Një dekret me vlerën e mocionit të mosbesimit?
A është dekretimi i Edi Ramës nga Presidenti i Republikës si ministër i Jashtëm antikushtetues?
Kjo është pyetje që po trajtohet në dy anë dhe mirë është që bashkë me ankesën që thotë se PS-ja po bën për në Gjykatën Kushtetuse të përfshihet edhe kjo çështje. Një arsyetim është ai i opozitës që i referohet nenit 102 të Kushtetutëssipas të cilit detyra e ministrit nuk pajtohet me detyrë tjetër.
Një arsyetim tjetër e lidh antikushtetueshmërinë e aktit të sotshëm me precedentin e krijuar nga Presidenti i Republikës për mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm me arsyetimin se është një kandidaturë e pabesueshme. Si i besuar i Edi Ramës, arsyetojnë ata që mbështesin këtë version, Cakaj në fakt ndan të njëjtat qëndrime si me Ramën, ndaj është e logjikshme që në këto rrethana, Presidenti të mos dekretojë as kryeministrin në detyrën e ministrit të Jashtëm.
Duhet thënë se ky debat zhvillohet në kushtet kur në Shqipëri mungon arbitri kushtetues, pra Gjykata Kushtetuese, çka jo vetëm pamundëson gjykimin e aktit të presidentit dhe krijimn e rrethanave të shkarkimit të tij siç parashikohet në nenin 90 të Kushtetutës, por i heq mundësinë edhe kreut të shtetit që të kërkojë mendim dhe gjykim për një çështje që tejkalon tagrin e çdo institucioni tjetër. Për pasojë Presidenti i Republikës ka vepruar në cilësitë e tij si kryetar shteti duke marrë një vendim dhe qëndrime në interpretimin e tij të Kushtetutës. Ky interpretim është materializuar qëndrimin public të refuzimit për të dekretuar Gent Cakajn. Por duhet theksuar se ky vendim dhe ky qëndrim për të mos dekretuar, nuk lidhet dhe as mund të lexohet formalisht si bindje e Ilir Metës, por si zbatim I Kushtetutës në përmbushje të detyrave të Presidentit në mungesë të një arbitri.
Për këtë arsye edhe sipas Kushtetutës, por edhe për faktin se procedura po zhvillohet në kushte të jashtëzakonshme të vakuumit institucional dhe kushtetues çdo shqyrtim i nesërm nga Gjykata Kushtetuese nuk mund të fajësojë kreun e shtetit ashtu siç e kërkon një pjesë e qeverisë. Pra mundet që nesër Gjykata ta çmojë aktin e Metës si jo korrekt në përputhje me Kushtetutën, por kjo nuk e bën antikushtetues atë në kuptim të pasojës që parashikon në këtë rast Kushtetuta, pra nisjen e procedurës së shkarkimit, sa kohë që në momentin e konsumimit të vendimit, zinxhirit kushtetuues i mungonte një hallkë.
Lidhur me këtë ka edhe një praktikë të mëhershme të Gjykatës Kushtetuese, e cila me një vendim të vitit 2002 sqaron se çfarë ndodh kur Kuvendi i Shqipërisë nuk shqyrton brenda 10 ditëve një dekret të Presidentit.ndër të tjera Gjykata ka çmuar se:
…dekreti…nuk mund të bjerë vetëm për faktin se nuk është shqyrtuar nga Kuvendi brenda afatit 10 ditor, por kur shqyrtohet e nuk pranohet konform kërkesave të Kushtetutës. Afati 10 ditor për të cilin bëhet fjalë në pikën 2 të nenit 98 të Kushtetutës duhet parë i lidhur ngushtë me konceptin kushtetues që ekziston lidhur me llojet e afateve dhe dallimet ndërmjet tyre… Në disa dispozita të Kushtetutës përcaktohen afate për të cilat moszbatimi apo dhe shkelja e tyre sjell pasoja juridike…Ndryshe ndodh në lidhje me afatet për të cilat bëjnë fjalë dispozita të tilla si neni 98 pika 2, neni 96 pika 3, neni 181 etj., moszbatimi i të cilave nuk passjell pasoja të detyrueshme juridike, por vetëm pasoja politike…Në raste të tilla, detyrimet kushtetuese, nëse nuk janë përmbushur brenda afateve, duhet të përmbushen më vonë. Edhe afati 10 ditor për të cilin bëhet fjalë në nenin 98 pika 2 të Kushtetutës, është i tillë. Fakti se nuk respektohet, nuk do të thotë se dekretet mbesin pa u shqyrtuar. Në këto kushte, Dekreti i Presidentit të Republikës si akt që ruan vlerat e tij formale juridike, por që s’ka hyrë në fuqi duhet të shqyrtohet nga Kuvendi jashtë këtij afati
Ky arsyetim konfirmon një boshllëk në Kushtetutë ku nuk është parashikuar qartë se çfarë ndodh kur Kuvendi nuk shprehet. Gjykata ka çmuar se ka dy raste: kur akti passjell pasoja juridike, p.sh moskalimi i një ligji dhe kur akti passjell pasoja politike. Ky është rasti i dekretit. Ky vendim na thotë se Presidenti me një akt që ka vetëm pasoja politike, në fakt kishte mundësinë që të mos shprehej as brenda 7 ditëve duke u mbështetur te ky precedent për të vijuar pa një afat me heshtjen e tij. Në rastin e z. Rama, presidenti deklaroi vetëm se “shmanga krizën”, duke folur për një rast të veçantë.
Të gjitha këto përballje krijojnë një tërësi rrethanash të veçanta që gjatë shqyrtimit kushtetues do të merren në konsideratë. Por është e qartë kreu i shtetit ka shkelur në fakt një afat për dekretimin duke hyrë në kushtet arsyetuese të vendimit nr. 6 të vitit 2002 të GjK-së me arsyetimin e vet - pra përgjegjësinë se refuzon një kandidaturë.
Por përtej këtij aspekti që është tashmë punë e juristëve, ka edhe një aspekt tjetër. Nëse dekretimi i Kryeministri në detyrën e ministrit të Jashtëm është antikushtues, atëherë në këtë shkelje ka bashkëfajësi mes tij dhe Kryeministrit. Dhe që këtu mund të shtrohet pyetja: a duhet ndarë shkelja e njërit nga ajo e tjetrit? Dhe kush e shqyrton në fund këtë komplicitet? Nisur nga ajo që thotë Kushtetuta këtë rol e ka Kuvendi i Shqipërisë, i cili ka për detyrë të vendosë për dekretin e Presidentit të Republikës.
I njëjti vendim i sipërcituar thotë se:
Me fjalën “shqyrtim”, sipas nenit 98 pika 2 të Kushtetutës, kuptohet e drejta dhe detyrimi i Kuvendit për të bërë objekt diskutimi e debati Dekretin e Presidentit dhe për të marrë një vendim të caktuar për miratimin ose mosmiratimin e tij
Pra jo vetëm që ky dekret duhet shyrtuar por ai duhet bërë objekt debati dhe diskutimi. Çfarë do të bëjë Kuvendi i Shqipërisë kur të konstatojë se dekreti është antikushtetues? Logjika normale na thotë se Kuvendi me përgjegjshmërinë që e ka karakterizuar të paktën në këto vitet e fundit duhet patjetër ta rrëzojë atë sepse përndryshe afirmohet si subjekt antikushtetues. Mungesa e GJK-së sërish krijon probleme pasi paraprakisht ka nevojë që kjo dilemë të zgjidhet përpara sesa të mbërrijë deri këtu, por Kuvendi është ligjvënës dhe qeveria buron prej tij.
Nëse supozojmë se Kuvendi i Shqipërisë e rrëzon dekretin e Metës për emërimin e Ramës si ministër i Jashtëm si duhet lexuar kjo votë? Si vullnet për të kërkuar një ministër të ri të ndarë nga funksioni i kryeministrit, apo si mocion mocbesimi? Lidhur me këtë çështje, në arsyetimin e vet GjK-ja ka çmuar ndër të tjera se:
Shqyrtimi i Dekretit të Presidentit të Republikës, i nxjerrë në përputhje me pikën 2 të nenit 98 të Kushtetutës, nuk kufizohet vetëm në kontrollin formal të tij, por dhe në atë substancial, sepse ai është akt i një kontrolli politik të ngjashëm me atë që ushtrohet në kuadrin e një mocioni besimi apo mosbesimi
Sigurisht që Kuvendi nuk po voton një mocion, për të cilin ka dispozita të tjera, por ama vlera e shqyrtimit të dekretit përngjason me atë të një mocioni.
Kuvendi pra ndodhet para një momenti shumë të rëndësishëm: ai ose do certifikojë një shkelje kushtetuese të Kryeministrit dhe Presidentit, sipas disa pretendimeve, ose do ta rrëzojë atë duke krijuar kushtet e një krize të thellë që kërkon zgjidhje politike. Duke konfirmuar më së paku komplicitetin formal të dy njerëzve kryesorë politikë në Shqipëri dhe duke vendosur Gjykatën Kushtetuese para nevojës së zgjidhjes përfundimtare të kësaj përballjeje që u krijua pikërisht për shkak të mungesës së saj.
PS: Shkrimi në fjalë i referohet akuzave publike/mediatike për kushtetueshmërinë e dekretit dhe jo shqyrtimit strikt të vlefshmërisë së dekretit që është çështje e GjK-së.
Add new comment