Mund ta ketë fajin edhe populli...
Shqipëria e ka këtë aftësi. I bën lolo të gjithë ata që shfaqen si misionarë apo duan që të perceptohen si të tillë. Kanë kaluar këtej ambasadorë, ushtri. Ka kaluar ndonjëherë edhe historia e madhe. Por përshtypja krijohet se asgjë nuk ka mbetur me të vërtetë. Veç një ndjenje cinizmi dhe apatia e një populli që duket se nuk çuditet e as entuziazmohet më me punët e kësaj bote.
Për sa na përket si brez, ne mund të themi se ndaç Shqipëria që e deshëm si Europa, ndaç pluralizmi, ndaç ekonomia e tregut, apo edhe ambasadorët e Fuqive të Naltmëdha, kaluan para syve tanë si përrallë argëtuese edhe kur me vete kanë sjellë dramë.
Në këto vite e vetmja gjë që kishte mbetur serioze, apo disi serioze për shkak të rolit brenda sistemit, ishte opozita. Xhanëm Shqipëria ka kaq shumë probleme referuar standardeve të normalitetit, saqë edhe qeveria i bie të jetë një çikë opozitë vetë. Mirëpo edhe ky fat i madh, ky përjashtim që sanksionon rregullin, duket se po na lë. Do të mbetemi vetëm me gajasjen absolute ndaj çdo gjëje, pasi nëse i beson vërtet debatit brenda Partisë Demokratike siç është publikuar nga gazeta “Panorama”, atëherë kupton se ka mbërritur pika kritike. Deputetë që vijnë vërdallë në një sallë edhe pyesin njëri –tjetrin: ore ça do bëjmë? Ja protestuam, po pastaj? Apo dil kuturu?
Gozhdës njëri, patkoit tjetri. Për arsyen e thjeshtë: nuk di çfarë të bësh, kur nuk di se çfarë je.
Këtë gjendje e ka kaluar më parë edhe PS-ja, në vitin 2005. Kishte njerëz në atë kohë si Pandeli Majko që ndonëse i pyesnin: çfarë do bëhet? Përgjigjeshin: Ja të shohim ça do bëhet.
Kur të pyesin do të thotë se të begenisin për ndonjë farë burri. Mirëpo si t’ja kthesh kur në të vërtetë nuk je ai që mendojnë apo presin të tjerët të jesh? Në atë kohë PS-ja pati fatin e madh, Edi Ramën, që u hodh në sulm dhe e bëri të qartë: Do marrim pushtetin dhe do bëjmë lekë. Rrugës do shajmë Saliun se mirë që e kemi.
Dhe skema funksionoi.
Po sot çfarë të bëjë PD-ja? Ramën e shajnë vetë shqiptarët dhe kjo është e vetmja gjë që bëjnë seriozisht. Për të tjerat, bëjnë sikur. Të gjithë janë dakord se duhet protestuar. Edhe PD-ja. Madje edhe kryeministri. Po se ku ngec protesta ec e gjeje!
Të gjithë thonë se punët janë keq. Edhe vetë qeveria e pranoi derisa u ndërrua tak fak. Po pse nuk ecën kundërshtimi, pse asgjë nuk lëviz? Çfarë e vret frymën e ndryshimit? Mesa duket bindja se ky sistem nuk ndryshon asgjë. D.m.th ky sistem yni. Mund të merremi sa të duash me Lulin dhe Klevisin. Në fakt një çikë më pak, një çikë më shumë, ky është niveli i mbarë shoqërisë.
Kënetëzimi qenka aftësi më vete. Është më keq se shkatërrimi. Dhe nuk akuzon dot njeri tjetër për këtë. Të vijnë ndërmend ca vargje të Lasgushit kur ankohej:
Kaluan këtej serbë e bullgarë,
Po trimat mançellarë
Më vodhën derë me gjithë katinarë
Shqiptarëve u dhanë pavarësinë. Nuk dinin ça ta bënin. Doli njëri bëri monarki. U leqendis gjithë ai mbret faqeve të historisë dhe i mbeti si bisht vjedhja e floririt.
Shqiptarëve ua dhanë edhe komunizmin, komunizmën, a marksizmën. Bëmë ça bëmë dhe i shndërruam me një aftësi të çuditshme në llëqe – marksllëqe, komunistllëqe e me radhë që rimojnë aq shumë me hajdutllëqe, dashurinë tonë të parë dhe të fundit.
Tani na dhanë demokracinë.
“Ç’thotë demokracia more djalë. Mirë demokracia?” më pyeste shpesh një socialist i vjetër që tani nuk jeton më. Bënte rromuze me dashurinë më të re të popullit tonë liridashës dhe arsimdashës. Popull që thonë se është edhe punëtor.
Po hë, them edhe vetë: ç’thotë demokracia? Ç’i mbeti demokracisë sonë? Po të ishte e mirë demokracia nuk duhet të kishte opozitë. Sepse në Shqipëri, sisteme si demokracia kompromentohen keqas që në fillim nga filozofia popullore: Ha muço, pi muço! (Unë personalisht këtë proverb e kam kuptuar se i drejtohet muços, atij që pastron kuvertën e anijes, jo Muços si person dhe gjej ngjashmëri me proverbin tjetër: Topi bam, e muçua tutje!).
E nxirosëm aq keq saqë tani opozita rri e pyet fshehurazi: ore ça do bëjmë se nuk shtyhet kështu? I ka ngelur vetes në dorë.
Është enigmë e madhe të gjesh dilemën e një mileti të papunë. Ose që e do punën vetëm sa për të thënë: mbaroj në orën katër. Se në fakt kjo është edhe kriza. Çfarë t’i thuash popullit të kafenesë që mbyt numerikisht edhe popullin opozitar edhe atë qeveritar? Çfarë t’i premtosh? Atij qameti duhet t’i bësh muhabet, t’i kesh ngenë. Kjo jo për të justifikuar opozitën, por edhe ajo ça faji ka? Pse ça po na bën Luli? Rehat janë të gjithë. O sa mirë me qenë shqiptar! Po kjo e fundit nuk është seroze fare. Me gjasë ndaj edhe ngjit këtu.
Shaptilografisti
Add new comment