Dakord për penalizimin e shpifjes, por ku të marrim Informacion?
Kryeministri Edi Rama ka shpallur së fundmi nismën e tij ligjore kundër shpifjes. Dhe duhet thënë se e ka marrë me yrysh të madh kësaj radhe. Kryeministri Rama është në të drejtën e tij të luftojë atë që e quan njollosje të padrejtë të qeverisë së tij, ndërkohë që vërejtja e parë që i është bërë lidhet me mungesën e informacionit për çështje me interes publik. Ky është një detyrim ligjor të cilin z. Rama e promovoi qëkurse erdhi në pushtet. Të kërkosh të kriminalizosh shpifjen duhet më së pari që të krijosh kushtet për transparencë sipas ligjit. Vetëm në vitin 2018, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave dhe për të Drejtën e Informimit ka dhënë 55 vendime përmes të cilave kërkon që institucionet publike të japin informacionin e kërkuar.
Viktimë e kësaj sjelljeje është bërë edhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, që në seancën e fundit plenare deklaroi se prej 8 muajsh nuk merr informacion nga Ministria e Financave për tatimin në burim të FSHF-së. Kryeministri bën mirë që dëgjon veten si kryekëshilltar në qeverisje, por është e udhës që të shohë nëse ligjet që miraton vetë zbatohen apo jo.
Add new comment