Shtëpia mbrohet vetëm me një mënyrë...
E mbani mend kur Spartak Ngjela thoshte në emër të Partisë Socialiste se tre të vdekur nuk janë gjë. Se madje duhen 13 mijë? Po kur socialisti Edi Rama tregonte 21 janarin? Sesi ai kishte qenë një demonstratë për lirinë. Është mirë të kujtohet kjo neveri për të mos lejuar elegjiakët e rremë, vajtocat e shtirura të katër gishtave të një policeje të moralizojnë. Është mirë të kujtohet kjo edhe nga ata që janë në protestë që ndoshta sot procedohen në bazë të ligjit aq e kaq, se asgjë nga këto nuk ka vlerë, pos faktit se ne kuptojmë mirë, deri në kockë, se shtëpia mbrohet vetëm me një mënyrë. Ja sesi e tregonin këta që sot flasin për dhunën ndaj policisë, dhunën që ushtrohej deri më dje po ndaj policisë.
Se për të mbrojtur shtëpinë nuk ka asnjë akuzë që të komplekson. Ka që thonë se po protestove, e bën për të favorizuar Saliun. Edhe kur mbron shtëpinë, edhe kur mbron fëmijët, edhe kur kërkon tarifa më të ulëta në universitet, edhe kur flet për tekstet, edhe kur kundërshton koncesionet, edhe kur ankohesh për çmimin e naftës. Për çdo gjë. Ne të gjithë jetojmë dhe marrim frymë për llogari të Saliut. Lërini këta sazexhinj të kënaqen me muzikën e tyre sepse në fakt janë në parapagim. Lërini të llapin të njëjtin paragraf që u intereson, pse e vërteta është tjetërkund. Ne edhe kur mendojmë se Teatri Kombëtar p.sh që është shumë larg interesit personal nuk duhet prishur, del ndonjë nga këta dhe na “sqaron” se po ndihmojmë Saliun. Këtij infeksioni mediatik i duhet dalë para me buzën në gaz, duke e tallur për atë që është. Seriozisht duhet marrë protesta dhe e drejta. Sot duket sikur pushteti është më i fortë, por e kundërta është e vërtetë. Aq e vërtetë saqë edhe tregëtari meskin Lulzim Basha është i detyruar të shkojë pas protestës e jo ta udhëheqë atë.
Add new comment