Cilat institucione?
Lexoni çfarë shkruhet në një nga opinionet e shumta që publikohen për të mbrojtur pushtetin në rastin e Xhisiela Malokut:
Të gjithë iu vërsulën vajzës me pretendimin se e vetmja e vërtetë është përdhunimi i Xhisielës. Se cila është e vërteta, kjo mbetet për tu zbuluar nga organet përgjegjëse, por çfarë dje u duk me zë dhe figurë ishte dhuna e ushtruar publikisht në studio mbi Xhisielën
Kush jeton në Shqipëri dhe ka një ide për atë që është realiteti në Fushë Krujë, apo në provincën shqiptare, nuk mund të flasë kështu me kaq lehtësi. Ne pamë dje Xhisielën në përfundim të një periudhe disa mujore traume, e detyruar të mbrohet me çdo mjet. Kjo gjë do të kishte njëfarë kuptimi vetëm nëse Xhisiela me të vërtetë ka bërë një megamashtrim. Por edhe sikur ta konsiderojmë këtë, ne kemi raportin mjeko-ligjor që konfirmon dhunën ndaj saj.
Së fundmi kemi ndalimin e shtetasit Rexhep Rraja, pra një sërë veprimesh institucionale që kanë ndodhur vetëm pas presionit mediatik.
Kemi lexuar këto ditë edhe krahasime me rastin e Xhelal Mziut, por pa kuptuar se si mundet që rasti i tij të justifikojë këtë që ndodhi në Fushë –Krujë. Këtu aktori kryesor në lojë nuk është PD-ja, ndaj së cilës i sillet para syve kryebashkiaku i vet, por diskreditimi i plotë i qeverisjes që lejon që të tilla mysybete të ndodhin në vitin 2018.
Një denoncim prej disa muajsh, shkelje proceduriale në marrjen në pyetje, dhunë psikologjike në prokurori dhe polici. Cilat janë pra këto institucione që do na zbardhin të vërtetën?
Nëse ka një gjë që kuptohet mirë këtu është se shuplakën më të madhe e kanë marrë pikërisht këto institucione që me kaq lehtësi i kap në faj, në shkelje dhe në flagrancë. Është pikërisht diskretidimi i tyre, inkriminimi i plotë i policisë dhe prokurorisë që prodhoi intervistën e djeshme dhe aspak qartësimi i viktimës që pohon se nuk ka ndodhu asgjë. Por edhe sikur të mos jetë kështu, pra sikur me të vërtetë Xhisiela ta ketë fabrikuar të gjithën, sërish një pyetje duhet të ishte kryesore: pse janë kaq të besueshme histori të tilla? Pse përthithen kaq shpejt si të vërteta?
Përgjigja nuk është media dhe zhurma e saj. Aspak. Përgjigja është sepse ato janë reflektim i atij realiteti të përdishëm që e njohim të gjithë, realitet që e ka vendosur dhunën dhe krimin në çdo qelizë. Në vend të avokatisë do të duhej një falje dhe një hetim i thellë, një pastrim. Por e kundërta po ndodh. Avokatinë po e bën një pjesë e medias – për arsye ndoshta morale, sepse nuk mund të imagjinojmë të tjera – ndërkohë që Pazarin po e bën tjetërkush. Pazarin e mohimit dhe përgënjeshtrimit. Nuk duhet patjetër që të vonojë edhe statusi i radhës në rrjetet sociale që na bind të gjithëve se çdo gjë ishte e kotë. Urraaa!
Add new comment