Spanja duhet ta harrojë Frankon. Nuk jemi popull reflekues

Postuar në 06 Shtator, 2018 13:14

Spanja duhet të hedhë pas krahëve të shkuarën nën diktatorin Franko. Kështu shprehet shkrimtari katalanas, Eduardo Mendoza, në një intervistë për “Avvenire” në Itali. “Ne jemi një popull që nuk reflekton”, thotë ai duke iu referuar debateve që hapen herë pas here për luftën civile dhe eshtrat e diktatorit spanjoll.

Mendoza ndodhet në Mantova për të prezantuar në Festivalin e Letërsisë romanin e tij “Qyteti pezull – Madrit 1936”, me të cilin ka fituar çmimin prestigjioz “Planeta 2010”.

Kësaj radhe e keni “tradhtuar” Barcelonën? Si ka mundësi?

Epo le të themi që e kam tradhtuar. Nuk e duroj dot më “çështjen katalanase” dhe debatin pro pavarësisë apo kundër paravësisë. Kështu që ia mbatha nga Madridi. Sigurisht kjo është shaka. Më interesonte të rrëfeja atë moment të veçantë në jetën e qytetit.

Çfarë keni parasysh me këtë?

Në vitet e para menjëherë pas luftës civile, Madridi ishte qyteti më interesant i Europës. Ishte në vijim e sipër një transformim i fuqishëm social dhe kjo bënte që atje të ndieje në ajër risitë, lirinë… Në pak hapësirë – Madridi ishte ende relativisht i vogël – koncentroheshin ekstremet: moderniteti më absolut dhe tradita më rigoroze. Në rrugët e ngushta të qytetit mund të shihje tavernat, gjithnjë të hapura. Atje, artistë surrealistë të ardhur nga Parisi, emra të mëdhenj të letërsisë latino-amerikane, toreadorët dhe balerinët e flamnekos ndanin të njëjtat tavolina, ngjitur me njëri-tjetrin. Kjo ishte hapësira, ku gotë pas gote, përvijohej beteja mes ideve të mëdha të shekullit të XX: komunizmi, anarkizmi, troksizmi, socializmi e fashizmi.

Prania e heshtur e Diego Velasquez e shoqëron rrëfimin. A nuk do të kishte qenë më i përshtatshëm tragjiku Goya për Spanjën e paraluftës?

Kam simpati të madhe për Velasquez. Ishte njeri i pavendosur, paqësor, që preferonte rolin e dëshmitarit të heshtur. Për shumë vite kam qenë në Patronatin e Prados. Bënim mbledhje kur muzeu ishte i mbyllur. Në fund të takimeve endesha në korridoret bosh. Gjithnjë e gjeja veten përballë pikturave të Velazquez. E vërteta është se me Velazquez mund të bisedosh gjithnjë. Me Goya, që e dua në të njëjtën mënyrë, jo.

Një prej personazheve të “Qyteti pezull” është José Antonio Primo de Rivera. Pse e zgjodhët?

Sepse është tepër interesant. Primo de Rivera ishte një idiot interesant. Simpatik, i bukur, orator i jashtëzakonshëm e megjithatë pa asnjë ide. Një njeri i papërgjegjshëm, që u jepte në dorë armën 16-vjeçarëve dhe i dërgonte të luftonin me “komunistët”. Një çmenduri. Fashizmi e bëri hero. U qëllua nga republikanët, pra shkurt nuk vlente as të çohej në burg. Me rikthimin e demokracisë, Primo de Rivera u zhduk plotësisht. Unë nuk mund t’i rezistoj tundimit për ta rrëfyer një shaka të historisë si kjo.

Por, në fakt, lufta civile nuk përfundoi. Madje është më shumë se asnjëherë në kujtesën kolektive. Pse Spanja e ka kaq të vështirë t’i mbyllë llogaritë me një faqe të tillë të së shkuarës së saj?

Nuk jemi një popull që reflekton. Nuk dimë të dëgjojmë dhe as të dialogojmë. Për fat të mirë kemi futbollin që na merr pak energji (qesh).

Muajt e fundit është hapur debati mbi eshtrat e Francisko Frankos. Diktatori prehet në një varr shtetëror në kompleksin monumental të Luginës së të Rënëve. Por tani qeveria socialiste thotë që eshtrat e tij duhet të zhvendosen diku tjetër. Ju çfarë mendoni për këtë?

Ndonjëherë i them vetes: Nëse do të na hiqnin luftën civile, për çfarë do të flisnim ne spanjollët? Në mënyrë të përsëritur i “heqim pluhurin” Frankos, republikanëve… Meqë jemi te varri i diktatorit, për mua, nëse duan ta lëvizin sa më shpejt, le ta bëjnë. Dhe nëse vendosin ta lënë, le të rrijë ku është, në atë monument të madh e të shëmtuar. Çështja nuk është nëse duhet të hiqet apo të rrijë ku është. Do të doja vetëm që Franko të harrohej. Ose të paktën të mos e vendosim më në faqet e para të gazetave.

Prekët çështjen katalanase. A shihni një spirale që shkon drejt zgjidhjes?

Jo për momentin. Gjysma e popullsisë do një gjë, gjysma tjetër do të kundërtën. Pra, në të gjitha rastet, njëra pjesë do të mbetet e pakënaqur. Ndoshta edhe tjetra. Është një problem që zvarritet prej 150 vitesh. Deri tani, askush nuk ka pasur kreativitetin, kurajën dhe zemërgjerësinë për të gjetur një zgjidhje autentike dhe afatgjatë. Kështu që sa herë që kjo çështje rikthehet në vëmendje, secila prej palëve përpiqet ta manipulojë për arsye elektorale.    

TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.