"Miku Aleksander" nuk bindet: Na mbetet vetëm të respektojmë neutralitetin e Serbisë
Në Tiranë po zhvillohet konferenca “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”, organizuar nga TANJUG dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare. Në konferencë ka folur edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili është përpjekur të tregohet realist, në ndryshim nga eprori i tij që kur vjen puna te Serbia është entuziast. Ministri ka folur për marrëdhënie të brishta, që mund të zhvillohen normalisht si mes dy fqinjëve. Ai nuk ka harruar Luginën e Preshevës, ku Serbia duhet të bëjë më shumë, ndërkohë që ka shprehur zhgënjimin e vet për qasjen neutrale të Serbisë në çështjen e sigurisë. Krejt ndryshe kjo siç tha me vokacionin perëndimor të Shqipërisë.
Pas rënies së komunizimit, asnjë qeveri në Shqipëri nuk e ka vënë në pikëpyetje vokacionin perëndimor të Shqipërisë. Ndërkohë Serbia nuk e ka ende të kristalizuar rrugën e saj në raport me NATO-n dhe familjen transatlantike. Natyrisht ne na mbetet veçse të respektojmë qasjen e saj neutrale, e cila duket se u konfirmua edhe dje nga Presidenti Vuçiç në takimin me Presidentin rus, Putin
është shprehur Bushati.
Po kështu ministri i Jashtëm ka folur për Kosovën që sipas tij kushtëzon edhe vetë marrëdhënien Shqipëri-Serbi.
Kur flitet për marrëdhënien shqiptaro-serbe, apo Shqipëri-Serbi është shumë e vështirë të injorohet elefanti në dhomë, Kosova. Kosova ka përfaqësuesit e saj legjitimë që flasin në emër dhe për interesin e Kosovës, por qëndrimi i Shqipërisë në këtë pikë është gjithashtu shumë i qartë. Procesi i normalizimit është një proces shumë i vështirë mes Serbisë e Kosovës, që zhvillohet në ndërmjetësimin e përfaqësueses të lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Mogherini, me mbështetjen e SHBA-së, nuk është një proces që mund të zëvendësohet nga një raport i mirë mes Shqipërisë dhe Serbisë, por vetëm mund të përplotësohet nga një raport edhe më i mirë mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ndaj çdo tentativë për ta sjellë këtë çështje si pjesë të dy shteteve, si pjesë e Shqipërisë dhe Serbisë në tryezën e tyre, sipas Bushatit, do të ishte një shërbim shumë i dëmshëm për vetë procesin e normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës
tha ai.
Konferenca vjen në kuadër të një procesi të nisur me Nismën e Berlinit dhe pas disa takimeve mes Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç që patën si historike vetëm statistikën. Duket se pajtimi me Serbinë është obsesion dhe kompleks i të majtës zyrtare shqiptare në Tiranë, për arsye që ende nuk janë të qarta dhe të shpjegueshme objektivisht.
Add new comment