Censusi në 2020, anketimi do të bëhet online
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2018/09/BFBCE5F5-293B-420D-A452-DD0110EAEAAE_2018_09_19_18.jpeg?itok=aUynhjpi)
Në 2020 do të zhvillohet censusi i radhës në Shqipëri, ndërkohë INSTAT ka nisur punën që tani për të hartuar pyetësorin. Në një intervistë për Televizionin Tema, përgjegjësja e Statistikave te popullsisë në INSTAT, Majlinda Nesturi, u shpreh se pyetësori do të ndahet në dy kapituj, në çështje thelbësore dhe jo thelbësore.
Risia e këtij censusi është se ndryshe nga ai i vitit 2011 kur anketimet bëheshin me fletë të printuara, në 2020-tën do të bëhen online me tablet. Sipas Nesturit kjo do të bëjë që nga 12 mijë anketues që u punësuan në 2011 në 2020-tën do të punësohen 6 mijë. Gjithashtu këtë herë do të zgjatet koha nga 4 javë në 6 javë.
Në rast se anketuesit nuk i gjejnë në vendbanimet e tyre qytetarët ata janë të detyruar të shkojnë tre herë brenda këtyre 6 javëve për të plotësuar pyetësorin.
Për të realizuar censusin edhe pse numri i anketuesve do të përgjysmohet nga 12 mijë në 6 mijë, fondi i parashikuar është i përafërt me atë të censusit të 2011 rreth 15 milionë euro.
TemaTv
Add new comment