Skandali i Unazës së Re, dy rrugë për Gjiknurin: Dorëheqje, ose pranga
Skandali i zbuluar nga tpz.al ku një kompani që fiton tendera publikë në Shqipëri ka falsifikuar firmën e një zyrtari amerikan përbë një pikë ngopjeje për raportin që kjo qeveri ka me ligjin dhe legjitimitetin.
Në rastin e projektit të Unazës së Madhe kjo vlen dyfish për shkak se përpara se të sqaronte banorët, qeveria dhe pisi i saj në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, çfarë nuk thanë për ta. Shpellarë ishte etiketa që doli nga goja e kryebashkiakut që ka zakonin të flasë për pakica të zhurmshme që i dalin përpara në vegimet e tij për progresin.
Sot projekti është pezulluar, sot ARRSH u kujtua të bëjë verifikime, sot edhe Prokuroria pretendon se do bëjë hetime. Por çfarë mbetet t’u thuhet banorëve që po i nxjerrin nga shtëpia pa një dëmshpërblim të drejtë, sipas letrave të gjeneruara nga ky shtet? Sipas disa të dhënave në media për këtë zullum alla Rilindje, edhe FBI-ja amerikane do nisë hetimet.
Akti i zbuluar nga mediat dje është shkak qenësor për përshkallëzim proteste në kuptim të fakiti real se kjo qeveri në rastin më të mirë nuk ka kapacitetet të kontrollojë ligjshmërinë e proceseve që ndërmerr vetë, duke rënë në arbitraritet. Në rastin më të keq këtu kemi të bëjmë me një vjedhje ku ministri Infrastrukturës ka përgjegjësi direkte. Damian Gjiknuri ka mbrojtur projektin duke folur në mirëbesimin e punës teknike që është bërë. Nëse ai sot po çuditet pse dalin ca dokumente false, minimalisht duhet të japë dorëhqeje. Nëse verifikohet që ai ka qenë në dijeni, atëherë për të duhen byzylykët. Heshtja dhe anashkalimi është në çdo rast ftesë për mosbindje civile ndaj një qeverie që është kapur në vjedhje dhe ka humbur legjitimitetin.
Add new comment