Pse nxiton Thaçi të korrigjojë kufijtë?

Postuar në 16 Nëntor, 2018 11:43

Peter Beyer, raportues i grupit parlamentar CDU/CSU për Kosovën dhe Serbinë në Komisionin e Jashtëm të Bundestag-ut, thotë se askush në administratën amerikane nuk është euforik ndaj propozimit të Hashim Thaçit për korrigjim të kufijve.

Ai thekson se është në interes të përbashkët dhe në interes të BE-së dhe të Gjermanisë që këto vende të shkojnë mirë me njëri-tjetrin, në fund që të dy do të jenë anëtare të plota të BE-së.

 

Një propozim për zgjidhjen e çështjes se konfliktit e që vjen nga të dyja palët është ndryshimi i kufijve. Këtë e mbështet Amerika kurse Gjermania është rreptësisht kundër. Përse?

Sepse ne mendojmë se këmbimi i territoreve, sado i strukturuar që të bëhet, mund të prishë stabilitetin e rajonit. Po përmend Republika Srpskan,Bosnjë-Hercegovinën, por ka edhe vende të tjera. Ky është një shqetësim që ndajnë edhe partnerët amerikanë. Pra, nuk është se ata janë tërësisht pro këtij propozimi. Unë sapo u ktheva nga Shtetet e Bashkuara, ku u takova edhe me përfaqësues të lartë të administratës amerikane. As aty askush nuk është euforik ndaj këtij propozimi. Pra, kur thuhet se këtë propozim e mbështet edhe amerikanët, duhet parë se sa aktivë janë.

Edhe në takimet që pata në rajon, përveç presidentit Thaçi, nuk gjeta askënd që ishte pro këmbimit të territoreve. Veç kësaj mendoj se në shekullin 21 i kemi lënë ndarjet e territoreve në bazë të përkatësisë etnike. Por edhe nëse ky propozim do të ndodhte me të vërtetë: Janë vetëm 35 mijë serbët në veri të Kosovës që do të ishin të prekur nga ky kompromis. Por çfarë do të ndodhë me serbët që janë në pjesë të tjera të Kosovës? Ata janë më të shumtë në numër. Pra, ky propozim nuk është kurrsesi zgjidhje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.