Sinkronizim opozitar Kosovë - Shqipëri
Diplomacia qorre dhe e urdheruar e Hashim Thaçit që po vendos në diskutim kufijtë e Kosovës ka provokuar zhvillime të pazakonta. Dje Albin Kurti i Vetëvendosjes është takuar në Tiranë, në zyrën e tij, me Sali Berishën, ish-kryeministër dhe ish-president i Shqipërisë. Të dy politikanët kanë dalë në një konferencë për shtyp pas takimit, përmes së cilës kanë shprehur kundërshtimin e tyre për atë që sot po luan Hashim Thaçi. Sali Berisha ka deklaruar se nxjerrja për negociim e territorit të Kosovës bie ndesh jo vetëm me interesin shqiptar, por edhe me historinë e kufijve administrativë të saj, siç u sanksionuan nga ish-Jugosllavia. Sipas tij, kjo përpjekje është një nga aktet më destabilizuese në Ballkan. Berisha ka shtuar se ideja në fjalë, që shfaqet sot si ie shqiptare, i është propozuar atij nga Vuk Drashkoviç në Selanik, pra është një ide serbe.
Nga ana e vet, Albin Kurti ka zbuluar se në takimin e tij me Sali Berishën janë diskutuar edhe cështje të krizës së Kosovës, duke paralajmëruar se Vetëvendosje dhe LDK-ja do të dalin me një rezolutë të përbashkët kundër asaj që ai e quajti “lojë e rrezikshme e Presidentit Thaçi”.
Kurti ka folur për nevojën e bashkimit të të gjithëve, në Kosovë dhe në Shqipëri, Maqedoni dhe Luginë, për të mbrojtur Pavarësinë e Kosovës.
Takimi përbën një zhvillim të rëndësishëm pse pajton në një pikë dy politikanë që ideologjikisht janë dalluar si kundërshtarë. Duhet thënë se në të dyja anët e kufirit, në Kosovë dhe në Shqipëri, janë paralajmëruar protesta për arsye të ndryshme, por që sot duket se përafrohen në politikën e kundërshtimit të asaj që po luan Hashim Thaçi.
Add new comment