Midis shkrimit dhe shqiptimit*
Po ndiqja në TV dy çuna diçka si 10-12 vjeç që po u përgjigjeshin pyetjeve të një gazetareje në Panairin e Librit; kur njëri prej tyre përmendi “Shpellën e piratëve” të Petro Markos, si një libër që i kish pëlqyer shumë, ia shqiptoi titullin /shpella e piratve/, duke e bjerrë ë-në pastheksore; por këtu i ndërhyri shoku i vet, për ta korrigjuar: “Shpella e piratëve”, i tha, madje duke e zgjatur pak ë-në, si t’ia kërkonte metrika e një vargu apo kënga.
Kam shkruar për këtë lloj hiperkorrektizmi më parë (Të flasësh me drejtshkrim); edhe atëherë po ndiqja një emision fëmijësh në TV, dhe ai djali që fliste shpjegoi, pikërisht, se “po fliste me drejtshkrim”, prandaj edhe refuzoi një variant fonetik dialektor (tirôns) në emër të standardit (tiranas). Por rasti i tanishëm ndryshon disi, sepse nuk është më fjala për raportin standard/dialekt, që ruhet edhe në regjistrin e folur; por për shqiptimin e ë-së pastheksore, që lidhet me ekonominë fonetike të së folurit.
Toskërishtja e folur mund ta ruajë ende këtë lloj ë-je: mund ta përfytyroj në gojën e një korçari (ose edhe më mirë, korçareje); përndryshe, në regjistrin e folur të standardit, ajo dobësohet shumë dhe praktikisht nuk dëgjohet më. Aq më tepër që fjalë si piratëve, të shqiptuara si katër-rrokëshe, do të tingëllonin si pre-paroksitone – me theksin dy rrokje para fundit, dhe prirja e shqipes këto shekujt e fundit ka qenë që t’i eliminojë format pre-paroksitone në eptim (forma si vajzënë, këmbënë me gjasë do të dëgjohen sot vetëm në ndonjë këngë popullore). Shkurt: standardi mund të kërkojë formën piratëve në të shkruar, por nuk e kundërshton shqiptimin e kësaj fjale si piratve(1) në regjistrin e folur dhe as duhet ta kundërshtojë.
Këtu mund të pyetet se pse e korrigjoi ai djali shokun e vet; ç’e shtyu të ndërhynte, pse ia vrau veshin forma piratve, e cila sot vjen më natyrshëm se piratëve dhe është edhe më “ekonomike”. Me gjasë, ai ka rimarrë ose përshtatur ndonjë lloj të ngjashëm korrigjimi që ka dëgjuar nga mësuesja në klasë, orën e gjuhës shqipe – dhe nëse është kështu, atëherë keqkuptimi i normës e ka origjinën te mënyra si disiplinohen nxënësit me standardin në shkolla; dhe pikërisht, te ngatërrimi mes shqipes së shkruar dhe shqipes së folur.
Edhe ne na e kanë ngulitur, në shkollë, se shqipja “shkruhet ashtu siç shqiptohet”; por ky parim, herë i paqartë dhe herë tjetër i pasaktë, i njohur edhe me emrin “parimi fonetik”, në praktikë gjen zbatim i kthyer përmbys – meqë disa prej nesh, në përpjekje për të ndjekur “rregullat” (normën), e shqiptojnë shqipen ashtu siç shkruhet, duke e kthyer parimin kokëposhtë. Këtu mund edhe të diskutohet se kur shkruajmë, nuk është se ndërmarrim ndonjë transkriptim “fonetik” të çfarë themi me vete, por i shkruajmë fjalët ashtu siç i kemi shkruar më parë ose siç i kemi parë të tjerët t’i shkruajnë dhe siç i ndeshim në tekstet, në kuptimin që lidhja mes shkrimit dhe ligjërimit të folur nuk është asnjëherë kaq e pandërmjetësuar, sa ç’pretendon parimi. Më e saktë do të ishte, në këtë kontekst, që në rastin e gjuhëve si shqipja të flitej për një bashkërendim të ngushtë midis dy rrafsheve, të shkruarit dhe të folurit; dhe “parimin fonetik” ta përmendnim vetëm kur të na duhej të shpjegonim origjinën e drejtshkrimit të shqipes.
Mirëpo nuk ndodh kështu. Shkolla shqipe vazhdon ta shpërfillë dallimin mes shkrimit dhe shqiptimit dhe shumë mësues të gjuhës i përdorin trajtat e shkruara të fjalëve si modele për t’ua rregulluar atyre fjalëve shqiptimin, veçanërisht në zona ku popullsia në të folur përdor gjerësisht gegnishten (dialektin geg): një shembull flagrant për këtë do të ishte Kosova, siç edhe e kanë vënë në dukje kolegët prej vitesh. Madje prej folësve në Kosovë, në kontekste formale, dëgjon shqiptime që në Tiranë tingëllojnë detyrimisht artificiale, si ato që ruajnë – nuk po dua të them “respektojnë” – ë-të e patheksuara të shqipes.
Madje – madje – kjo përmbytje e shqiptimit formal të shqipes nga ë-të e patheksuara u sjell aq bezdi folësve (veçanërisht atyre që vijnë nga dialekti geg), sa jo rrallë i dëgjon këta të ankohen se standardi dëgjohet si të-të-të; duke qenë i mbingopur me këtë zanore. Tani, denduria e ë-ve në shqipen e shkruar meriton të diskutohet veçan, siç edhe është diskutuar; por kjo denduri nuk është e thënë që të përkthehet detyrimisht me të-të-të në shqipen e folur: shqipja nuk shqiptohet ashtu siç shkruhet, përveçse në nivelet më të larta të ligjërimit. Ka një arsye që fjalë si piratëve, kafshëve, enëve shkruhen me ë; dhe kjo arsye nuk është aq “se ashtu shqiptohen”, se ç’ka të bëjë me parimin e ruajtjes së temës së fjalës në eptim (piratë-, kafshë-, enë-; të kihet parasysh që piratë- është tema e shumësit). Gabimi i shumë mësuesve dhe i shumë dashamirësve të tjerë të shqipes standarde dhe nevojës për të ndjekur rregullat e saj ka të bëjë pikërisht me këtë ngatërresë mes dy rrafsheve.
Ata dy çunat që bisedonin për “Shpellën e piratëve” janë në një moshë ku konformimi me rregullat e grupit ka rëndësi kritike; dhe të vjen keq kur sheh që vullneti – në vetvete i virtytshëm – për të përvetësuar shqiptimin “letrar” shkon dëm në përpjekje të tilla hiper-korrekte. Kur i dyti e “korrigjoi” të parin dhe i kërkoi të shqiptonte “piratëve”, gati-gati m’u duk sikur po priste miratimin e një mësuesi të imagjinuar – pse nuk e shpjegoj dot ndryshe ngazëllimin e tij, përveçse si dëshirë për të kënaqur një autoritet, nëpërmjet demonstrimit praktik të përvetësimit të një rregulle (arbitrare). Prandaj edhe tek ai korrigjim pashë shpërdorim të pikërisht atij autoriteti dhe të vetë shqipes standard.
***
1. Mbetet e paqartë nëse zhdukja e kësaj ë-je pastheksore ka çuar në ndonjë zgjatje të zanores së theksuar paraprijëse. Mbaj mend që prof. Bahri Beci, i cili kish bërë matje në terren në të folmen e qytetit të Shkodrës dikur në vitet 1980, më pat thënë se nuk kish konstatuar ndonjë zgjatje në raste të tilla.
Burimi: Peizazhe të Fjalës
*Titulli i autorit: Drejtshkrimi i folur
Comments
Re
Zoteria ne fjale nuk ka vdekur aspak se shqipja po sakatohet nga verioret te cilet kane marre flamurin ne balle per shkaterrimin e te shkruares se kesaj gjuhe ne emer "vetebajraktarizimit" dhe privatizimit sikur te kishin pjelle kete gjuhe.
Problemi tjeter eshte se mesuesit ne shkolla jane ata te cilet nuk mundohen te korrigjojne nxenesit. Nuk do te cuditesha sikur vete mesuesit te mos kalonin provimin e drejtshkrimit te kesaj gjuhe.
Add new comment