Nuk është çështje portalesh, por një çështje mes shtetesh
Nëse Shqipëria do të ishte një shtet me standarde minimale do të ishte duke trajtuar sot nevojën për trajtimin e raporteve ndërshtetërore me dy shtete: Turqinë dhe Greqinë.
Me të parën për shkak të kërkesave arrogante të ministrit të Jashtëm turk, Cavusoglu, që kërkon nga Tirana zyrtare marrjen e masave kundër gulenistëve. Ministri madje nuk ka fshehur se Turqia ka të dhëna për praninë e tyre në institucione, një qëndrim që mori një reagim nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, por që e vendos tashmë Shqipërinë para nevojës për të rishikuar të paktën sjelljen me Turqinë e Recep Erdogan që sillet si një shtet me paqëndrueshmëri hormonale.
Ky nuk është thjesht dhe vetëm një problem sjelljeje. Prej kohësh qarkullon një informacion i pakonfirmuar zyrtarisht se qeveria shqiptare e Edi Ramës jo vetëm që pranoi projektin turk për Xhaminë e Tiranës, por madje për këtë mori premtim për ndërtimin e një Parlamenti të ri për të cilin pala turke thuhet se premtoi 100 milionë euro. Vitet ikën, Xhamia po përfundon, kurse Parlamenti vijon po aty bashkë me shijen se financimet turke kushtëzohen me kërkesa të qarta të një karakteri që nuk kanë të bëjnë me vendin tonë.
Me Greqinë, situata është ndërlikuar pas publikimit në mediat greke të një dosjeje sipas të cilës pretendohet se Ministria e Jashtme greke, në drejtimin e Nikos Kotzias, ka financuar media online në Shqipëri, fondacione kulturore, aktorë politikë në minoritet etj.. Pavarësisht se Prokuroria e Athinës ka nisur hetimet, është e paqartë se çfarë po bën qeveria shqiptare. Përveç faktit ilumunues se kryeministri bënte gallatë në “Zonë e Lirë”, asgjë tjetër nuk dihet. Mediat pranë qeverisë po e trajtojnë këtë si çështje portalesh, pra kemi akuza për financim, ndaj edhe refuzohet formalizimi. Kjo edhe pse AKEP ka deklaruar se askush nuk ka kundërshtuar përveç BIRN që ka sjellë arsye të tjera. Qeveria shqiptare nuk ka njoftuar të ketë marrë ndonjë veprim në raport me qeverinë në Athinë e cila u zbulua se financon media për propagandën e vet.
Në një përgjigje për ResPublica, Ministria e Jashtme e Shqipërisë deklaroi se
Nuk kemi asnjë koment. Kjo është një çështje e institucioneve të sigurisë dhe Prokurorisë
Nga ana e vet përfaqësues të Prokurorisë, thanë për ResPublica se:
Nuk kemi çfarë të themi
Duket se një çështje kaq e ndjeshme që ka të bëjë me ndikimet e huaja po kalon në ngushticën e debatit të hapur nga Edi Rama për shpifjen. Tashmë do të gjendet arsyeja e shpifjeve dhe lajmeve të rreme: janë paratë e huaja.
Për këtë arsye, është fillimisht në interesin e medias që të zbardhë sa më shpejt listën e mediave që thuhet se financohen nga Greqia, të gazetarëve që kanë përfituar prej saj, në mënyrë që lodrat e pista të një pushteti që nuk I intereson gjë tjetër veç rehatia dhe paratë e veta, të mos gjejë vend. Edhe pse duhet thënë se çdo betejë me median do ta nxjerrë të humbur pushtetin që nuk po do të lëvizë gishtin, por vetëm të bëjë zhurmën e preferuar.
Add new comment