Ia ka marrë dorën tani
Edi Rama ja ka marrë dorën. Ta bëjë kuvendin sipas vendit. Kur sheh të mirat e pushtetit, milionat radhë – radhë, kur ndjen sesi çdo gjë varet nga ty, edhe humori i shoqërisë, e ardhmja, këto të duken çikërrima.
Antikonformizmi – nëse ndonjëherë ka qenë sepse ngjan e pamundur që një qytet si Tirana të prodhojë antikonformistë realë – hidhet pas. Si një uniformë e vjetër e një kohe tjetër.
Një kostum i përshtatshëm, një takim, kamerat të fiksuara aty ku do, ca karafila, heshtje…Dhe ja edhe kësaj radhe adeti u bë. 21 janari u përkujtua. Në fund të fundit kjo është një qeveri, ky është një kryeministër që ia dedikojnë pushtetin vetes katër të vrarëve në bulevard dhe jo ndonjë programi alternativ.
Familjarët vijnë aty për shumë arsye. Përpara se të vënë ndonjë lule kalojnë nga zyra e Kryeministrit. Kanë marrë dëmshpërblime, kanë shpresë serioze për statusin e dëshmorit. Çfarë të bëjë më Edi për ta? Ky qe fati i tyre. Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët. Vetëm se ata janë dekori i një ceremonie që tashmë e bezdis shumë kryeminstrin. Ai nuk do ta kujtojë më 21 janarin. Nuk do që njerëzia të kujtojë se ca gurë mbi muret e kryeministrisë nuk janë edhe aq keq. Nuk e do më as këtë shtirjen si i trishtuar, pasi trishtimi, melankolia nuk janë në regjistrin psiqik të tij. Dy ditë më parë, ky përdëllues i viktimave të bishës berishiane, e hipi veten majë një skulpture të Mikelaxhelos për të bërë garë me humorin vulgar të internetit. U bë palaço për të fituar edhe monopolin e të qeshurës. E zgërdhisjes së miletit. I duhet kjo kredi e re me interes të ulët, i duhet për shumë arsye.
Sot e shohim të veshur dhe të ngjeshur në vaki. Duke luajtur një rol bajat, duke zhvlerësuar përfundimisht një ngjarje që përndryshe mund të kishte ndonjë vlerë të paktën në historinë e bulevardit.
Add new comment