Të ka mbetur vetëm Kazani...
Servilët kanë nisur të dalin nga kllapia e ditëve të para. Ditëve kur mediat e pushtetit nuk dinin se çfarë të thoshin për protestën, për studentët. U zgjatën, në majë të gishtave, kryeministri i pari si më skërfyelli i të majtës, për të parë ndonjë Luli, apo ndonjë Monika në turmë.
Hiç. Asgjë. Vetëm studentë që protestonin kundër tarifave. Hijenat e pushtetit lanë sheshin për t’u fshehur, për të pritur. Fitorja e parë erdhi sapo u kuptua se protesta kishte të dëshpëruar. Të mërzitur për tarifat. Nuk kishte aty “sy ujqërish”, nuk kishte urrejtje, tërbim për grabitjen që po i bëhet këtij vendi 24 orë rresht.
Nuk jam narkotrafikant, nuk kam vjedhuuuuur!
Kështu do të bërtiste Kryeministri Edi Rama para studentëve dhe televizioneve. Ai u përball me frikën e vet, me frikën se dikush do t’i thoshte në sy: Ti je hajdut! Ti je njeri i krimit dhe po çon në humnerë këtë vend. Ne po protestojmë për tarifat, por Ti duhet të ikësh sepse po ble të ardhmen tonë.
Askush nuk foli, askush. Dhe heshtjen tonë, këtë tipar që nuk na ndahet, do ta paguajmë sërish shtrenjtë. Do të duhet kohë që qytetarët të kapin rrugën, t'i demonstrojnë edhe njëherë, vetes dhe mandej edhe qeverisë, partive, se pushteti real është i tyri. Vjedhja po, është e qeverisë, partive.
Ndaj edhe këto ditë skuthat, servilët, puthadorët, elita e udhëtimit të parë të "Air Albania" ka nisur të nxjerrë kokën, të flasë për çantat dhe bllokime rrugësh, të ankohet se opozita ja mori protestën studentëve. Ndërkohë që për asnjë ditë nuk thanë gjysmë fjale për drejtësinë e protestës, për raportin e saj me abuzimin e pushtetit. Nuk kanë sy për ta parë? Sigurisht që kanë, por janë paratë, ato të cilat nuk ka nevojë për NIPT që të kalojnë në shumë forma, edhe përmes institucioneve publike me buxhet të lartë.
Ky është kazani i vërtetë, aty ku hanë kërmat, ku shumohen, ku shohin veten, rreth të cilit mblidhen dhe shajnë shqiptarët. Ku tallen me pabuksat, e ku ndoshta bëjnë edhe ndonjë gjë tjetër që nuk ka interes publik e që duhet mbajtur larg për arsye higjene.
Lapërdhia e këtij kazani është orgjia e pushtetit me gënjeshtrën, që sot sundon ligjërimin publik. Dhe pushteti është edhe opozita zyrtare, e keqja e domosdoshme. Nuk mjaftojnë as pështymat e 3 milionë shqiptarëve për të poshtëruar këta gargantua të pashpresë të rracës njerëzore, këta masturbues të hijes së njëri-tjetrit, këta kacavjerrës me riprodhim të pakontrollueshëm në këtë vend. Nuk ka karantinë të izolojë epideminë e moralit të këtij sorollopi që ka aq frikë sa edhe mbllaçitjen e përnatshme, me gojët e shtrembërta poshtë kokëve të ngjashme, duket sikur e përjetojnë si autokritikë ndaj nënës Natyrë që u fali dritën, por kurseu - për të mirën tonë - mirësinë për t’u dhënë një fytyrë të denjë. Për ta nxjerrë të Vërtetën në po atë dritë...
Add new comment