Histeria e organizuar dhe zhurma artificiale mbi Zagorinë...

Postuar në 24 Janar, 2019 21:54

Sot në media, kompania e njohur e kërkimit dhe shfrytëzimit të hidrokarbureve, Shell, ka dalë me një deklaratë të pazakontë të drejtorit të saj për vendin tonë, Rohan D’Souza.

Pavarësisht rezultateve të studimit sizmik që kompania planifikon në Bllokun 4, Shell nuk do të kryejë aktivitete kërkuese, shpuese në nënzonën e mbrojtur të Zagorisë, e cila gëzon një mbrojtjë të veçantë nga legjislacioni shqiptar

thuhej në të.

Që do të thotë se kompania premton të mos zhvillojë asnjë operacion kërkimi dhe shfrytëzimi në territorin e parkut të Zagorisë, pavarësisht se cili do të jetë rezultati i vrojtimit sizmik që po ndërmerret së fundmi.

Është një deklaratë e cila sqaron se kompania në fjalë nuk ka ndërmend të shkelë asnjë ligj, as edhe të cenojë pasuri natyrore të Shqipërisë për hir të nxjerrjes se hidrokarbureve. Më tej akoma, Shell ka vënë në dispozicion në faqen e saj të dhëna dhe njoftime konrkete për ecurinë e studimeve dhe punimeve të kryera prej saj. Por ajo ndodhet në një pozicion të papërshtatshëm në debatin që ka lindur për zonën  e Zagorisë, sepse përballë nuk ka subjekte që arsyetojnë, por të cilët më së shumti organizojnë një fushatë histerike. E zakonshme në Shqipëri sa herë ka vendime të kësaj natyre.

Në një komunikim me TemaTv, përfaqësuesja e Shell, Fabjola Haxhillari, tha se studimi që po kryhet lidhet me Bllokun 4 që nis nga zona e Beratit e përfundon në kufi me Greqinë. Sipas saj, studimi në vetvete kryhet për të verifikuar burimet e mundshme dhe shtrirjen e tyre, por kjo nuk do të thotë se në rast të konfirmimit të tyre do të nisë shfrytëzimi në Parkun e Zagorisë. Kjo është një çështje teknike, por që mund të thjeshtohet kështu: edhe nëse në Zagori Shell konstaton se ka burime që janë vijim i basenit që mendohet se është hasur në Shpirag, vendimi për shfrytëzimin përbën nëj etapë të dytë dhe më tej akoma, ai mundet fare mirë të kryhet edhe nga puset në Memaliaj. Pasi distancat nuk janë të mëdha.

Nëse sheh krahun tjetër, si p.sh Forumin për Trashëgimi, ku janë përzierë gjithfarë interesash dhe njerëzish, shikon se këtij apeli i mungon përgjigja. Është qesharake dhe mjerane po ashtu të shohësh edhe ish-ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro të flasë si më poshtë:

Kjo është një zonë e cila në radhë të parë është pasuri natyrore, kultuore dhe turistike. Si e tillë prioritetin e ka në zhvillimin e agroturizmit. Gjykoj që vlerësimi i ndikimit në mjedis është sipërfaqësor, sidomos në aspektin e trashëgimisë kultuore dhe nuk është bindës, as për mua si njohëse e trashëgimisë dhe jo më për banorët. Nga ana tjetër dua të theksoj se komunikimi dhe dëgjesat nuk duhet të jenë formale dhe duhet të jenë të prekshme për banorët. Unë besoj tek e ardhmja e turzmit kulturor dhe natyror të Zagorisë. Pikërisht për këtë qeveria e shpalli Park Natyror Kombëtar. Ishte shumë e rëndësishme për mua që të komunikoja direkt me banorët dhe përfaqësuesit e kompanisë prandaj jam sot këtu

Zonja nuk është e besueshme dhe nuk janë të besueshëm as ata që e përkrahin duke ja botuar deklaratat. Kumbaro thotë se vlerësimi i ndikimit në mjedis është sipërfaqësor. Por zonja në fjalë nuk e ka këtë tagër. Ajo po flet me opinione dhe një gjë e tillë nuk i lejohet si ish-ministre. Kjo është po ajo Mirela Kumbaro që firmosi shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një fast food në Parkun e Butrintit, për të cilat kishte mundësitë të bënte vlerësimin e duhur. Por ne e dimë se çfarë vendimesh mori. Zonjës i duhen vota ndaj bredh poshtë e lart me merakun e turizmit në Zagori. Në çdo rast ajo duhet të flasë me argumente përpara sesa të përgjithësojë apo relativizojë cilësinë e dokumentacionit të lëshuar.

Për Zagorinë po bërtitet në kor: po e ndot nafta. Po i prishin bukuritë.

Por a mund të quhet ky diskutim? A mund të merren seriozisht njerëz të cilët madje spekullojnë me fantazinë e tyre duke deklaruar se Zagorisë po i kërcënohet edhe historia e saj? Kishat dhe monumentet?  Si mundet që kërkimi për naftë të cenojë historinë, pasi për mjedisin edhe kuptohet?

Është e qartë se kemi një palë që nuk do asnjë lloj debati. Do zhurmën, tymnajën, histerinë. Për qëllime dhe axhenda që sikur pak të kërkosh kuptohet se janë meskine: një hotel këtu, e një bujtinë atje. Legjitime edhe këto sigurisht, por përpara sesa çështja e tyre të kthehet artificialisht në “kauzë publike”, apo më saktë kauzë online, është e udhës dhe në dinjitetin e të gjithëve, që të shoshiten argumentat ballë për ballë.

Aktualisht Shell po kryen studim sizmik që mund të zgjasë disa vite. Dhe po e bën këtë pasi në Shpirag mendohet se është zbuluar një burim që cilësohet i “nivelit botëror”. Duhet të kuptojmë se me këto terma nënkuptohet një drejtim i ri ekonomik dhe social për Shqipërinë, një rivlerësim kapital i rëndësisë së saj ekonomike. Ndaj është e mira që gjykimi të bëhet me mendje të ftohtë. Dhe sidomos: të MOS GËNJEHET.

Kryeministri Edi Rama që ka vënë firmën mbi kontratën në fjalë, e cila i jep shtetit shqiptar rreth 60% të prodhimit, ka për detyrë që të mbrojë investitorët sipas kuptimeve dhe përcaktimeve të ligjit, njësoj siç bënte të paktën me DH Albania apo me Gener 2. Kjo edhe për shkak se i duhet dhënë fund rolit të disa aktorëve fiktivë, që me takime informale, sinjalizues shantazhi, e sidomos duke gënjyer dhe provokuar si profesionistë të histerisë, me “argumente” që janë plagjiaturë e kauzave të ngjashme që shfaqen një herë në kaq kohë, kushtëzojnë klimën e biznesit në vend. Për Zagorinë nuk ka pro dhe kundër, sepse është qesharake të mendosh se Mirela Kumbaro dhe ndonjë forum ndaj të cilit duhet transparencë, kanë merak natyrën e saj përpara interesave. Zagoria nuk duhet prekur dhe duhet ruajtur sipas ligjit. Vetëm se përpara se të bërtasin, duhet të sqarojnë si është në të vërtetë situata. 

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Analisti dhe historiani Dr O Jazexhi, ne nje emision tv denoncoi kete paskrupulltsi dhe e quajti Mafie te petrolit qe ka zabtuar Jugun dhe Mafie te kromit qe ka zabtuar veriun. Dhe shqiptaret si milet sonambul nuk e dine se po i vene ne gjum dhe piratet e perendimit po i vjedhin ne emer te Demokracise se atlantikut.
Banoret e Marinzes kurre nuk u kompensuan bikes ishAmbasadori kines Lu, kompromentoi A Lalen qe te ndrrpriste hetimet mbi bankerspetrolium....

Ne Angli e gjetke populli proteston kur kashpim Kerkime per nafte. Keto kerkime sjellin semundje, kancer, ndotin ujin etj. Por ky popull eshte tsshme imun sepse frutat dhe zarzavatet me hormone e kane forcuar.

Submitted by Rozen (not verified) on

Shume turp qe banoret e zagorise trjatohen si dele nga Mirela kumbaro e cila i genjeu perseri per voten dhe nuk u tha te verteten. Ajo ishte e pa informuar per projektin dhe diletante ne komentet e saj per trashegimine kulturore qe ajo vete e ka braktisur ne ate zone. Ajo sulmoi studimin pa ditur cfliste duke permendur antigonene ne zagori e duke bere gjasme se i dhimbsej trashgimnia kulturore nderkohe qe kur ishte ministre e shkurt 2018 e la uren e hoshteves te shembej dhe pse u lajmerua per kete fakt perpara se te shembej. Ajo sulmoi drejtorine e kultures rajonale ne gjirokaster qe per 6 vite ishin nen vartesine e saj duke thene se nuk jane kompetente.Ajo genjeu kur tha jam njohese e trashegimnise dhe harroi qe unaza e Gjirokastres dhe Kioska e Parkut te Butrintit bashke me shembjen e Ures te Hoshteves dhe asnje punim ne zonen e arkeologjike ne antogone gjate kohes se saj 6 vvjecare si ministre vulosin mashtrimin e saj te turpshem ne degjesen publike te Shell e cila u manipulua nen tagrin e deputetes dhe dashamirses te zones. Ajo ka qene pjese e qeverise dhe u hoq si deputete e opozites. Shume turp qe ajo u soll si hajdute votash dhe banoret e hengren perseri karemin e saj. Sa poshte ka rene inteligjenca e Zagoriteve. Me keq akoma kur disa palo akademike dhe qafekunguj bejne shfaqje publike nga Tirana duke mashtruar banoret dhe duke turperuar vendin perballe invesitoreve te tille strategjike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.