Nga Olti Peçini tek Avdiol Dobi. Nga Sali Berisha tek Edi Rama...
Një mjek stomatolog dhe një recepsionist mund t’i bashkojë çdo gjë në këtë botë, por vetëm në Shqipërinë e Sali Berishës dhe të Edi Ramës, që është e njëjta gjë, i bashkon fakti se ata bëhen pronarë kompanish që marrin konçesione në milliona euro.
Ja shembulli:
Më 16 shtator 2013 qeveria e z. Berisha kaloi në Parlament dhe miratoi kontratën koncesionare të skanimit fituar nga OSI Systems. Kjo e fundit I kalon 49% të aksioneve për vetëm 5 mijë lekë të vjetra një partneri shqiptar, S2 Albania, në drejtimin e një dentisti me emrin Olti Peçini.
Konçesioni i Rapiscan mendohej se do fitonte 210 milionë euro në 15 vjet për një shërbim ekskluziv, ndaj shitja për 5 mijë lekë e gati gjysmës së aksioneve ndaj një partneri ngjan diçka e dyshimtë. Shumë e dyshimtë.
Sali Berisha iku nga pushteti dhe bashkë me të edhe llokumja e skanimit për të cilin ky që sot është kryeministër jo vetëm nuk bëri gjë, por as nuk na tha se kush e ka.
Tani i erdhi radha recepsionistit Avdiol Dobi. Siç është raportuar së fundmi ky person i moshës 26 vjeçare qëndron pas kompanisë amerikane DH Albania që ka fituar tenderin për Lotin I të Unazës së Madhe në shumën e 18 milionë eurove. Flluska ka dy ditë që ka shpërthyer dhe mediat raportojnë se Dobi ka ikur nga Shqipëria.
Le të na thotë sot kryeministri dhe kopeja që e ndjek se ku qëndron ndryshimi mes qeverisjes së tij dhe asaj të Sali Berishës. Dhe nëse nuk e ka të qartë – meqenëse siç është shprehur vetë një mësues vizatimi është - le të pyesë Ridvan Boden se ja sqaron gjerë e gjatë.
Add new comment