Katrougalos: I parakohshëm një takim i Tsipras me Ramën
Qëndrimi i Greqisë për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri mbetet i panegociueshëm. Kështu deklaroi zv/ministri i Jashtëm grek George Katrougalos në një konferencë me korrespondentët diplomatikë në Ministrinë e Jashtme.
"Ne presim të shohim zbatimin e legjislacionit mbi pakicat që është miratuar nga fqinjët. Kjo për ne është një element kyç, jo vetëm pse mbrojtja e pakicës sonë është një prioritet kombëtar, por edhe për perspektivën evropiane të Shqipërisë"- tha zv/ministri Jashtëm, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve.
Në lidhje me ecurinë e negociatave mes dy vendeve, Katrougalos tha se ato "ishin shumë afër përfundimit, para largimit të Nikos Kotzias nga posti i Ministrit të Jashtëm, por gjithçka u stopua më pas edhe për shkak të ngjarjes në Bularat. Ka një dëshirë të përbashkët mes dy vendeve për të nxitur këto diskutime”- theksoi Katrougalos.
Për deklaratat e Ramës
I pyetur rreth deklaratave të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se pritet të takohet së shpejti me homologun Tsipras, Katrougalos u përgjigj se nuk është përcaktuar deri më tani as vendi dhe as koha e takimit.
"Është e parakohshme të paracaktojmë ndonjë përmbajtje të takimit apo nëse ai do të nxisë më tej diskutimet, sepse ne presim që pala shqiptare të reagojë në lidhje me ligjin për pakicat. Është logjike që dy udhëheqësit të takohen në një moment për të kapërcyer problemet e krijuara nga vdekja e Katsifas"- tha zv/ministri i Jashtëm grek.
Add new comment