Gjermania tenton edhe njëherë rikthimin e lidhjes speciale me SHBA
Marrëdhënia transatlantike është në krizë. Kjo pohohet prej kohësh dhe madje për këtë kanë nisur të diskutohen disa ide. Të cilat nuk përjashtojnë edhe një shkëputjes mes SHBA-së dhe Europës.Por historia e afërt e të dy anëve të Atlantikut që i dha formë botës së pas Luftës së Dytë Botërore, është me shumë ndikim sa të injorohet njëherë e mirë. Një rol qendror në ristabilizimin e marrëdhënieve ka Gjermania e cila nuk e fshesh stresin e saj si vend që ndodhet sërish nën presionin e dyanshëm gjeopolitik.
Në një artikull të publikuar në faqen e Ministrisë së Jashtme gjermane, titullari i saj, Heiko Maas shkruan se të dyja vendet, pra SHBA dhe Gjermania kanë nevojë për një marrëdhënie të re. E cila nuk mund të vijojë më siç është tani, as të kufizohet në nivel zyrtar.
Partneriteti transatlantik është standardi i artë i politikës sonë të jashtme. Dora e zgjatur nga SHBA pas Luftës së Dytë Botërore, Plani Marshall, linja ajrore mbi Berlin që ishte shpëtimtare dhe në fund, mbështetja për riunifikimin gjerman – këto do të mbeten të pandryshuara. Politikanët dhe populli gjerman nuk e kanë harruar çfarë SHBA kanë bërë për vendin ton. Por nëse duam të mbajmë këtë lidhje special, nuk mund të vazhdojmë të sillemi sikur asgjë nuk ka ndryshuar që nga ajo kohë. Ne duhet të rikalibrojmë partneritetin tonë
shkruan ndër të tjera Maas.
Konfliktet, zhvillimi i tyre, dinamika e papërmbajtshme e botës joperëndimore, këto dhe të tjera janë sfida të jashtëzakonshme që sipas ministrit gjerman, e bëjnë shekullin e 21-të një shekull ku aleancat janë jetike. Ideja e tij është afrimi njerëzve më shumë sesa vijimi i axhendave politike. Gjermania ka menduar të promovojë vitin Gjermano-Amerikan 2018/2019, i cili konsiston në më shumë se 1000 aktivitet në të dyja anët e Atlantikut dhe në të 50 shtetet e SHBA.
Ne duam të dëgjojmë njerëzit – studentët, artistët, akademikët, biznesin dhë mësuesit – ata të cilët formësojnë marrëdhëniet mes vendeve tona në punën e tyre të përditshme
shkruan ndër të tjera Maas.
Nisma dhe artikulli vjen ndërkohë që marrëdhëniet mes të dyja vendeve nuk janë më ato të parat. Sjellja dhe vendimet e Trump janë vetëm një ndër shkaqet, pasi rezervat janë vënë re qysh në kohën e administratës Obama. Gjermania është një vend kyç për stabilitetin politik të Europës dhe për pushtetin e Perëndimit në një zonë historikisht problematike.
Add new comment