Beni iku bashkë me PPP-të e pakërkuara
Parlamentit i është dërguar një projektligj për heqjen e mundësisë ligjore për koncesione që i mundësuan qeverisë të nënshkruajë mbi 1 miliardë euro kontrata vitet e fundit.
“Ky projektligj përcakton se që pas datës 1 korrik 2019 nuk do të jetë më e mundur të propozohen nga sektori privat projekte koncesioni/PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë”-shkruhet në relacionin shpjegues.
Qeveria argumenton se ndryshimi ka ardhur si pasojë e “rekomandimeve” nga institucionet ndërkombëtare, të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Qeveria aktuale është kritikuar në Shqipëri dhe jashtë saj për një mori kontratash koncesionare me vlera të konsiderueshme, të cilat janë realizuar ose me ligje të veçanta që shmangin konkurencën dhe përcaktojnë paraprakisht fituesin, ose përmes “propozimeve të pakërkuara”.
Ky projektligj vjen në një kohë kur qeveria u tërhoq nga kontrata konncesionare për rrugën Thumanë-Kashar me distancë 21 kilometra dhe me kosto të përgjithshme prej 435 milionë eurosh, pa dhënë shpjegime për shkaqet që sollën anulimin. Ndonëse shpjegoi se projekti mund t’i bashkëgjitet ofertës së pakërkuar për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës.
Add new comment