A do të hetojë Parlamenti për përdorimin e taksës së arsimit?
Sot është dita e parë e shkollës. Dhe në vend se të jetë një ditë gëzimi, apo të paktën një ditë e veçantë për prindërit dhe fëmijët, ajo kthehet në një ditë propagandimi. Kjo sëmundje e pashërueshme që synon të mbulojë dështimin me sistemin tonë arsimor ndihmohet edhe nga njerëz publikë, të cilët është mirë që të na sqarojnë nëse veprimet e tyre i bëjnë kundrejt pagesës apo me vullnet të lirë.
Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë patur sot një mjet për të luajtur: shkollën e re “Kosova” e cila është inauguruar së fundmi. Kryeministri mbajti aty fjalën e vet, kryetari i Bashkisë na shurdhon me cërr cërret e veta. Por edhe artisti Ardit Gjebrea ka hyrë në rol. Ai shfaqet në një video ku flet për shkollën ku ka mësuar, se rikonstruksioni I saj I kujton filmin “Ritorno al futuro” etj..
Për një moment mendon se Arditi ka bërë një video nga ngazëllimi, se ai, qytetari model i Tiranës, Tironës e çfarë të duam, thjesht filmon veten se nuk përmbahet nga kjo që po i shohin sytë. Por kjo shpresë venitet sapo sheh se çërr cërri i Erion Veliajt lidhet pikërisht me këtë video-porosinë e ditës së parë të shkollës.
Ardit Gjebrea mbërriti i pari te shkolla Kosova. Jo per te filluar klasen e pare, por per te kujtuar shkollen e tij fillore e pare se si eshte transformuar
cërron Veliaj në tuiter.
Por shkollat sot nuk kanë patur atë pamje të qetë dhe të boshatisur siç po na do të na gënjejë zotëria. Fotoja në fjalë është bërë te shkolla “Pjetër Budi”, pas Gjykatës së Tiranës. Klasat me 40 nxënës, radhë për të hyrë në shkollë, rrëmujë etj..
Probleme të zakonshme kuptohet në shkollën shqiptare, që ka nevojë më shumë se asnjëherë të analizohet me realizëm dhe jo me mburrje. Na është vënë një taksë antikushtetuese që u kalon koncesionarëve dhe sërish nuk po shohim ndryshim esencial. Aq më pak na nevojiten këto video promocionale, sepse kemi sy në ballë vetë dhe Tirana nuk është aq e madhe sa të mos kuptohet se çfarë po ndodh. Koha e kërkon që për taksën e arsimit që na u mor në fillim të mandatit të z. Veliaj të hetojë Parlamenti. U shkojnë këto para? Pse asgjë nuk po ndryshon? Pse vijohet me mbipopullim në shkolla? Janë çështje që një opozitë serioze duhet t’i shtrojë për diskutim edhe nëse njerëz të diskredituar si ky kryetari i Bashkisë do dalin e do thonë se “po sulmohet progresi”. Nuk kompleksohet kush nga njerëz banalë dhe politikanë që po bëjnë dëme të pariparueshme në kryeqytet.
Add new comment