PE voton liberalizimin e vizave me Kosovën
Parlamenti Evropian votoi pro heqjes së vizave për kosovarët. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon tha se ky nuk është hapi i fundit për vizat. 420 deputetë kanë votuar për liberalizimin e vizave ndërsa 186 ishin kundër dhe 20 kanë abstenuar.
Pas këtij votimi, do të konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës përfundimisht t’i liberalizohen vizat. Po ashtu është e domosdoshme që heqjen e vizave të Kosovës ta miratojë edhe Këshilli i Ministrave të brendshëm të vendeve anëtare.
Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha tha se institucionet e Kosovës në nivel qendror dhe lokal, kanë përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim. “Pas kësaj pune të jashtëzakonshme në të gjitha fushat dhe nivelet, ky votim është mirënjohje dhe dëshmi se qytetarët tanë e meritojnë lëvizjen e lirë”.
Ky hap i përafrimit me Kosovën vjen në një kohë kur Prishtina dhe Beogradi janë në bisedime për korrigjim kufijsh, me iniciativë të dy presidentëve Thaçi e Vuçiç, plan që kundërshtohet nga opozitat e dy vendeve dhe Gjermania.
Add new comment