Kush i ka (keq)përdorur mediat e Bollinos?

Postuar në 01 Dhjetor, 2018 14:59

Kush bën ndonjë xhiro nga faqja online e “shqiptarja.com” mund të vërë re thuajse në mënyrë të përditshme, në ndonjë prej rubrikave njoftimin: Ekskluzive. Nën këtë term publikohen lajme që nuk i ka kush tjetër, e të cilat media në fjalë pretendon se i ka zbuluar me burimet e veta.

Faqja online e “shqiptarja.com” është shpesh tabelë qitjeje e komenteve me vlerë operative nëse mund të shprehemi kështu. Ja një shembull mund të shihet këtu. Kush lexon komentet aty e kupton se emisioni i fundit në Top-Channel, Top-Story, që u mor me të zhdukurit në Vlorë dhe bandën e Edison Harizajt, është shumë i vonuar. Ai rrëfen të njëjtën histori që vihet re në komentet e gazetës me ndryshimin se ka marrë prononcimin e disa familjarëve të viktimave.

Gazeta e Carlo Bollinos ishte e para për publikime “ekskluzivesh” edhe gjatë çështje “Doshi-Meta” kur materiale të prokurorisë rridhnin te kjo media duke përcaktuar deri diku ecurinë e hetimeve dhe ndikimin në publik. Nga rrjedhin këto të dhëna ekskluzive? Si është e mundur që materiale që janë sekret hetimor kapen prej një medieje?

Këtë enigmë të madhe të tranzicionit shqiptar na e sqaron së fundmi vetë botuesi i medias në fjaë, Carlo Bollino, i cili përmes një opinioni të datës 29 nëntor, me titull: Si t’ia bëjnë gazetarët kur janë edhe prokurorët që përhapin fake news?,  na thotë se dikush nga Prokuroria e ka përdorur median e tij dhe se nëse do të vazhdohet kështu, atëherë ai do të publikojë emrin.

Gazetarë seriozë ka, por shpesh nuk janë të tillë përfaqësuesit e Shtetit. Është shumë e rëndë të zbulosh që prokurorë, policë dhe politikanë gënjejnë me ndërgjegje kur flasin me gazetarët. Dhe këtë herë nuk e kemi fjalën për gënjeshtrat që thonë në konferenca shtypi, në Parlament apo në mediat sociale, por për ato gënjeshtra të paverifikueshme që thonë kur të thërrasin privatisht dhe të japin “lajme” në mënyrë konfidenciale. “Po ta them, por ti mos më përmend mua”, të thonë. Kështu, gazetari publikon lajmin e rremë duke i zënë besë burimit dhe duke e mbrojtur si të ardhur nga “burime”.

Shumë nga fake news-et në Shqipëri lindin pikërisht në këtë mënyrë: nga përfaqësues të institucioneve që mashtrojnë gazetarët. Në botën perëndimore gazetarët mbrohen nga fake neës-et duke i verifikuar ato tek institucionet. Po si t’ia bëjnë gazetarët shqiptarë, kur janë vetë përfaqësuesit e institucioneve ata, që përhapin fake news? Metoda e vetme është të prishet pakti i anonimatit: kur një burim institucional apo politik që ka kërkuar anonimatin gënjen, gazetari ka të drejtën ta denoncojë publikisht, duke i nxjerrë emrin dhe mbiemrin. Një prokuror që i jep lajm të rremë një gazetari është një mashtrues, që nuk meriton asnjë mbrojtje. Dhe, kush e di, pasi është denoncuar publikisht, ndoshta zbulohet edhe se në interes të kujt (apo për të përfituar çfarë) ai ka vendosur të gënjejë

thotë Bollino.

Mesa duket ajo që shpesh duket si vijë editoriale, apo “lojë” e hollë e Bollinos, paska qenë një keqpërdorje nga Prokurorë të caktuar që luftën e tyre për inetersa të paqarta e kanë zhvendosur në media. Dhe kanë gjetur një vrimë të zezë te mediat e z. Bollino që sot duhet përgëzuar për kurajën për ta denoncuar këtë fakt. Mbetet për të kuptuar integritetin e gazetarëve të kësaj medieje që në kokë shpall se është më e besueshmja në Shqipëri.

Comments

Submitted by Prokuroria e Ma... (not verified) on

Po cfaj ka prokurori qe flet si ti doje qejfi. Ku keni pare ndonje gazetar qe paska "mik" prokurorin, dhe i boton lajme njeri pas tjetrit, dhe njeri pas tjetrit i dalin fake news. Po nese ai gazetar shkreta nuk e dallon ne mos me te paren, me te dyten. qe eshte fake news, me mire ta lere kete zanat. Eshte pak si vone qe pas disa viteve ta kuptosh qe gazeta jote etiketohet fake news e te kerkosh te kalosh fajin te nje prokuror. Duke njohur shejtanlliqet e Botuesit te Shqiperia.com, do te thoja qe prokurori nuk ekziston, po ky lajm vete eshte nje fake news per te mbuluar fake newset e veta te perditshme

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.