I duhen, i përdor dhe i tall...mediat e veta
Paska thënë Edi Rama në librin e tij “Kurban”, një ditar politik si prej udhëtari, këshilltari dhe vëzhguesi në Shqipërinë orientale:
Duhet një penë që unë s’e kam për ta vizatuar me fjalë portretin e Ilir Metës kur është i gjithi i pushtuar prej sekëlldisë së dyshimit dhe frikës që i shkon deri në kockë dhe ia paralizon lidhjet mes trurit, figurës e zërit, fytyra i buzëqesh e sytë i lëvizin ngado për të mos ndaluar mbi fytyrën e të dyshuarit në karrigen përballë, njërën dorë, atë pa celular, e vë në mes duke kapur rripin e pantollonave, fjalitë që thotë janë të rralla, tek-tuk dhe pa asnjë lidhje me bisedën, një mërmërimë në formë ‘ë’-je të zvargur që i del hera-herës sikur njëkohësisht ndjek bashkëfolësin e i thotë vetes, po të dëgjoj po s’të flas dot tani, çohet për një telefonatë po pa lidhje, ulet prapë, derisa në fund, pasi dëgjon e dëgjon, plas papritmas në një të qeshur buçitëse me kokën e shtriqur pas e supet që tunden nga gazmendi, pastaj dëgjon dhe njëherë të njëjtën gjë nga ana e bashkëbiseduesit të sëkëlldisur po ashtu ngaqë s’i vjen asnjë valë tjetër veç dyshimit të përçuar nga çdo pore e Ilirit dhe çohet duke thënë gjithnjë një frazë që lidhet me një ‘mirë do flasim
Këtë e publikojnë mediat e pushtetit sot në mbrëmje në një shprehje të re të zellit dhe devocionit për të shërbyer.
Ndërkohë nga Kryeministria, zoti Rama i ka bërë kurban këto media, duke u tallur e duke u thënë shqiptarëve që nuk lexojnë se:
Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës
Siç shihet Edi Rama e ka gjetur gjuhën me paranojakun që pikturon me penën e tij, penë e cila tradhëton shikimet e dyshimta të tij si prej eksperti kriminalistik ndoshta, kur si bashkëbisedues ulet e takon njerëzit. Duket se zakoni “budist” i të vizatuarit në prezencë të tjerëve është i vonët, bërë sefte sapo zotëria kapi një karrige pushteti që bën debitor shumëkënd.
Në çdo rast, mirëkuptimi mes të dyve nuk qenka aq i vështirë. Çështja është se cili është problemi i mediave këtu që gdhihen e ngrysen të përdorura e të tallura? E vështirë të deshifrohet, ndoshta është nevoja për të zgjatur inatosjen verbale për të mbuluar shtrydhjen e radhës. Mund të kemi të bëjmë me një kauzë të re, gjenuine. Inshallah po të jetë kështu. Marshallah po qe se do bëhet më shumë se një vërrë në ujë.
Add new comment