Dy standarde për legalizimet/Banesa me mur të përbashkët, disa të legalizuara, disa jo
Rreth 300 familje të Unazës së Re vijojnë betejën me shtetin kundër shembjes së banesave të tyre duke protestuar. Ndonëse shteti i ka diskriminuar duke i ndarë, disave duke ua legalizuar shtëpitë dhe disave jo, deri tani banorët kanë qenë kompaktë për të mbrojtur shtëpitë e tyre
"TemA TV" ka shkuar në shtëpitë e banorëve për të parë cilët kanë hipotekë dhe cilët jo. Nazifi është njëri prej atyre që e ka legalizuar shtëpinë, por edhe vetë e konfirmon se për të fituar hipotekën ka paguar para nën dorë.
"Unë kam, komshiu im s’ka, komshinjtë i kanë lënë se kanë thënë se s'kanë pasur edhe mundësitë, kanë pasur njerëz që të brithnin te ALUIZNI apo te Hipoteka. Por edhe një gjë tjetër duhet ta dinë: se çdo gjë është bërë me një vlerë”, thotë Nazif Lekli.
Por çudirat nuk mbarojnë. Një nga banorët na tregon se si banesa e tij midis dy ndërtesave të legalizuara, nuk është legalizuar
“Kushëriri im këtej e ka legalizuar, nuk kam të keqe nga ai, mirë ka bërë që e ka legalizuar bravo i qoftë, edhe ai kuksiani e ka legalizuar, unë s'e kam legalizuar. Unë ndodhem midis dy familjeve me mur të përbashkët edhe s'kam arritur të marr dot legalizimin”, deklaroi një banor tjetër.
Zërat që akuzojnë ALUIZNI-n se ka marrë para nën dorë për të legalizuar shtëpitë shtohen nga banorët
Prit kur të vijë radha. Pse ishte kjo prit tashti? Pse këtij iu bë dhe këtij tjetrit s'iu bë? Ju e merni me mend dhe vetë dhe kjo si duket nga qeveria, nga bashkia, është një gjobë për ne, sepse nga ne nuk ka fituar gjë. Kurse ato që u bënë me 10 mijë euro nën dorë i kanë marrë gjysmat ata”, tha një tjetër banor.
Sipas deklaratave të qytetarëve, banorët janë shpërngulur në Unazën e Re kryesisht në 96-n, ndërsa që në 2005-n ata kanë aplikuar për hipotekë por janë zvarritur.
Banorët hedhin poshtë akuzat e kryebashkiakut Veliaj se nuk kanë paguar taksat. Ata thonë se kanë qenë shumë të rregullt, madje ngrenë pyetje se si ka mundësi që kanë kontratë energjie elektrike nga shteti, kur konsiderohen të jashtëligjshëm
“Thonë se nuk kemi paguar taksa, të gjitha këto janë taksat e paguara bashkisë, madje kam paguar edhe në Kombinat pa u bërë këtu te bashkia e madhe, paguheshin në minibashkinë e Kombinatit”, tha më tej banori.
Një tjetër përgjigje që banorët i dhanë kryebashkiakut Veliaj nëpërmjet Tema TV janë edhe akuzat për politizim. Ata thonë se nuk kanë dashur që ta politizojnë çështjen, kanë kërkuar deputeten e PS-së të zonës, por ajo nuk u është përgjigjur. Ndërsa PD mori leje për t'iu bashkuar
"Ne kërkuam Blerina Gjylametin, deputeten e zonës, po ajo nuk na erdhi, na mbylli telefonin. Na ka afruar ndihmë Partia Demokratike, na ka marrë leje që ka ardhur këtu”, tha për “Tema Tv” Nazif Lekli.
Përpos dëmit që u shkaktohet banorëve duke u shkatërruar shtëpitë, pothuajse e gjithë zona që preket ka rreth 300 biznese, të cilat minimalisht kanë nga dy të punësuar. Në këtë mënyrë, 600 persona përveçse ngelin pa shtëpi, dalin edhe të papunë.
Add new comment