Ridvan Bode: Ju tregoj Taksomanin Edi Rama

Postuar në 25 Nëntor, 2018 17:48
Ridvan Bode/Ish-ministër i Financave të Shqipërisë

Edi Rama ka hapur velën e tij për të lundruar në tallazet e fushatës elektorale të radhës. Tre herë rresht varka e tij është mbytur dhe ai vazhdon të endet pa drejtim dhe s’ka spirancë. Këtë herë, vela e re mavi iu gris ende pa provuar dallgët dhe varka ndërron drejtim çdo ditë, çdo javë. Se ai nuk ka program, ai nuk është zgjidhje, ai nuk bën ekip.

I vetëm, i çorientuar lëkundet një herë këtej, njëherë andej, thjesht i përçartur. Disa thonë se Rama është i paparashikueshëm. Ca të tjerë se është ekscentrik. Dy herë nuk thotë të njëjtën gjë.  Por ama ka një gjë për të të cilën Rama është gjithmon konsistent: kjo është mania e tij për të rritur progresivisht taksat kudo, kurdo dhe ndaj të gjithëve. Dhe këtë ves tani e njohin të gjithë! Edi Rama rriti progresivisht taksat si kryebashkiak i Tiranës dhe kjo sigurisht dëmtoi bizneset, investimet e tyre, punësimin e qytetarëve.

-Në vitin 2003, Rama krijoi një taksë të re, duke ia ngarkuar këtë çdo shqiptari që kalonte një natë në hotel– 5% më shumë vetem për të fjetur;

-Në vitin 2005, Rama rriti taksën në tabelat identifikuese të biznesit me 50%.

-Në vitin 2008, ai rriti taksën e reklamës së bizneseve dhe sikur të mos mjaftonte, në 2009 e trefishoi atë.

Por nuk ndaloi me kaq:

-Rama rriti taksat për tabelat e restoranteve me 400%.

-Rama krijoi një taksë të re për bizneset, duke i ngarkuar ata me 500 mijë lekë në vit.

-Rama rriti taksën e pastrimit për bizneset më të vogla me 5 herë herë, dhe bizneset e mëdha paguanin deri në 223 mijë lekë në vit.

Z. Rama është një taksërritës serial, pushteti në duart e tij është rritje progresive e taksave për bizneset.  Por z.Rama nuk është vetëm një taksarritës serial, vetëm ndaj bizneseve! Ai ka arkivuar deri më sot rekordet e çdo pushtetari në rritjen e taksave mbi të punësuarit, rrogëtarët, familjarët në nevojë, për të cilët në këtë fushatë elektorale derdh lotë krokodili.

-Rama krijoi një taksë gjelbërimi për familjet dhe më pas e rriti atë deri 250%, e riste sa më shumë përparonte betonimi mbi sipërfaqet e gjelbra nga pallatet e klientëve të tij.

-Rama rriti taksën e pastrimit me 50 herë, nga 100 lekë në 5000 mijë lekë për çdo familje, çdo vit.

Dhe të jemi të qartë, kjo nuk ishte rastësi – ishte zgjedhja e tij.  Kur ai iku nga posti dhe kryebashkiaku ynë u zgjodh, 60 tarifa dhe taksa u eleminuan dhe u reduktuan.

Si taksoman që është edhe në këtë fushatë elektorale, të parën gjë që u tha shqiptarëve ishte rritja progresive e taksave, çka do të thotë jo barazi, jo drejtësi në pagimin e taksave.

Por e keqja nuk ka fund. Edi Rama as nuk tregon se sa, në çfarë mase ai kërkon të rrisë taksat – ai thotë “shihemi pas zgjedhjeve”. Nga 10% që janë do t’i bëjë 30%? 40%? 50% apo më shumë? Se nëse shohim të shkuarën e tij, çdo gjë është e mundur. Si ekscentrik që është deklaron çdo ditë nga një modifikim, nga një lëshim, nga një tërheqje, sipas mexhlisit ku ligjëron dhe përsëri rikthehet e rithotë atë që ai di të bëjë më mirë: rritjen progresive të taksave!

Ai është një taksrritës i pandreqshëm dhe një mace e zezë për biznesin e qytetarët që do të paguajnë këto taksa.  Ne dimë me siguri një gjë dhe e kemi të provuar. Plani i Ramës për rritjen progresive të taksave, do të pengojë bizneset për të investuar më shumë, për të hapur vende të reja pune, për të paguar më mirë të punësuarit. Ai kërkon më shumë pushtet mbi bizneset dhe qytetarët dhe ka zgjedhur për këtë rritjen progresive të taksave! Ka vendosur të bëjë ndarjen e bizneseve dhe qytetarëve në klasa. Rama dhe kupola mavi do të përcaktojnë se kush do të hyjë në klasën që paguan më shumë e kush që do të paguajë më pak.

Ai nuk do një treg konkurues dhe të lirë ku gjithsecili të mund të fitojë sipas aftësive të veta, por një treg ku fatet e gjithsecilit të varen nga vendi që do t’i caktojë ai secilit në shkallaren progresive të taksave të tij vrasëse.  Rama tremb çdo ditë investitorët e huaj dhe vendas duke deklaruar publikisht se pushteti i tij fillon nga zerimi i çdo statusi të mëparshëm të tyre në treg, qoftë edhe me ligj.

Rama është armik i lirisë, konkurencës, stabilitetit të ekonomisë. Gjithë bota tashmë e di se rritja progresive e taksave vret rritjen ekonomike, vret punësimin, vret fuqinë blerëse, prek moralin dhe drejtësinë e tregut. Por ne shqiptarët dimë dhe një gjë tjetër: taksa progresive në duart e Edi Ramës është hanxhari pezull në qafën e çdo biznesi apo qytetari. Dhe nuk është fjala vetëm për njerëzit e biznesit

Prej muajsh ka filluar publikisht gjuetinë e tij ndaj pagave të larta dhe të ardhurave të larta. Ne të gjithë e dimë se rritja e pagave dhe sigurimi i të ardhurave më të mira janë burimi I kursimeve dhe ritjes së depozitave.

Pa kursime nuk ka as kredi, as investime, as ritje ekonomike e sigurisht ,as krijim të vendeve të reja të punës. Goditja e kursimeve është dënim për zhvillimin e perspektiv të vendit, është privim për një rritje të mirëqenies së përgjithshme shoqërore.

Shihni se ç’ndodhi me ekonominë tonë dhe ekonomitë e rajonit përgjatë periudhës së krizës: kursimet e brendshme (depozitat) në ekonominë tonë janë rritur mesatarisht me 10% në vit në katër vitet e fundit, ndërkohë që në rajon mesatarisht me 5.7% (8 vite të shkuara kursimet tona ishin sa gjysma e mesatares së rajonit), nga ana tjetër investimet gjithësej në ekonomi janë sa 27% e PBB dukshëm mbi mesataren e rajonit. Kurrë s’kanë qenë të tilla më parë.

Këto janë rezultat i taksave të ulëta dhe të njëjta që i dhanë bizneseve mundësi për të investuar më shumë dhe shqiptarëve për të kursyer më shumë. Politika e PD-së për të ritur të ardhurat në dispozicion të individëve e bizneseve nuk është vetëm një zgjidhje sociale për një mirëqenie më të lartë, por edhe një zgjedhje në modelin tonë ekonomik, për të rritur kursimet, investimet dhe punësimin.

Rama në kërkim të një programi për alternativën e tij mavi, i është adresuar doktrinës së etërve të vet, thërret edhe një herë në ndihmë Marksin për të justifikuar maninë e tij për rritje progresive të taksave, çirret në tribuna me sloganet e Sen Simonit për “socializmin e barazisë për të gjithë” që ai do ndërtojë, ku nuk do të ketë diferenca midis njerëzve dhe të gjithë do kenë të njëjtin fat. (Në të vërtetë këtë fat shqiptarët e provuan për 4 dekada dhe e dinë se çfarë është.) Në këtë të fundit, se do t’u rezervojë të gjithëve të njëjtin fat, ç’është e vërteta unë e besoj Edi Ramën.

Përveç klientelës së tij, ai të gjithë shqiptarëve do t’u rezervojë të njëjtin fat, varfërim, papunësi, padrejtësi, izolim, skllavërim. Me taksën e tij progresive vetëm kupola mavri do jetë e lumtur për të shtypur e eliminuar këdo që beson te tregu dhe te liria

Eksperienca e pushteteve socialiste, modelit që predikon sot Edi Rama dhe në botë, është eksperienca e pushteteve të nomeklaturave, që kujdesen vetëm për vete dhe që vendosin veten e tyre mbi ligjin. Kjo që them nuk është një konsideratë politike. Shihni me kujdes qëndrimin e Ramës për një çështje që tashmë njihet mirë nga publiku i gjerë: Deri dy javë më parë, ai tha se ishte pro ngritjes së Gjykatës Administrative, edhe pse po e bllokonte atë sic mendojnë të gjithë, për strategji elektorale.

Kjo gjykatë do të zgjidhë mosmarrëveshjet mes bizneseve dhe mes bizneseve e qeverisë, dhe do të sjellë një fushë loje të ndershme dhe konkuruese, që do të ndihmojë klimën e biznesit, dhe do të krijojë më shumë vende pune. Të gjithë grupimet e biznesit e kanë mbështetur këtë propozim...por jo Edi Rama. Edi Rama tha se Gjykata Administrative është një thertore për biznesin dhe në vend të një arbitri të pavarur dhe të paanshëm administrativ, ai kërkon të ngrejë një zyrë politike afër tij, që të kujdeset për mosmarrëveshjet…Tani, për të gjithë kjo është qartësisht e kuptueshme: ai kërkon që Rama vetë të jetë edhe taksidari edhe gjykatësi, ai të caktojë fituesit dhe humbësit, pak a shumë të detyrojë bizneset të luajnë ruletë ruse ngjitur me zyrën e Ramës. Dhe është një sistem që e kemi hequr mbi kurriz dhe që nuk besoj se të jetë harruar.

Ne jemi në kohë për të ndaluar dhe zhbërë planin e Edi Ramës për të ritur taksat, për të shkatëruar punësimin, për të dëmtuar perspektivën tonë për mirëqënie shoqërore. Ne e kemi ndaluar atë më parë, edhe kur prezantuam taksën e sheshtë, edhe kur i hoqëm mundësinë që t’i riste ato si kryebashkiak. Tani është në dorën tuaj, qytetarë te Shqipërisë!

Të gjithë e dimë programin e z.Berisha, ai ka thënë se nuk do t’i rrisë kurrë taksat. Pikë. Dhe vendimet e tij vërtetojnë fjalët e tij – ai e ka mbajtur premtimin.

Të gjithë e dimë se taksa jonë proporcionale, e sheshtë, nga më të ulëtat në botë, është ajo që na duhet. Është ajo që na mbajti jashtë krizës, që solli investimet më të larta në rajon, që vijon të rrisë punësimin.  Nëse doni të dini për planin e Edi Ramës ai e ka thënë: rritje progresive. Sa? Si? Shihemi pas zgjedhjeve thotë ai.

Prandaj të gjithë së bashku, t’i themi ‘JO’, planit të Ramës për rritjen progresive të taksave;

T’i themi ‘Po’, taksave të ulëta e të drejta që shtojnë vendet e punës dhe të ardhurat nga puna për të gjithë shqiptarët.

***

Shënim: Kjo është fjala e Ridvan Bodes mbajtur në Konventën e PD-së në mars të vitit 2013. Shkrimi është marrë nga profile në Facebook i z. Bode dhe po e ripublikojmë meqenëse kryeministri Edi Rama e ka propozuar këtë të fundit për Këshillin Mbikëqyrës të bankës së Shqipërisë. Sot kryeministri ka llomotitur arsyet e veta se përse e nxori Boden aty ku e nxori, duke e cilësuar si ekspert. Mirëpo nëse i hedhim një sy shkrimit – duke shpresuar se është i vërtetë dhe duket i tillë – shohim se ndarja mes këtyre dy njerëzve është e thellë, ideologjike gati. Nëse shohim Boden e vitit 2013 ne na duhet t’i besojmë profecive të tija, teksa sot shohim se ai po hyn nga një derë e pasme e BSH-së. Nuk dihet i kujt është turpi në këtë vend, se ku ka emigruar dinjiteti dhe se çfarë kuptimi ka në fund të fundit termi pushtet kur të gjithë poshtërohen kaq shumë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.