Politika e Haradinajt ekspozon mashtrimet e Thaçit për forcën e Serbisë
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, duket se ka mbetur vetëm në përballjen e tij me kërkesën absurde që i është vënë në tavolinë qeverisë së tij për heqjen në mënyrë të pakushtëzuar të tarifave ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.
Në një deklaratë të sotme, ambasada amerikane në Prishtinë ka dalë hapur me një ton arrogant kur ka kujtuar se mbajtja e tarifave bie ndesh me interesat e SHBA-së dhe se nëse ato nuk hiqen do të ketë pasoja në marrëdhëniet dypalëshe. Duhet kujtuar se pozicioni amerikan është qesharak në thelbin e vet sa kohë që administrata e tanishme në SHBA është kampione e vendosjes së tarifave për çdo vend që e ka rival tregëtar.
Zoti Haradinaj ka bërë të qartë se mendimi i tij është: heqje tarifash nëse sigurohet njohja e Kosovës nga Serbia.
SHBA po kërkon të lehtësojë pozitën e qeverisë serbe në këtë qasje. Duke detyruar ushtarin e vet të lëshojë pe, ajo i mundëson Vuçiçit një “fitore” të cilën mandej ta përdorë për të vijuar negociatat me Hashim Thaçin.
Zoti Haradinaj është vetëm jo pse kundër SHBA-së ai ka dalë vetëm, por sepse pro ndarjes së Kosovës është presidenti i vendit të tij dhe kryeministri i Shqipërisë, dy “palaçot venezuelianë” të Ballkanit.
Në çdo rast, kjo situatë duhet trajtuar larg klishesë së zakonshme: ne duhet ta mbajmë mirë me Amerikën edhe kur Amerika ka të tjera interesa nga tonat. Sepse një gjë është e qartë: Kosovës po i kërkohet të hyjë në negociim e zhveshur përballë Serbisë. Kjo është thjesht e papranueshme. Për këtë qëndrim nuk mungojnë përkrahësit e saj. Deklarimi i fundit i kancelares gjermane, Angela Merkel se shkëmbimi i territoreve nuk është një ide e mirë, përbën një sinjal që duhet lexuar për atë që është. Kosova dhe shqiptarët duhet të besojë së pari se jo çdo kërkesë poshtëruese mund të bëhet ndaj tyre dhe të pranohet. Se miqtë duhet të gjejnë vendin dhe nuk mund të sillen në këtë mënyrë.
Mali i Zi ia detyron ekzistencën politike të tanishme, po aq SHBA-së sa edhe Kosova. Maqedonia e tanishme, ia detyron arritjet e tanishme, po aq SHBA-së sa edhe Kosova. Mirëpo në asnjë rast, nuk është parë ky trajtim, kjo sjellje. Pse shqiptarëve u kërkohen përherë gjëra të tilla?
Konflikti greko-maqedonas zgjati më shumë se 20 vjet. Dhe nuk ndodhi ndonjë gjë e pakontrollueshme. Pse dinjiteti është gjëja e fundit që u tolerohet shqiptarëve? Ka një përgjigje për këtë dhe patjetër që lidhet me mënyrën sesi politikanët shqiptarë e lidhin karrierën e tyre me selitë e huaja diplomatike. Sesi krimi dhe korrupsioni u është toleruar në këmbim të kësaj sjelljeje poshtërimi.
Edhe sot që flasim ne nuk e dimë se sa z. Haradinaj është i sinqertë në këtë që po bën. Nëse pranon kërkesën e SHBA ai dënohet politikisht me vdekje dhe armiku i tij Hashim Thaçi, do ta mbyllte shpejt atë që ka ndërmend. Por rezistenca e kryeministrit të Kosovës, njësoj si mënyra sesi kryeministri i Shqipërisë u detyrua të bëjë atë që bëri në Ministrinë e Jashtme, tregon se mundësi reagimi dhe bllokimi ka. Dhe të shumta madje. Zoti Haradinaj ka zbuluar atë që z. Thaçi ka dashur ta fshehë: Serbia është e ekspozuar dhe nuk e ka reale fuqinë që kërkon të imponojë. Lojërat me Putin dhe Moskë ecin përderisa mund të ecin, por ja që lufta ekonomike provoi se Serbia ka kushtëzime të mëdha në raport me një vend si Kosova.
Çështja është t’i njohë ato. Dhe do t’i njohë. Z. Thaçi ka dashur të na thotë se në këtë përballje ne shqiptarët jemi vetëm të humbur po nuk pranuam konçesionet territoriale. Mirëpo ja që z. Thaçi rezulton një gënjeshtar i dobët. Dhe tarfiat e provuan këtë gjë. Zoti Haradinaj ka bërë një kërkesë aspak fyese për Serbinë, ndonëse nga perspektiva e kësaj të fundit joproporcionale: ai kërkon NJOHJEN. Sepse në fund të fundit përderisa bën tregëti dhe shkëmben mallra, e ke dhënë de facto njohjen. Zoti Thaçi bën të kundërtën. Ai kërkon të blejë atë që mund ta shesë. Ai kërkon ta blejë njohjen, e cila përmes diplomacisë së z. Haradinaj po shitet shumë shtrenjtë.
Ndërhyrja e SHBA-së përbën një sinjal të keq për procesin, që e minon atë, duke tentuar t’ia nënshtrojë zgjidhjeve të shpejta, taktike dhe që udhëhiqen nga axhenda personale të ndonjë këshilltari që është kalimtar në politikën e jashtme amerikane.
Por ndërhyrja amerikane - edhe kështu - ka vlerën e vet emancipuese për shqiptarët që duhet me patjetër, për të mirën e tyre t’i hapin mirë sytë e të shohin se kush janë miqtë e përjetshëm amerikanë. Janë aty për biznes dhe asgjë më shumë. Siç janë për biznes në Izrael të cilit nuk i kërkojnë asgjë për territore, madje i dhurojnë edhe atë nuk ja dhuroi historia: Jeruzalemin. Duhen hapur sytë dhe duhet kuptuar bota për atë që është, jo për atë që dëshirojmë ne të jetë, apo për atë që na shesin karagjozët që venë e vinë si kryeminitra dhe presidentë.
Zoti Haradinaj ka në dorë edhe kalimin në zgjedhje për një çështje e cila nuk mund të vendoset nga humori I dikujt në Shtëpinë e Bardhë pas të cilit shpallen heronj batonët e betonizmit të lidhjeve shqiptaro-amerikane. Në fund të fundit kaq e dimë: zoti Haradinaj ka nevojë për pak kohë. Dhe pikëpamja e tij do të fitojë mbështetjen e duhur, sikurse kërcënimet amerikane, tashmë që municioni i komunikimit u harxhua do ta humbasë vlerën reale. As vetë SHBA nuk ka thënë dhe nuk di të shpjegojë se çfarë sjell shkëmbimi i territoreve. As Hashim Thaçi nuk e di këtë, veç fjalive të veta – pesë apo gjashtë edhe ato – se fitojmë ulëset aty e këtu, ndërkohë që në kriza të tilla durimi është çelësi i fitores. Kosova është popullsi e re, ajo e ka erën me vete. Të shpresojmë se do ketë edhe ata që betohen në emër të amaneteve dhe flamurit të saj.
Add new comment