Uashingtoni është realitet, Brukseli është mit

Postuar në 08 Janar, 2019 15:35
Milazim Krasniqi

Gjatë muajit dhjetor 2018 ka pasur disa zhvillime që e kanë bërë më të theksuar qëndrimin e Uashingtonit në favor të Kosovës dhe qëndrimin përjashtues të Brukselit ndaj saj. Kjo u pa që nga gjestet simbolike e deri te qëndrimet politike. Fjala vjen, në ceremoninë e varrimit të ish presidentit amerikan, Xhorxh Bush (Plaku), presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, iu rezervua një vend shumë i favorshëm, duke e vënë në plan më vizibil, në krahasim edhe me disa liderë botërorë. Pak ditë më vonë, në Bruksel, pas një takimi ndërmjet Federika Mogerinit dhe Ramush Haradinajt, komisarja e BE-së nuk pranoi as të dilte në konferencë shtypi me kryeministrin e Kosovës! Edhe nderimet që iu bënë kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës në Ajova dhe në Uashington, po ashtu e kishin simbolikën e përkrahjes së qartë për formimin e ushtrisë dhe për përkrahjen e Kosovës si shtet sovran. Edhe letra e presidentit amerikan, Donald Trump, për kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi, e ka brenda vetes simbolikën e përkrahjes së shtetit të Kosovës në procesin e negocimit me Serbinë.

Roli beninj dhe roli malinj i BE-së

Përtej këtyre simbolikave, edhe qëndrimet politike të Uashingtonit e të Brukselit lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë kanë qenë qartësisht divergjente. Uashingtoni zyrtar e ka përkrahur transformimin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, që nga ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë e deri te Sekretari i Mbrojtjes, Matis. Ndërkaq Brukseli ka qenë kategorikisht kundër këtij transformimi. Edhe sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Uashingtoni ka qenë avokat, fjalëmirë, ndërsa Brukseli ka mbetur bllokues, përkundër faktit që është pranuar zyrtarisht nga komisionari Avramopullos se Kosova i ka plotësuar kriteret.

Mirëpo, ka pika në të cilat tonet janë në konvergjuese, fjala vjen, qëndrimi për taksën që e ka vendosur qeveria e Kosovës për mallrat serbe që hyjnë në vend. Kërkesa e Uashingtonit dhe e Brukselit ka qenë që kjo taksë të hiqet. Edhe lidhur me procesin e negociatave ndërmjet Prishtinës e Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, qëndrimet duken identike, e pakta në sipërfaqe. Meqë në muajt në vijim pritet të ketë dinamizim të negociatave, me synimin që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative, mund të ketë nuanca, mbase edhe divergjenca ndërmjet Uashingtonit e Brukselit, lidhur me termat dhe përmbajtjen e marrëveshjes finale. Ajo që dihet tash për tash është se SHBA-të mbeten sponsori dhe avokati i Kosovës, ndërsa Brukseli do të mbetet në rolin formal të lehtësuesit, që i është akorduar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Por, gjasat janë që, përveç atij roli formal, Bashkimi Evropian të ketë edhe dy role të tjera, faktikisht kulte: rolin e amortizuesit ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë dhe rolin e mbajtjes nën presion të shqiptarëve të Kosovës e, mbase, edhe të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Sa i përket rolit amortizues ndërmjet Uashingtonit e Moskës, ky rol është i destinuar për Bashkimin Evropian që nga roli që pati Marti Ahtisari në kohën e bombardimeve të NATO-s, për të cilin ai vetë e pranon se ishte rol i zbutësit të acarimeve ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë. Për shkak të kompleksitetit të çështjes, ky rol mund të jetë beninj edhe në ardhmen, siç ishte në mandatin që e kishte Marti Ahtisari gjatë bombardimeve të NATO-s. Me një ndryshim esencial – zonja Mogerini nuk e ka staturën politike e as morale të Ahtisarit. Ndërkaq sa i përket rolit tjetër, atij të frenuesit të zgjimit të shqiptarëve, ky rol është malinj dhe po kryhet në mënyrë të pandershme nga Bashkimi Evropian.

Proamerikanizmi, frika neurotike nga Rusia dhe islamofobia

Jan tre shkaqet të qëndrimit rigjid të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në tërësi. E para, proamerikanizmii shqiptarëve ua acaron shumë nervat burokratëve të Brukselit. Kësisoj edhe kërkesa e Ramush Hardinajt që në procesin final të negociatave me Serbinë, krahas Brukselit, të angazhohet edhe Uashingtoni, shkaktoi acarimin e komisares Mogerini, e cila pastaj refuzoi të dilte në konferencë shtypi bashkë me kryeministrin e Kosovës. Në fakt, shumica e evropianëve (pa anglezët) kanë një kompleks inferioriteti ndaj amerikanëve dhe shfryjnë pezmin e tyre ndaj kombeve që e manifestojnë haptas proamerianizmin, ashtu siç bëjnë shqiptarët. Fërkimet ndërmjet Trampit e Makronit, në shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, me ç’rast presidenti amerikan i tha Makronit se para se të zbarkonin amerikanët, francezët patën filluar të mësonin gjermanisht në Paris, ishin shumë domethënëse në këtë kontekst. Në rastin e tillë, evropianët i përmbahen thënies “kur nuk ke çka i bën gomarit, i bie samarit”, Pra, ata i penalizojnë entuziastët e vegjël proamerikanë në radhët e kombeve evropiane. Problemi i dytë, për shkak të të cilit Bashkimi Evropian e mban në presion Kosovën, ka të bëjë me frikën neurotike të evropianëve nga Rusia. Meqë Rusia është përkrahëse pa kushte dhe pa karar ndaj Serbisë, Bashkimi Evropian e miraton heshtazi atë qëndrim në shumë aspekte të politikave të veta e në dëm të Kosovës. E treta, islamofobia e qarqeve të djathta dhe e medieve të shumta në Evropë e shtyn Brukselin “të jetë i kujdesshëm” me Kosovën e me shqiptarët, duke ushqyer shumë paragjykime ndaj tyre, për shkak të përkatësisë fetare të shumicës së shqiptarëve.

Këto paragjykime bëhen më të qarta po qe se shikohet qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit si tërësi. Kështu, Bashkimi Evropian e ka pranuar në anëtarësi Qipron greke, ndërsa e injoron Qipron turke. Bashkimi Evropian e ka pranuar Rumaninë e Bullgarinë në kohën kur ato nuk i kishin plotësuar fare kushtet për anëtarësim, madje Bashkimi Evropian, këtë muaj, i ka hapur dy kapituj indikativë me Serbinë: kapitullin për politikat monetare dhe atë për statistikat. Sikundër dihet, Serbia bën ndërhyrje brutale me dinarin në Kosovë, për çka do të duhej të penalizohej, e jo të shpërblehej me hapjen e atij kapitulli. E dyta, Serbia i ka plaçkitur dhe i mban peng arkivat nga Kosova (edhe statistikat), ndërsa në vend se ta detyronin t’i kthejë, e shpërblejnë.

Qëndrimi skizofrenik dhe unik i shqiptarëve

Sa u përket shqiptarëve të Kosovës, po edhe mbarë kombit shqiptar, ata manifestojnë një proamerikanizëm emocional edhe për shkak të kontributit vendimtar që patën SHBA-të në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Por, proamerikanizmi shqiptar me asgjë nuk është antievropian. Shqiptarët aspirojnë integrimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke qenë euroentuziastë me shifra të larta. Nga ana tjetër, shqiptarët mbeten faktori më rezistues ndaj influencës dhe penetrimit rus në Ballkan, gjë që do të duhej të llogaritej si interes strategjik edhe i Bashkimit Evropian. Faktikisht, ky rol edhe i ka bërë shqiptarët aleatë të besueshëm të Shteteve të Bashkuara. Por, Brukseli këtë rol të shqiptarëve në Ballkan nuk e vlerëson, kjo për arsyet që u përmend më lart, pra për shkak të frikës neurotike që ka nga Rusia. Në rastin e paragjykimit të evropianëve ndaj përkatësisë fetare të shqiptarëve ende nuk ka vullnet në BE që të kuptohet se shqiptarët, mbase krahas anglezëve, janë kombi i vetëm evropian, që e ka bërë sintezën e bashkëjetesës paqësore të besimeve fetare, për ç’arsye përvojat shqiptare janë vlerë e shtuar e kurrsesi përvojë për t’u paragjykuar.

Ndërkaq, po qe se shikohet përvoja ose pritshmëria e hershme e rilindësve shqiptarë me Evropën, ajo është më skizofrenike se sa qëndrimi i sotëm unik shqiptar. Fjala vjen, Naim Frashëri ishte euroentuziast ekstrem, duke e glorifikuar Perëndimin, ndërsa Gjergj Fishta ishte euroskeptik realist, duke e quajtur Evropën “kurvë e motit.” Realisht, edhe po qe se shikohet historia, Evropa nuk është treguar miqësore ndaj shqiptarëve. Ka shtete të veçanta që janë treguar më miqësore në momente të caktuara, (Austro-Hungaria, Italia), por, në përgjithësi, shtetet e mëdha evropiane e kanë lejuar spastrimin etnik të shqiptarëve pas Kongresit të Berlinit, e kanë lejuar gjenocidin serbe grek gjatë luftërave ballkanike dhe do ta lejonin edhe në vitet 1998-1999 në Kosovë po të mos ishte ndërhyrja vendimtare e SHBA-ve.

Për të ardhmen besoj se Kosova dhe shqiptarët duhet të ndërtojnë më shumë raporte partneriteti me shtete të veçanta evropiane e më pak të fokusohen në institucionet e Bashkimit Evropian, i cili gjithnjë po bëhet më i zbehtë e më i paaftë. Në librin “E ardhmja e lirisë”, Fared Zakaria ka një shënim që duhet të mbahet mend: vetëm rreth 1% të buxhetit bruto të shteteve të BE-së është në dispozicion të Brukselit. Kjo gjë edhe tregon fuqinë e ndikimit të shteteve në veçanta në politikat e BE-së. Prandaj, në të ardhmen besoj se Kosova dhe shqiptarët duhet ta kenë fokusin e tyre në raportet me shtetet e veçanta, duke u dhënë përparësi atyre shteteve që kanë një rol antirus. Faktikisht, mundet edhe fatkeqësisht, por fuqia e shqiptarëve si komb është pikërisht në këtë rol. Nuk është rol që e kanë zgjedhur shqiptarët me vullnet, por është rol që ua ka imponuar Rusia me politikat e saj gjenocidale pansllaviste, si në të kaluarën, ashtu edhe sot.

Burimi: Shenja.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.