Thjesht, më banal dhe më frikacak se Ahmeti
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Instagram një video montazh ku ironizohet raporti mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Mediat pranë tij e përcjellin me ngazëllim këtë gjë.
Nuk është hera e parë që kryeministri jepet i tëri pas këtyre gjërave. Apo edhe paguan të tretë për t’i realizuar. E rëndësishme këtu është të vlerësohet se çfarë kuptimi ka politika e talljes dhe ironizimit nga një kryeministër? Me lodrat e Edi Ramës patjetër që qeshin socialistët sepse e kanë për detyrë partie. Qesh ai vetë dhe të vetët sepse duhet ta shpikinin suksesin e humorit të tyre edhe kur nuk ka një të tillë.
Talljen e përdorte edhe Sali Berisha kur ishte në pushtet, por më tepër duke folur në vetë të parë. Këtë që bën Edi Rama sot e ka bërë në format e veta ndoshta vetëm Ahmet Zogu. Në kujtimet e veta, Xhelal Staravecka kujton një rast ku Zogu kishte ftuar në pallatin e vet në Tiranë dy bajraktarë që ishin në hasmëri me njëri-tjetrin për t’i dekoruar. Sipas Staraveckës, Zogu duke ditur rivalitetin e tyre e rregulloi që ata të përballeshin në hapësirat e pallatit për të vëzhguar mandej duke qeshur me cinizmë sherrin. Pasojat e kësaj loje ishin jo të vogla: plagosje.
Këtë lloj cinizmi ka përftuar edhe Edi Rama i cili sa më shmë citon Nolin apo Fishtën, dy armiq në mos përçmues të Zogut, aq më shumë merr pamjen e këtij të fundit. Kuptohet pa fron, por vetëm me sediljen e timonierit. Shenjat se ky pushtet ka kapur fundin janë të qarta dhe duken. Por shenjat se ky kryeministër po bëhet barrë për mbarë vendin dhe shqiptarët nuk mund të kalojnë lehtë pavarësisht sesa e shton dozën e karagjozllëkut Edi Rama. Ai nuk ka nevojë për Lal Krosin dhe Musa Jukën, sepse ka në Parlament pafund të tillë. Dhe ndoshta pse e ka më të thjeshtë pozicionin – fundja tiomin mban jo fronin – shfaqet edhe më banal.
Add new comment