Shpifja(pretendimi) në përpjestim të drejtë me mungesën e informimit nga institucionet publike
Kryeministri ka nisur luftën kundër shpifjes duke përpiluar një paketë nenesh që janë shumë të diskutueshëm, por nga ana tjetër sjellja e institucioneve publike lidhur e dhënien e informacionit është përkeqësuar. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave dhe të drejtën e Informimit, Besnik Dervishi, raportoi sot në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku ka bërë të ditur se numri i ankesave për informimin këtë vit është rritur me më shumë se 200 në krahasim me vitin e kaluar.
Deri në fund të muajit nëntor nga zyra e komisionerit janë administruar gjithsej 745 ankesa. Kjo ka të bëjë edhe me një lloj problematike që ka filluar të vihet re në muajt e fundit te autoritetet publike, ku jo çdo gjë ka funksionuar siç duhet
deklaroi Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit.
Në krye të listës qëndrojnë bashkitë ndërkohë që komisioneri ka vënë në dukje se në administrin e të dhënave një problem është edhe informacioni i tepërt që kërkojnë bankat e nivelit të dytë në Shqipëri.
Duket si ironike që pretendimi i qeverisë për shpifjen dhe përhapjen e saj vjen në përpjestim të drejtë me mosdhënien e informacionit dhe ky është një relacion që nuk mund të injorohet në diskutimin për paketën antishpifje.
Add new comment