Kursi i ri politik: Ndërzim i socialistit me protestuesin
Është e pabesueshme sesi qetësia mizore e pushtetit sheh dhe kërkon përfitim te një protestë studentore që do të duhet të legalizonte nevojën për korrigjim. Cinizmi është kthyer në editorialin e përditshëm të qeverisjes, përderisa frika dhe zullumi janë bashkuar në aleancën e përditshme të zhvatjes majtas për të fituar statusin e djathtë të pasanikut.
Përndryshe, protesta do të duhet t’i jepte një kryeministri të gjithë forcën dhe argumentin për të ligjëruar ndryshimet në qeveri. E kundërta ndodhi. Ndryshimet ndodhën pasi të gjithë të shkarkuarit morën notën 10. Por a është qeverisja një kontratë me qytetarët, një detyrë që buron nga objektivat? Mesa duket jo. Qeverisja është kontratë me emocionet dhe llogaritë e Edi Ramës, në vargun e halleve të të cilit janë shtuar vullnetarët dhe profesionistët e argumenteve “morale”. Në një status në Facebook që është rishpërndarë në media, Petro Koçi, dikur një nga katër - pesë figurat drejtuese të PS-së, sot koleksionues entuziast i titullit, zv.sekretar për Bashkëqeverisjen e Aleancat dhe me detyrën e zv.ministrit të Mbrojtjes shkruan:
Ne do të përpiqemi që edhe nga Lëvizja studentore të bëhen pjesë e listave tona. Ne jemi të hapur që përfaqësues të studentëve të jenë në lista. S’ka vetëm forume partiake, por do të ketë edhe njerëz që vijnë nga grupime të ndryshme. Protesta i hapi sytë politikës, dhe me të drejtë Rama tha se lëvizja studentore ishte një shuplakë. Në emër të kësaj mirënjohjeje dhe duke patur parasysh se ky është një resurs njerëzor i pazëvendësueshëm. Ata që kanë qenë pjesë me integritet e lëvizjes kanë mirënjohjen e PS
Dhe Petros i do besuar. I do besuar jo se kjo që thotë ai do të ndodhë, por që ai e beson se kështu duhet bërë. Karriera e z. Koçi na mëson këtë gjë: që ai beson në më të mirën.
Vetëm se për aq sa kuptojmë, protesta në vetvete mishëron dhe përçon kundërshtimin ndaj qeverisjes e cila nuk akuzohet për gabime, por për faje të mëdha. Kryeministri tha se protesta ishte shuplakë. Dhe se ai ktheu faqen tjetër. Një Kristian i vërtetë. Këtë përsërit edhe z. Koçi duke parë te protesta një mundësi për zgjerimin e radhëve të socialistëve. Socialistë të rinj, faqe skuqur nga shuplaka si këto që i hapin sytë qeverisjes?
Por zoti Koçi që ka qenë ministër vetë mund të na përgjigjet: pse i kishte mbyllur sytë qeverisja e sondazheve dhe e bashkëqeverisjes? Çfarë e dehu këtë kabinet kryezotësh të Shqipërisë sonë të dashur dhe vojtur sa më s’ka? Ku humbi shikimi i tyre prekës, ku shkuan ato puthje duarsh të nënave elektorale që shfaqen si postera të fisnikërisë së tribunit socialist? Patjetër që ai shikim është tretur në horizontin me ngjyra kartëmonedhash të prokurimeve dhe koncesioneve…Piktura e vetme që kupton socialisti i gjeneratës së re.
Zoti Koçi i shkon deri në fund kriterit moral, kur çuditërisht aplikon qasje moralizuese si socialist syhapur: në listat e partisë do të përfshihet pjesa me integritet. Po deri më sot çfarë ndodhte xhanëm? Apo shqiptarët ishin në kazan?
Patjetër që tani duhet të jetë më e lehtë kjo meqenëse disa ministra u hoqën sa hap e mbyll sytë. Të ligjtë ikën me medalje. Dhe patjetër që oferta e pushtetit, njësoj si me Taulantin që kërkon një Plagjiaturë, është e parezistueshme.
Të bëhem njëherë ministër, pa qameti të bëhet!
Të bëhem një herë socialist, se protestues isha dhe ku i dihet!
Karrierë është edhe kjo.
Ky propozim për ndërzim social-politik në të vërtetë tradhëton ateizmin e zotit Koçi dhe të vetëve sepse i përgjigjet parimeve të seleksionimit. Socialistët mesa duket po përmirësojnë rracën e tyre politike me gjak të ri protestuesish shpuzë që zunë bulevardet dhe tani kanë përpara korridorin e karrierave politike. Me siguri që nuk do të jenë të pakët ata që do të rendin ta kapin këtë avenir. Sepse protesta në fakt bën me dinjitet dhe integritet edhe të zakonshmin, edhe atë që ka si punë të parë mbajtjen e duarve në xhepa. Pa integritet mund të jenë protestuesit e PD-së, LSI-së, të Lali Erit, edhe pse ajo parti derën nuk e mbyll për askënd. Mjafton vetëm dëshmia e penalitetit.
Përtej shakave; nuk pritej kjo nga një njeri si Petro Koçi, që pavarësisht sesi e gjykojmë e ka dashur, apo të paktën ka besuar te ajo parti. Nuk pritej ky regjistër të foluri, i Rilindjes së Edi Ramës, nga zoti Koçi sepse është një regjistër që i rri keq. Që nuk i përshtatet sado pragmatist të të detyrojë jeta të bëhesh. Sepse ish-sekretari Organizativ e di shumë mirë që protesta ishte modeste në kërkesa, e vrullshme në nisje, e topitur rrugës dhe e kompromentuar. Por në ditët e para të saj aty ishte me mendje një shumicë njerëzish që donin vetëm një gjë: që ky që kthen faqen tjetër, e që mund të kthejë çdo gjë për karrige, kryeministri i z. Koçi, të ikë.
Add new comment