Britania drejt të panjohurës
Kryeministrja britanike, Tereza Mei paralajmëmroi se Britania do të futet në një terren të panjohur dhe të pasigurtë financiar nëse plani i saj për marrëveshjen e Brexit do të refuzohet nga parlamenti. Duke folur për BBC shefja e qeverisë britanike mohoi se do të kërkojë shtyrje të votimit të parashikuar në 14-15 janar.
"Nëse marrëveshja nuk miratohet në votimin e radhës, atëherë me të vërtetë do ta gjejmë veten në një territor të paeksploruar. Shtyrje të tjera nuk do të ketë. Dhe unë vazhdoj të bëj thirrje që marrëveshja të votohet, pasi në të kundërt nuk do të arrijmë afatin e përfundimit të procesit të Brexitit që përmbyllet në Mars. Kjo do të rrezikonte të ardhmen e vendit.”
Marrëveshje duhej të ishte votuar që në fillim të dhjetorit, por kryeministrja Mei vendosi ta shtyjë pasi nuk arriti të bindë të gjithë deputetët konservatorë për t’a mbështetër. Gati gjysma e konservatorëve, akuzojnë kryeministren May se ka negociuar një marrëveshje që e vendos Britaninë në marrëdhënie vasaliteti me Bashkimin Europian. Nëse marrëveshja nuk miratohet Britania rrezikon të dalë pa asnjë marrëveshje tjetër nga unioni, çka sipas ekspertëve mund të shkaktonte katastrofë financiare në Britaninë e Madhe.
Add new comment