ashtu shumë i paqartë roli i Autoritetit përderisa një prej anëtarëve të tij, Marenglen Kasmi, ka votuar kundër vendimit që Sheshi të cilësohet si person me lidhje me Sigurimin, pasi gjeneralitetet e përcjella për të nuk përputhen dhe nuk ka asnjë të dhënë për aktivitetin si bashkëpunëtor.

Dikush pra ka eliminuar prokurorin në fjalë që sot gjatë mbledhjes së KLP-së, la të kuptohet se po goditet në shenjë hakmarrjeje për detyrën e tij. Këtu është e qartë se kush synon bllokimin e krijimit të SPAK, por e pakuptueshme është se çfarë roli ka zonja Sula dhe Autoriteti në një marrëdhënie që po ndikon për keq dhe po i heq çdo seriozitet hallkave certifikuese të këtij procesi.

Comments

Submitted by demos (not verified) on

A ka njeri te argumentoje se cfare te mire u sjell qyetetarve ekszistenca e nje autoriteti te "Dosjeve" - 24 vjet mbas pilafit? Paguhen rroga kot per dokumenta pa asnje vlere qe ne fund perdoren nga politika kunder kundershtarve. Ky duhet shkrire si autoritet jo me te kerkoje vende pune shtese.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.