Sandër, të besojmë që ke negociuar gjatë!
Intervista e Klement Balilit fatkeqësisht konfirmoi se shoqëria shqiptare vazhdon të jetë e tradhëtuar nga shteti që ka ndërtuar, të cilit vijon t’i besojë taksat dhe sigurinë apo dhe më keq akoma arsimimin e fëmijëve.
Sqima prej katoliku dhe socialisti të devotshëm e ministrit të ri të Brendshëm, Sandër Lleshaj, ishte një tjetër përpjekje e ulët dhe tinzare për t’i dhënë kësaj pabesie ngjyrat e një feste triumfi të shtetit ndaj krimit dhe se keqes, ku natyrisht policia dhe qeveria me në krye Lleshajn dhe Edi Ramën, duhen shpërblyer me duartrokitkje, ndërsa më pas me vota dhe pushtet.
Prova gjenerale për këtë qeveri është Facebook-u ku nga gjenerali më i vjetër e deri të më i riu kanë vetëm një detyrë, të aprovojnë dhe adhurojnë veten përmes një konsensusi të padiskutueshëm se ata janë e vërteta, ata janë Forca dhe Ligji, Kushtetuta dhe e ardhmja.
Teatri që u shitet njerëzve ka në fakt edhe prapaskenën e vet kriminale. Lleshaj tha në konferencën për shtyp se negocioi gjatë me Balilin në një aksion të ndërlikuar dhe se policia ka kaluar në një epokë tjetër tani më. Në fakt ministri i Brendshëm recitoi refrenin e njohur se shteti po bën punën e vet për të luftuar krimin dhe trafiqet. Ndërsa Balili në fakt zbuloi diçka tjetër në intervistën që dha jo rastësisht.
“Aty ku kam qëndruar unë nuk ka ardhur ndonjëherë policia. Dhe as nuk ka pasur ndonjëherë mundësinë që të afrohej”.
Ndërsa gazetari që e intervistoi pohoi se Klement Balili u vetë-dorëzua, pasi negocioi dhe mori miratimin për plotësimin e dy kushteve: shënimin në procesverbal se po vetë-dorëzohet dhe garancinë për një proces të drejtë gjyqësor.
Me pak fjalë kushtet, operacionin e drejton vetë familja Balili. Ata madje caktuan vendin, orën dhe njeriun e policisë që do shoqëronte Klement Balilin në Tiranë. Eunukët e policisë dhe shtetit që kemi thjesht po zbatojnë planin e familjes.
Jo rastësisht u filmua edhe dalja e Balilit nga vila në Stjar, ecja në këmbë me familjarët dhe takimi me Ardi Veliun te ish-pularia. Nëse policia do tradhëtonte këtë plan dhe do organizonte një show arrestimi, pamjet do të ishin provë e të kundërtës. Dhe për këtë u pajtua një gazetar dhe u sajua një intervistë. Ndaj dhe Lleshaj duhet besuar kur thotë se policia e tij ka negociuar gjatë për t’i shërbyer interesave të Balilit.
Kjo polici nuk është nga ato që negocion dhe këtë e ka treguar shpesh kur bëhet fjalë për njerëz të pambrojtur apo të një rrezikshmërie tjetër nga ajo e Balilit. Rasti më i fundit është i bularatasit Kacifa, ku policia e humbi shpejt durimin dhe çuditërisht nuk ushtroi aftësitë e saj negociuese, ndërsa Prokuroria s’ka arritur ende në një përfundim sesi ka ndoddhur. Talent je Sandër, talent!
Add new comment